Nga Blendi Gashi
Problemi i rriqrave është një shqetësim i përvitshëm për banorët e Komunës së Malishevës.
Ndërsa, të gjithë qytetarët e Kosovës mund t’i gëzohen ardhjes së stinës së pranverës dhe verës, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për malishevasit, të cilët nuk mund të rrinë të qetë as në oborret e tyre.
Arsyeja është se ata mund të pickohen nga rriqrat që janë të shumë në këtë fshatrat e kësaj komune.
Kuvendi komunal i Malishevës ka kohë që ka filluar marrjen e masave të nevojshme për të parandaluar infektimin e qytetarëve nga rriqrat.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha, në një bisedë për portalin mbarëkombëtarë tesheshi.com ka thënë se deri më tani janë evidentuar 99 raste të pickimit të rriqrave në fshatrat e Malishevës.
Megjithatë, ai thotë se nuk ka vend për alarm sepse komuna në vazhdimësi është në teren dhe po punon për të eliminuar rriqrat, pasi muajt në vijim mund të jenë më të rrezikshëm.
“Edhe këtë vit si vitet e tjera jemi mobilizuar bukur mirë dhe arsye për panik nuk ka, së paku deri më tani pasi jemi duke e monitoruar situatën, e cila për momentin është e qetë. Kemi filluar me aktivitetin e repelimit të kafshëve, aktivitet i cili është i paraparë me Planin Strategjik për Parandalimin dhe Luftimin e EHKK. Kemi filluar edhe dezinfektimin e fshatrave endemike. Deri më tani janë dezinfektuar fshatrat, Carrallukë, Shkarashinik, Lladrovc, Senik, në dy ditët e ardhshme do të dezinfektohet fshati Banjë, dhe më pas do të vazhdohet me fshatrat tjera”, ka thënë Berisha, për tesheshi.com.
I pyetur se cili është fshati më i rreikuar në këtë komunë, Berisha ka deklaruar se numri më i madh i pickimeve deri me tani ka ardhur nga fshati Carrallukë.
Drejtori Berisha thotë se për të vetëdijësuar qytetarët e kësaj komune, në vazhdimësi personeli shëndetësor i Qendrës Klinike të Mjekësisë Familjare po organizon në vazhdimësi ligjërata në të gjitha shkollat fillore të mesme të ulëta dhe në gjimnazet e Komunës së Malishevës, në bashkëpunim me Institutin Kombëtarë të Shëndetësisë Publike dhe Institutin Rajonal të Prizrenit.
Për të luftuar këtë sëmundje, Berisha thotë se Komuna e Malishevës merr përkrahje edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministrisë e Bujqësisë, të cilët përmes Këshillit Ndërministror për Parandalimin dhe Luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo, kanë ndihmuar dhe janë të involvuar në këtë proces.
Për t’iu dalë në ndihmë të gjithë malishevasve, drejtori i shëndetësisë në këtë komunë thotë se stafi në QKMF-në e Malishevës është i përgatitur mirë në këtë drejtim dhe shumë shpejtë do ta ngrejmë nivelin e gatishmërisë në nivel më të lartë, pasi muajt në vijim mund të jenë më të rrezikshëm sa i përket EHKK.
Ndryshe, që nga paslufta në Malishevë vdiqën 18 persona nga virusi i etheve hemorragjike. Ndërsa viti më dramatik ishte 2013, kur nga 17 persona të infektuar, 6 prej tyre vdiqën. Fatmirësisht vitin e kaluar asnjë person nuk ndërroj jetë nga kjo sëmundje edhe pse qindra persona u pickuan nga rriqrat. /tesheshi.com/