Gjikë Çako është vëllai i gjeneralit të pushkatuar në vitin ’75 me grupin e ashtuquajtur “puçistët e Ushtrisë”.
Është 90 vjeç dhe jeton në truallin e të parëve, në fshatin Progonat të Kurveleshit. Ka kaluar aty fëmijërinë; është bërë baba, gjysh, madje dhe stërgjysh dhe po aty, siç thotë, ka menduar edhe strehën e përjetshme.
Mënyra si e ka ndjekur në këtë distancë shkëlqimin dhe rënien e të vëllait, është sa e veçantë, aq edhe dramatike. Kur Hito shkëlqente në krye të Ushtrisë dhe mes zyrtarëve të lartë të Partisë, thotë ai, patjetër që ndjehesha mirë, madje edhe diçka fitoja, aq sa mund të fitoja në kushtet e fshatit, por e gjitha kjo ishte fare pak, për mos të thënë asgjë, përpara gjëmës që na zuri kur e futën në burg dhe e pushkatuan për tradhti.
Në fakt, historia e Hito Çakos, si dhe ajo e Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes, ndahet në dy kapituj katërcipërisht të kundërt me njëri-tjetrin, që kanë prodhuar reciprokisht privilegje nga regjimi për besnikëri të lartë ndaj Partisë dhe tragjedi fatale për tradhti e komplot kundër saj dhe shtetit të diktaturës së proletariatit.
Gjikë Çako për herë të parë rrëfen për “Panoramën” përjetimet e trishta dhe gjurmët e pashlyeshme që ka lënë tek ai dhe njerëzit e tij të afërt ajo çfarë ndodhi me jetën të vëllait të anatemuar nga kreu i Partisë dhe regjimit për tradhti të lartë ndaj Atdheut për të cilin kishte shërbyer me besnikëri dhe përkushtim, kjo edhe në emër të idealit të dy vëllezërve dëshmorë…
Zoti Gjikë, ju jeni vëllai i Hito Çakos, gjeneralit të dënuar me vdekje si pjesëtar i të ashtuquajturit grupi puçist në Ushtri, që asokohe jetonit në Progonat. Si u njohët me lajmin për dënimin e tij?
Dënimi i Hito Çakos dhe gjeneralëve të tjerë nuk u bë i menjëhershëm, por në disa faza. Pati disa mbledhje Partie, duke filluar nga Byroja Politike, Plenumi i Komitetit Qendror, Sekretariati etj., ku u shqyrtua çështja e tyre. Ato pikërisht ato përpunuan edhe aktakuzën që i mori në qafë. E gjitha kjo, deri në çastet finale, ndodhi larg syrit të njerëzve. Pra, edhe larg syve tanë, vëllezërve dhe motrave të Hitos dhe gjeneralëve të tjerë. Ca më tepër në rastin tim, që isha larg, në një zonë të izoluar, siç ishte atëherë Progonati.
Si e kujtoni momentin e parë kur morët vesh për dënimin e vëllait tuaj, që deri në atë kohë ishte pjesë e lidershipit të lartë politik dhe ushtarak të regjimit komunist?
Për herë të parë e mora vesh se diçka nuk shkonte mirë me fatin e tij, kur u njoha me materialet e Plenumit të Komitetit Qendror të korrikut të vitit ’74. Pavarësisht se aty nuk përmendej emri i Hito Çakos, por vetëm ai i Beqir Ballukut, përsëri mendja më shkoi për keq. Se Beqiri me Hiton deri në atë kohë ishin prej vitesh pjesë e së njëjtës përgjegjësi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Nëse kishte shkelur në dërrasë të kalbur njëri, nuk mund të mbetej pa u lagur edhe tjetri.
Pra, e keni parandier?
