Platformat e rrjeteve sociale që janë shfaqur në kuadër të teknologjive të reja, të cilat janë konfigurime të reja të teknologjisë moderne dhe internetit, kanë bërë që debatet shoqërore dhe politike të marrin dimensione të reja. Fakti që rrjetet sociale ndikuan dukshëm në lëvizjet revolucionare/kundërrevolucionare që filluan në dhjetor 2010 në Tunizi, e më vonë në Egjipt dhe Siri, rritën interesin në këtë fushë. Mënyrat e komunikimit me anë të internetit, efektet e të cilave u testuan në lëvizjet shoqërore, janë bërë tashmë pjesë e domosdoshme e jetës shoqërore dhe kanë ndikuar rrenjësiht në politikë.
Pas këtyre zhvillimeve, pritej që dalja e faqeve të internetit të gjeneratës së dytë dhe strukturës dinamike të Web 2.0 – faza e dytë e zhvillimit të internetit, e karakterizuar veçanërisht nga kalimi i faqeve web nga statike në faqe me përmbajtje dinamike apo përmbajtje të krijuara nga përdoruesit dhe nga rritja e rrjeteve sociale – do të forconte tendencën drejt demokratizimit. Format e reja të Web 2.0 si Facebook, Twitter dhe Skype, ku individi është efektiv dhe ku pranohet se reciprociteti është i mundur, i forcuan këto argumente. Në kontrast me pjesëmarrjen e kufizuar dhe të mbikëqyrur në mediat tradicionale, media dixhitale u mundëson individëve të shprehen në mënyrë të pakontrolluar dhe të sigurojnë një mjedis relativisht të lirë. Si rezultat i evolucionit të uebit që u shoqërua me rritjen e rrjeteve sociale në internet, bindja se këto rrjete krijojnë një mjedis më të lirë dhe më të barabartë është bërë i përhapur.
Megjithëse teknologjitë e reja të medias kontribuojnë në procesin e demokratizimit në kontekste të caktuara, ato mund të përdoren gjithashtu si mjet për të konsoliduar fuqinë e regjimeve autoritare. Ka diskutime të ndryshme në literaturë në lidhje me ndikimin e teknologjive të internetit dhe rrjeteve sociale në proceset në vendet demokratike dhe jo-demokratike. Brenda kontekstit të këtyre debateve, ka qasje optimiste që afirmojnë rolin e mediave sociale në demokraci, dhe ato që kanë një këndvështrim më skeptik. Qasjet optimiste sugjerojnë se teknologjitë e komunikimit kanë efekte pozitive në demokratizimin dhe kulturën pjesëmarrëse, ndërsa qasjet skeptike tërheqin vëmendjen ndaj përdorimit të këtyre teknologjive në shërbim të autoritarizmit, radikalizimit, manipulimit dhe mbikëqyrjes. Pyetja nëse rrjetet e mediave sociale ndikojnë në elektorat gjatë kohës së zgjedhjeve dhe nëse ato janë bërë kërcënim për demokracinë do të trajtohet në këtë artikull nga një perspektivë skeptike.
Besimi se risitë e prezantuara nga teknologjitë e internetit do të kontribonin në proceset demokratike dhe do të mbështesnin demokratizimin është shfaqur në literaturë si një qasje dominuese. Është argumentuar se me këto teknologji të reja, pengesat me të cilat përballen shoqëritë më liberale dhe libertare do të hiqen dhe do të mbizotëronte parimi i transparencës. Besohej se teknologjitë e Internetit, të para si një mjet i transformimit dhe ndryshimit, mund të siguronin shoqërive mundësi për më shumë autonomi dhe demokracisë në shekullin e 21-të.
