Shkrimtari Ylljet Aliçkaj, i cili ka qenë zëdhënësi i parë i Bashkimit Europian në Tiranë, ka botuar prej vitesh romanin “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë”, që po bëhet edhe film, ku dalin në pah hiletë e vogla të shqiptarëve në marrëdhëniet me të huajt, të cilët u investuan që të ndihmonin Shqipërinë e persekutuar nga komunizmi e të sapo dalë nga ky sistem, përgjatë viteve të tranzicionit .
Nuk kaloi shumë kohë nga nisja e “demokracisë shqiptare”, pra alla shqiptare, ku do ia behnin politikanë e ndërmjetës të huaj për të për të vendosur rregull e standard sa herë cënoheshin ato nga grindjet mes palëve; që sapo kthenin shpinën shikonin se si keqpërdoreshin apo mashtroheshin.
Ambasadori i parë amerikan në Tiranë ishte William Ryerson i cili u përpoq dhe hapur që Shqipëria të lërë pas komunizmin e të hapë një rrugë të re për të zgjedhur politikanë të rinj e me mentalitet të ri.
Por ç’ndodhi?
Qëndrimet e tij i përdornin palët për politikën e ditës: PD-ja për të sulmuar socialistët, ndërkohë që këta të dytët e sulmonin ambasadorin me idenë se ai synon të burgosë të majtët.
Ikja e Ryersonit solli në Tiranë një diplomat të “padukshëm”, Edward Lake, i cili për dy vjet në detyrë nuk ra fare në sy.
Madje as në zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996 kur Sali Berisha, atëherë Prersidenti i Republikës u “kryqëzua” nga Perëndimi për manipulimin e zgjedhjeve.
SHBA i dha pushtet të madh OSBE-së, e cila solli në Tiranë ekipin e madh të vëzhguesve të Zyrës së saj për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR.
Ky mision iu caktua një diplomateje shumë e njohur britanike, e cila ishte emëruar me dekret të vetë Madhërisë së Saj, Elizabeta, Mbretëreshë e Britanisë së Madhe.
Ajo quhet Audry Glover dhe u kthye në mankthin e Sali Berishës sa herë ky do të vinte në pushtet në Shqipëri.
Dukej sikur Perëndimi ia kishte me inat dhe i sillte njeriun që e dërrmoi në vitin 1996.
Në atë kohë, PD-ja në pushtet kishte marrëdhënie të mira me Italinë e Berlusconit dhe një parlamentare gjermane, Leni Fischer, e cila ishte zyrtare e lartë e Bundestagut.
Por britanikja e ftohtë, Glover hartoi një raport që i cilësoi zgjedhjet e para parlamentare pas ardhjes së antikomunistëve në pushtet në Shqipëri si të manipuluara dhe të palira e të pandershme.
Berisha në atë kohë president, e bëri armik ODIHR-in dhe në zgjedhjet lokale të 20 tetorit 1996 kërkoi që të mos vijë OSBE-ja për vëzhgim por Këshilli i Europës.
Ligjërisht qeveria pritëse ka mundësinë që të pranojë apo jo një mision ndërkombëtar.
Zgjedhja e KiE-s nga Berisha ishte e gjetur pasi Këshilli i Europës dërgon si vëzhgues kryesisht europarlamentarë që lëvizin pak dhe që kryesisht janë politikë dhe nuk aktivizohen si profesionistët e ODIHR, të cilët nga ana e tyre janë ekspertë të mirëfilltë dhe paguhen me buxhete të mëdha.
Në krye të misionit ndërkombëtar u vendos kryetarja e KiE-së, francezja e famshme Catrine La Lymiere, për të cilën mbeti e famshme deklarata e zotit Berisha: “Takova zonjën La Lymiere, unë i thashë asaj, ajo më tha mue…”, e kthyer më pas në hit humori nga imitimi i Agron Llakajt.
Por një vit më pas shpërthen kriza e vitit 1997, OKB vendosi të dërgojë në Shqipëri forca të armatosura për të ruajtur sigurinë e vendit që të mos dizintegrohet dhe të sigurojë zgjedhjet e lira duke shoqëruar vëzhguesit ndërkombëtarë.
Komandën e operacionit “Alba” e morën italianët.
Ndërkohë SHBA dhe BE caktuan si kryenegociator për krizën në Shqipëri, ish-kancelarin austriak Franz Vranicky, vendi i të cilit ka qenë Perandori e fuqishme dikur në Ballkan.
Vranicky arrit të negocojë me rebelët e jugut, me Berishën por edhe me forcat politike. Ai arriti të bindë Presidentin që të formojë një qeveri koalicioni dhe të bëjë zgjedhje të parakohshme.
Misioni i tij ishte i plotfuqishëm në vend, por gjithmonë i ndodhte që palët ia shkelnin fjalën, e gënjenin sy ndër sy; i thonin ndryshe tani e më pas vepronin ndryshe, derisa ai bëri deklarata të fuqishme kryesisht në drejtim të kreut të vendit në atë kohë.
Mbaruan zgjedhjet e vitit 1997 dhe vendi hyri në një hulli institucionale por krizat përsëriteshin vazhdimisht. Në krye të OSBE-së ishte një holandez i quajtur Daan Everts.
Ai menaxhoi tmerrin e 14 shtatorit 1998 dhe situatën e mëpastajshme deri në luftën e Kosovës, kur më pas qendra e dërgoi në Prishtinë për të drejtuar lindjen e institucioneve demokratike të shtetit të ri.