Parandjenja e parë, siç të tregova, lidhet me dokumentet e Plenumit të korrikut ’74. Në atë kohë unë isha anëtar Partie. Sa herë udhëheqja lart merrte vendime të tilla të rëndësishme, qysh të nesërmen i dërgonte poshtë në organizatat e Partisë. Në rastin konkret, në organizatën e fshatit tonë, për t’u njohur me to, erdhi një i deleguar nga Komiteti i Partisë së Tepelenës. Ai na i lexoi fjalë për fjalë materialet e Plenumit, që flisnin për një çështje shumë serioze. Për të gjithë ne, që e ndiqnim politikën nga larg, ajo që dëgjonim ishte shumë tronditëse. Lajmi befasues se së fundi Partia kishte zbuluar një grup të rrezikshëm armiqësor në krye të Ushtrisë vinte si bombë në veshët tanë. Po më tepër në veshët e mi. Se në krye të Ushtrisë, aty ku kishte dalë grupi armiqësor, ishte dhe Hito. Të shkonte dhe ai pas berrihait, të tradhtonte idealin e tij? Çdo gjë mund ta besoja, por që ai të arrinte deri aty, nuk më kishte shkuar kurrë në mendje. Kur dola atë ditë nga mbledhja, s’më bënin këmbët të shkoja në shtëpi. Më dukej sikur më kishte rënë mali i Këndervicës mbi supe.
Biseduat atë natë me familjarët për çfarë dëgjuat në mbledhje?
As që bëhej fjalë ta zija në gojë këto çështje në familje. Ato ishin mbledhje Partie, të karakterit sekret, siç i quanim atëherë, dhe çdo gjë aty ishte vetëm për ne komunistët. Masa tjetër njihej me to më pas, me forma të tjera informuese. Nejse, ç’ta zgjas. Nuk vura gjumë në sy fare atë natë. Pa u zbardhur mirë, dola në rrugë dhe u nisa për në Tiranë. Prisja me padurim të shihesha sy më sy me Hiton. Të dëgjoja nga goja e tij çfarë kishte ngjarë. Të mësoja të vërtetën për akuzën e rëndë që u bënte Partia atij dhe shokëve të tij.
E takuat atë ditë Hiton? Çfarë u tregoi për akuzat e Plenumit në adresë të udhëheqjes së Ministrisë?
Atë ditë nuk shkova në Tiranë, se më ktheu nga rruga kunati që punonte në Degën e Brendshme të Tepelenës. U takova me të atë mëngjes në qytet dhe, i shqetë- suar siç isha, i kërkova të më gjente ndonjë mjet për në Tiranë. Ai më zuri për dore dhe aty për aty më ktheu te një kafe afër agjencisë së udhëtarëve. “I punuat materialet e Plenumit, hapi ai bisedën me zë të ulët. i punuam, i thashë, duke e vështruar në sy. i punuam edhe ne, po punët s’janë mirë, shtoi ai duke hedhur fjalën te Hito. Kjo duket sheshit, i thashë, prandaj jam nisur për në Tiranë, të takohemi njëherë e të sqarohemi nga afër. Mirë e ke më tha, por nuk bën të shkosh, se gjërat janë akoma në rrokullimë. S’dihet si shkojë punët. Prandaj ktheu, ktheu, e hajde të mendojmë si të bëjmë më të mirën në këto kushte.
U kthyet atë natë në Progonat…
Atë natë qëndrova në Tepelenë. U llafosëm gjerë e gjatë me kunatin deri në të gdhirë. Më në fund ramë dakord të çonim në Tiranë motrën, duke menduar që vizita e saj s’binte shumë në sy. Prej andej ajo mund të na sillte ndonjë haber të saktë. E pleqëruam kështu dhe të nesërmen e nisëm. E nisëm si qëmoti ilegalët.
Çfarë i kishte treguar motrës Hito për akuzat e Plenumit?
I kishte thënë se bëhej fjalë për çështje serioze, për të cilat Partia do të shprehej imtësisht. Për gabime të rënda në kokën e Ushtrisë, por që ai nuk kishte gisht në to. Sidoqoftë, gabime mund të kem bërë edhe unë, i kishte treguar, por në asnjë rast nuk e kam tradhtuar Partinë. Në fund e kishte porositur që mos t’ua vinim veshin fjalëve që do dëgjonim, por të mos lëviznim nga vija e Partisë.