Parashikohej se për shkak të lidhjes më të madhe sociale, votuesit në mbarë botën do të bashkoheshin me votuesit e tjerë në vende të ndryshme për të formuar një entitet politik global, i cili nuk kishte ekzistuar kurrë më parë, dhe për këtë arsye interneti do të përdorej në mënyrë më efektive. Argumentet që dallohen brenda qasjes optimiste përfshijnë ato që pretendojnë se mediat e reja dhe rrjetet sociale do të rrisnin ndërgjegjësimin në shoqëri dhe do të kontribuonin në proceset demokratike duke lehtësuar organizimin e aktiviteteve. Nga ana tjetër, teoricienët më skeptikë dhe kritikë kanë argumentuar se aktorët shtetërorë dhe jo shtetërorë i përdorin mediat sociale si mjete për të manipuluar jetën shoqërore dhe politike dhe prandaj mediat sociale përbëjnë një kërcënim për demokracinë. Shembujt që mbështesin këtë argument përfshijnë ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të SHBA në 2016 përmes rrjeteve sociale dhe përdorimin e mjeteve të reja të medias në Rusi dhe Kinë me qëllim forcimin e autoritetit të tyre.
Është e mundur të ndahet ndikimi që kanë rrjetet sociale në jetën socio-politike në dy periudha përmes studimeve të rasteve me rëndësi kritike. Ndërkohë që në periudhën e parë interneti u përdor si platformë për të shprehur pakënaqësinë ndaj regjimeve ekzistuese (për shembull Zapatista, Lëvizja e Gjelbër e Iranit, Pranvera Arabe dhe lëvizjet Occupy), në fazën e dytë interneti u përdor si platformë për manipulim, dhe për rrjedhojë, si mjet që kërcënon demokracinë.
Sipas një studimi të kryer në vitin 2008, përhapja e teknologjive të informacionit dhe komunikimit në Bahrein, Iran, Jordani, Kuvajt, Liban, Oman, Katar, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ka pasur një efekt pozitiv në nxitjen e demokracisë dhe lirisë. Përveç kësaj, është konstatuar se ka pasur një efekt pozitiv në mbylljen e boshllëqeve dixhitale në rajon.
Kur merren parasysh ngjarjet në të cilat media sociale ka qenë efektive në aspektin e ndikimit socio-politik, të vërejtura si vala pioniere e lëvizjeve sociale, dihet mirë se teknologjitë e internetit janë përdorur në lëvizjen Zapatista. Duke adoptuar modelin e organizimit të rrjetit horizontal, interneti ishte një mjet efektiv për të mundësuar përhapjen e lëvizjes përtej Meksikës. Në mënyrë të ngjashme, Pranvera Arabe dhe protestat e Wall Street-it që u shfaqen si përgjigje ndaj problemeve ekonomike neoliberale janë gjithashtu shembuj të përdorimit efektiv të rrjeteve sociale.
Me ndryshimet sociale që erdhën me aksesin e lehtë në teknologjitë e informacionit, mendohej se regjimet demokratike do të zëvendësonin regjimet autoritare. Ndër regjimet demokratike, ekzistonte një supozim se zgjidhjet e problemeve që dalin nga bllokimi i kanaleve demokratike do të çonin drejtpërdrejt në zëvendësimin e demokracisë përfaqësuese nga demokracia pjesëmarrëse. Megjithatë, duke qenë se numri i përdoruesve të mediave sociale në mbarë botën ka arritur në miliarda, interneti dhe mediat sociale po përdoren gjithashtu në duart e aktorëve politikë dhe socialë për të kërcënuar hapësirën demokratike. Në fakt, shembuj të tillë si zgjedhjet presidenciale në SHBA të vitit 2016 (skandali i Cambridge Analytica), zgjedhjet në Francë dhe Turqi, Brexit dhe referendume të tjera ilustrojnë se manipulimet dhe ndërhyrjet e tjera antidemokratike janë përdorur me anë të internetit. Instrumentalizimi i mediave sociale nuk kufizohet vetëm në ndërhyrjet në vendet demokratike. Në vende të tilla si Rusia dhe Kina, të cilat mund të përshkruhen si sisteme të “autoritarizmit të rrjetëzuar”, rrjetet sociale përdoren për monitorimin dhe mbikëqyrjen e shoqërisë. Për më tepër, jeta politike dhe sociale kontrollohet me ndihmën e teknologjive të internetit. /tesheshi.com/
*Kjo është pjesë e shkëputur nga eseja me titull: “Social Media and Fake News in the Post-Truth Era: The Manipulation of Politics in the Election Process” me autorë: Turgay YERLİKAYA dhe Seca Toker ASLAN, Insight Turkey, publikuar nga Fondacioni SETA.