“Lugina e Diellit”, lagja e re serbe që po ndërtohet në veri të Kosovës, e cila do strehojë kolonë serbë të ardhur ngamos, do ketë padyshim dhe kishën e saj, e cila bart dhe një mesazh më shumë se fetar, derisa do të financohet nga Rusia.
Pra, do jetë një kishë gjeopolitike.
Ndërtimi i saj në lagjen e cila përbën një sfidë të hapur për qeverinë e Prishtinës, është konfirmuar dhe nga Marko Gjuriq, shefi Zyrës për Kosovën në qeverinë e Beogradit, i cili po qëndron këto ditë në në Moskë në një vizitë zyrtare.
Sipas Tanjug-ut, Gjuriq ka njoftuar disa zyrtarë të lartë të politikës së Kremlinit me situatën në Kosovë, rrjedhën e dialogut të Brukselit dhe me gjendjen e popullit serb në krahinën jugore.
Dhe pikërisht në këto takime, Gjuriq e ka theksuar rëndësinë e ndihmës së Kishës ruse për të ndërtuar një objekt kulti ortodoks tek “Lugina e Diellit”, pra një kishë.
Ndërtimi i lagjes “Lugina e Diellit”, shihet në Kosovë si një inisiativë e Beogradit për ta serbizuar tërësisht veriun, përkundër asaj çfarë thonë autoritetet serbe se aty do strehohen vetëm të shpërngulurit. /tesheshi.com/