Pak a shumë me këto fjalë ishte ndarë motra me Hiton. E dëgjonim sy e vesh tregimin e saj dhe mundoheshim të kuptonim diçka më tepër për fatin e vëllait tonë. Me aq sa na përcolli motra, s’merrej vesh nëse kishte apo jo gisht Hito në çorbën e sterrosur që godiste Enveri dhe Partia në Plenumin e korrikut. Me një fjalë, mbetëm prapë në ethe dhe me veshët ngrehur. Na mbeti syri nga televizori, duke ndjekur gjithë ankth plenumet e radhës. Ishim mësuar prej kohësh që lajmet e bujshme, ato më të tmerrshmet, i merrnim vesh prej andej.
Pra, deri te Plenumi i dhjetorit kur u dënua Hitua ju nuk u takuat me të?
Për herë të fundit jam takuar me të disa javë para Plenumit të dhjetorit. Atë takim e kam në sy, sikur të ketë ndodhur dje. Ishim të ftuar në dasmën e një nipit tonë në Fier. E dija se do të vinte aty dhe Hito, pasi ka qenë shumë i rregullt në këto sebepe. Unë e di si e kam pritur atë ditë. Mendoja se do të ishte rast i mirë për t’u marrë vesh nga afër. Po gjërat s’shkuan ashtu si i kisha silloisur. Hito erdhi diku afër fundit të dasmës dhe qëndroi fare pak. S’më kujtohen fjalët si e justifikoi vonesën dhe as nxitimin për të ikur shpejt, por mbaj mend që kur doli jashtë, i shkova pas dhe diku në një qoshe e pyeta gjithë kureshtje ç’po ndodhet me të. E vërteta është se dukej i sikletosur dhe fjalët e mia e rëndonin dhe më shumë. Sidoqoftë, dhe me aq sa fliste, unë arrita të kuptoj ndonjë gjë për atë që pritej të ndodhte. Por gjithnjë si nëpër tym.
Ky ishte takimi i fundit me Hiton para pushkatimit. Ju kujtohet çfarë ju ka treguar?
-Dëgjo Gjikë, më tha, duke më hedhur dorën mbi supe. -Unë të kuptoj ku e ke llafin, por mos u bëj merak. Ti e di mirë se çfarë vëllai ke. Apo s’e di nga më rreh zemra. Të shkon mendja ty se mund të shkel unë mbi gjakun e vëllezërve dëshmorë? Apo mbi lotët e mëmës për ta? Prandaj rri i qetë. Mos ki qeder! -më qetësoi dhe akoma pa u ndarë, si qëndroi një copë herë pa folur, u kthye nga unë, këtë herë me tjetër çehre. -Do të dëgjoni edhe llafe. Do të flitet tej e këtej për grupe e armiq.
Do të ketë batare e plumba. Dreqi e di kë do të zënë. Është gjëmë e madhe kjo, Gjikë vëllai. Ku i dihet fundi. -Më fol më shkoqur, i thashë. Ke gisht ti në atë punë? -Shkoqur, o derëzi, po të flas. Janë kohë të vështira këto. Kohë për kurban, thoshin pleqtë e qëmotit. Mjerë kush e ka për risk t’i bjerë lapsi. Po shyqyr që s’rron mëma thuaj, e s’do të shoh kë do të fshijë ky murrlan. -Pa dale, dale, ç’më thua?, i dola një çast para. -Ç’të të them tjetër, o derëbardhë, u shpreh ai dhe pasi më përqafoi, u largua me hapa të çrregullt si të kishte pirë raki me gotë uji.
Nga ky moment, ju nuk jeni takuar më me Hiton?
As bëhej fjalë për takime të tjera. Çdo gjë për fatin e tij e merrnim vesh nga televizori, si gjithë të tjerët. Edhe kur e pushkatuan, nga televizori e morët vesh? Nga ta merrnim tjetër. Kush mund të na lajmëronte ndryshe. Ishin kohë të rënda ato. Regjimi na kishte damkosur si delen e zezë. A mund ta besojnë sot që dhe për një gjëmë të tillë, ishte e ndaluar të pyesje përtej atyre që thoshte Partia në televizor. Po e keqja s’mbaronte këtu. Regjimi të ndalonte ta qaje vëllain tënd. Po, po, ndryshe vinte operativi dhe të mbërthente me zinxhirë pse nuk të kishte gëzuar lajmi që Partia e kishte hequr qafe njeriun tënd, të shpallur prej saj armik e tradhtar.
