Ka krijuar një pështjellim deri në incident diplomatik në Serbi, një makinacion i pastër shërbimesh, nga ana e stafit të së ashququajturës “Qendër Humanitare e Nishit” ndaj diplomatëve të ambasadës amerikane në Beograd.
Me ftesën e drejtuesve të qendrës, e cila dyshohet prej NATO-s se është celulë e shërbimit sekret rus në Ballkan, një diplomat amerikan ka vizituar objektin, natyrisht sipas një protokolli të përcaktuar nga drejtuesit.
Diplomati amerikan, Hyrum Garvin, i cili është zv.atashe ushtarak, me një aparat fotografik profesional me vete ka shkuar në qendër për të marrë ç’mund të merrte si info dhe ta analizonte me qetësi në ekipin dhe qendrën.
Por pa mbërritur ende në ambasadë, diplomati i SHBA, stafi rus i qendrës së Nishit ka shpërndarë një deklaratë të njëanshme ku theksonte se “diplomati amerikan pa në mënyrë transparente punën e qendrës së Nishit që është një mision humanitar dhe u pajtua për dhënien e statusit diplomatik punonjësve të saj”.
Sputnik-u rus publikon një shkrim në ballinë të shoqëruar edhe me foto, që e titullonte: “Ç’duan amerikanët në qendrën e Nishit?!”
Pikërisht kjo deklaratë apo njoftim shtypi që u shpërnda për mediat pa u pajtuar me mikpritësit, ka irrituar ambasadën amerikane në Serbi, e cila në një deklaratë për mediat iu është kundërpërgjigjur rusëve duke e cilësuar jo korrekte sjelljen e tyre.
Ndërkaq, nga ana tjetër ambasada amerikane thekson se dyshimet jo vetëm nuk kanë rënë, por ata nuk e shikojnë të nevojshme marrjen e statusit diplomatik nga punonjësit e “Qendrës Humanitare të Nishit”.
Në një deklaratë të publikuar në agjencinë shtetërore të lajmeve në Serbi Tanjug, Ambasada e SHBA në Beograd thekson se “përfaqësuesi i saj vizitoi Qendrën në Nish, me ftesë të udhëheqjes së saj, duke vënë në dukje se deklarata nga Qendra e lëshuar pas vizitës, nuk është hartuar në dakordësi me Ambasadën Amerikane dhe ajo nuk reflekton qëndrimet e Shteteve të Bashkuara.
Përfaqësues të Ambasadës Amerikane gjatë vizitës, u informuan për aktivitetet aktuale të Qendrës, dhe në këto aktivitete, përfaqësues të Ambasadës së SHBA nuk shohin ndonjë arsye që tregojnë nevojën që Qendra të marrë statusin diplomatik”.
Në qëndrimin e saj ambasada e SHBA në Serbi thekson më tej, se “kërkesa e vazhdueshme e Qendrës së Nishit për të marrë statusin e paprekshmërisë së stafit dhe ambjenteve të Qendrës, vetëm ngre dyshime në lidhje me qëllimet afatgjata që lidhen me objektin e punës së saj”.
Pra, në mënyrë të qartë amerikanët i janë përgjigjur ashpër tentacionit rus për të bërë fakt të kryer një raport vëzhgues të diplomatit amerikan, (i cili sipas gjasave i përket shërbimeve inteligjente), raport, i cili ende nuk kishte nisur të hartohet.
Fotot e marra në objekt nga Hyrum Garvin, ende nuk ishin parë për t’u analizuar, bashkë me shënimet që diplomati mori gjatë bisedës me shefin rus të qendrës së Nishit, Vyacheslav Nikolayevich Vlasenko, një ushtarak në pension.
Vetë Vlasenko, në një intervistë për Tanjug thekson se ata e kërkojnë statusin diplomatik, meqë një të tillë e ka marrë edhe misioni logjistik i NATO-s në Serbi.
Shefi i Qendrës së Nishit, ka theksuar se ai ka trajnuar përveç shumë punonjësve serbë, edhe hungarezë, vend që është anëtar i NATO-s.
Viktor Orban, kryeministri hungarez, ka lidhur marrëdhënie të ngushta me Putin prej disa vitesh.
Deklarata e lëshuar pas vizitës së diplomatit amerikan është konsideruar nga Uashingtoni si një lëvizje tipike makinacioni, pasi ka bërë fakt të kryer një gjë ende nuk kishte ndodhur dhe ka hedhur në publik një dezinformacion.
Qendra e Nishit theksoi në deklaratën e saj se “përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, gjatë një vizite ka marrë përgjigje të shumta për të gjitha pyetjet që kishte, duke përfshirë draft marrëveshjen ndërqeveritare ruso-serbe për kushtet e qëndrimit, privilegjet dhe imunitetet e personelit të Qendrës.
Vizita e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane është edhe një konfirmim i transparencës absolute të punës së Qendrës, me qëllim zgjidhjen e problemeve në fushën e reagimit emergjent dhe duke siguruar ndihmë humanitare për Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit”.
Amerikanët pritet të publikojnë së shpejti një raport zyrtar mbi Qendrën e Nishit, ku do të ndërlidhin si informacionet tangent të marra nga shërbimet, sateliti dhe burimet e tjera, por edhe nga vizita direkte e zv.atasheut ushtarak në Beograd.
Raporti, sipas të gjitha gjasave ka për të qenë i hidhur, ndaj edhe rusët tentuan të furnizojnë opinionin me një informacion sikur diplomati i SHBA nuk gjeti gjëra spiunësh në Nish, ndërkohë kur vetë amerikani ende nuk kishte folur.
Deklarata paraprake e ambasadës së SHBA në Serbi mbi këtë çështje, flet qartë se raporti do të jetë i ashpër dhe që nuk përligj kërkesën e Moskës për status diplomatik të punojnësve “humanitarë”, por që kanë eksperiencë ushtarake apo policore…/tesheshi.com/