Shqipëria bën zgjedhjet lokale të vitit 2000, parlamentaret e 2001-shit, ato të vittit 2005 kur në qeverisje rikthehet sërish Sali Berisha dhe kryhet rotacioni i parë i qetë i pushtetit.
Perëndimi që gjithsesi nuk kishte konfidencë të madhe me Berishën, i dërgon si kryetar i misionit vëzhgues në zgjedhjet e vitit 2009 holandezin Daan Everts.
Kryeministri nuk e pranon duke e cilësuar si të njëanshëm. Atëherë SHBA dhe Gjermania, financueset më të mëdhenj të OSBE-së bëjnë një veprim tjetër: i risjellin mankthin e 1996-s, britaniken Audry Glover.
Berisha inatoset por nuk kishte sesi ta refuzonte pasi e kishte bërë me të parin: Evertsin.
Atëherë mendon një manovër energjike ku u investua vetë shefi i diplomacisë së asaj kohe, Lulzim Basha.
Kërkon që në krye të delegacionit të vëzhguesve afatshkurtër të vendosej jo ODIHR por Asambleja Parlamentare e NATO-s që drejtohej nga një deputet austriak: Ëolfgang Grosruck, një mik i vjetër i Partisë Demokratike.
Dhe në deklaratën finale të vëzhguesve ishte Grosruck që vendosi vulën.
Por me shpërthimin e krizës, Parlamenti Europian dërgon një mision special që drejtohej nga një sllovak i cili drejtonte Komitetin e PE-së për Ballkanin Perëndimor.
Quhej Eduard Kukan, ish-ministër i jashtëm i vendit të tij dhe një politikan i djathtë.
Kukan së bashku me socialistin austriak Hans Svoboda u bënë të përhershëm në Shqipëri ku vinin një herë në tre muaj.
Kukan, një politik i qetë dhe negociues kthehet në simbiozën e krizës shqiptare dhe tashmë është bërë veteran i saj. Nuk nxehet kurrë pasi e njeh mirë Shqipërinë dhe hilet e politikanëve tanë, ndaj mundohet t’u paraprijë.
Kur vjen në Tiranë, Kukan kurrë nuk kërkon ndihmë nga shteti për t’u akomoduar, por ka gjetur edhe vendet më të njohura për të, në një hotel ku e menaxhon një ish-emigrant shqiptar në Çeki; i njeh vendet më të qeta të Tiranës dhe takon shumë njerëz që të mos kontaminohet nga politika.
Kukan drejtoi negociatat për darkën e famshme te “Krokodili” dhe shprehu pakënaqësinë për mosarritjen e marrëveshjes.
Në krah të tij pati dhe një çek, Stefan Fylen, Komisionerin për Zgjerim në atë kohë, i cili nga pushteti i PD-së shihej si mbështetës i Ramës. Edhe Fyle nga ana e tij hoqi jo pak kaq duke bërë arbitrin mes palëve, e duke futur emrin e tij në historinë e ndërkombëtarëve të ndodhur mes kacafytjeve epike shqiptare.
Nuk ia harroi PD-së mungesën e fleksibilitetit, ndaj edhe sot ai i kërkon të njëjtat gjëra që dikur ia kërkonte PS-së: të lërë bojkotin e të futet në zgjedhje.
Duke e parë këtë situate, amerikanët vendosin veton dhe për herë të parë caktojnë një diplomat nga Departamenti i Shtetit në krye të misionit të ODIHR në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011, ku gara e Tiranës ndërmjet Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ishte më epikja.
Diplomati quhej Jonathan Stonestreet, një ekspert i vjetër zgjedhjesh dhe hartoi një raport tipik mjeshtëror.
Nuk bëri asnjë koment politik por vetëm teknik.
Dhe vulën e vendosi për vendimin e KQZ-së për të numëruar votat në kutinë e gabuar që bënë Bashën kryetar Bashkie.
“Vendimi i KQZ-së është ekstraligjor”, u tha në raportin e ODIHR-it që ishte edhe vula e rëndë që iu vu zgjedhjeve lokale të vitit 2011.
Dhe pikërisht duke parë problemet e 2011-s, amerikanët sollën një tjetër zyrtare të tyre në votimet e 2013-s.
Cony Mcormack, një eksperte veterane zgjedhjesh u emërua në krye të misionit të zgjedhjeve parlamentare që u mbyllën pa probleeme.
Dy vjet më pas në qershorin e 2015-s vjen sërish e famshmja Audry Glover, e cila drejtoi vëzhgimin në zonat e nxehta si Kavajë dhe Vorë dhe publikoi pëërr herë të parë dyshimin për blerjen e votave, që u rimor nga Lulzim Basha si një argument për kontestimin e zgjedhjeve.
Por krizat vijuan dhe kulmin e arriti në çështjen e Reformës në Drejtësi, ku në Tiranë erdhën emisarë të nivelit të lartë si zyrtarja e lartë e DASH, Victoria Nuland dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.
Tashmë, fabula e Ylljet Aliçkajt e jetësuar në romanin e tij ndodh përditë sa herë që mbyllet apo hapet një krizë politike.
Këtu ndërkombëtarët o janë të mirë o janë të këqinj, kurrë problemet nuk i shohim tek vetja. /tesheshi.com/