Pse, nuk hapët mort në shtëpi kur morët vesh se Hiton e kishin pushkatuar?
Mort jo e jo, as që bëhej llaf, por s’duhej veshur as me të zeza, sipas zakonit të zonës sonë në të tilla vaki. Ne e dimë si e kemi kaluar atë tmerr. E para gjë që më erdhi ndër mend sa mora lajmin e zi, ishte llafi që më tha Hito kur u ndamë për herë të fundit në Fier. Nuk e di në isha në vete apo jo ato çaste, por më kujtohet që ecja si i goditur nëpër shtëpi dhe murmurisja me vete fjalët e tij: Shyqyr që s’rron mëma thuaj e s’do shohë kë do të fshijë ky murrlan.
Murrlani këtë radhë kishte përfshirë edhe atë. Si mund të duronte mëmëgjora. Ajo kishte lotuar dy djem deri atëherë, njërin të vrarë në luftë dhe tjetrin që kishte rënë në krye të detyrës pas çlirimit. Kjo e Hitos tani ishte tjetër mortje. E supet e saj s’mund ta mbanin, prandaj me sa duket kishte ikur vetë më pare. Sikur ta kishte parandjere. E ç’të të them për atë histori të rëndë. Duhet një natë dimri të tregoj ç’kemi hequr…
Gjenerali nga Kurveleshi, që u përplas me Enver Hoxhën
Dy janë momentet më të rëndësishme në jetëshkrimin e Hito Çakos: Shkëlqimi në radhët e komanduesve në vitet e luftës dhe karriera e shkëlqyer ndër shtatmadhorët e Ushtrisë të regjimit komunist. Ish- partizani i thjeshtë, që disa ditë pas kongresit të Përmetit mori detyrën e Komisarit të Brigadës së Pestë, njihet ndër të tjera për suksesin e luftimeve për çlirimin e Lurës dhe qytetit të Prizrenit.
I suksesshëm sakaq është vlerësuar kontributi i tij në detyrën e Komandantit të Divizionit të Parë, të cilën e ushtroi deri në gusht të vitit 1945, për të vijuar më tej në detyra të tjera të rëndë- sishme. Hito Çako është i vetmi nga gjeneralët shqiptarë që ka kryer tri akademi nga më prestigjiozet e kohës. (Akademinë “Frunze” e “Voroshillov” në Moskë dhe Akademinë Detare në Leningrad). Në gusht 1960, pas arrestimit të Teme Sejkos, u emërua në krye të FLD me urdhër të Enver Hoxhës, si dorë e fortë për të menaxhuar situatën kritike që po kalonin marrëdhëniet me BS dhe konfliktin e nisur në Bazën e Pashalimanit.
Pas tri viteve në këtë detyrë, në janar të vitit 1952, Çako mori gradën e gjeneralit dhe titullin e lartë “Hero i Popullit”. Që këtej kreu detyrën drejtor i Drejtorisë Politike dhe zëvendësministër i Mbrojtjes. Më 10 tetor 1974, në mbledhjen e Byrosë Politike, ku u dënua “veprimtaria armiqësore” e Beqir Ballukut, u përjashtua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, i akuzuar si pjesë e grupit antiparti, që hartoi “Tezat e zeza” dhe “Teorinë e rrëshqitjes”.
Në Plenumin e 6-të të KQPPSH (16 dhjetor ’74-17 dhjetor ’74), u arrestua në sallën e mbledhjes bashkë me Petrit Dumen dhe Rahman Perllakun, si armik i Partisë dhe i popullit, akuzë të cilën e kundërshtoi haptas, duke iu drejtuar Enver Hoxhës se armiqtë mund t’i kesh aty pranë vetes. Në mesnatën e 5 dhjetorit 1975, Hito Çako bashkë me Beqir Ballukun dhe Petrit Dumen u pushkatuan në zonën e Lincës. Më urdhër të Kadri Hazbiut, trupat e tyre u transportuan fshehtas dhe u varrosën në Vranisht të Vlorës. Eshtrat e tyre u gjetën në korrik të vitit 2000, në një varr të përbashkët. /tesheshi.com/