Të rinjtë që do të udhëhiqnin të majtën e re shqiptare, nuk do të asistoheshin më nga një serb si Miladin Popoviçi i vitit 1944, i cili ndihmonte të riun komunist Enver Hoxha, për të hedhur themelet e diktaturës. Në fillim të viteve ’90 ishin kosovarët që e ndikuan politikën e re shqiptare postkomuniste.
Një ndër ta është kosovari Haki Morina, i riu nga Klina që u bë aktiv në zhvillimet e para të FRESSH në vitet 1991-1992. Është detaj mjaft interesant që ndërthuret me fillimet politike të Ilir Metës. Ishte detyruar të largohej nga Kosova për të shmangur burgosjen nga policia serbe. Kishte mbërritur në Shqipëri përmes maleve të thepisura të Tropojës! Ishte një ndër të rinjtë kosovar të aktivizuar në lëvizjet politike në Kosovë.
Kishte simpatizuar Marksin e Enverin por kur erdhi në Shqipëri, i kishte hedhur tutje për të përqafuar idetë socialdemokrate. U ndodh në Shqipërinë e vitit 1990 dhe ëndrra e tij ishte të bashkonte idealet kombëtare me ato socialdemokrate. Kjo ëndërr e Hakiut gjeti “konak” në selinë e rëndë të ish-KQ të PPSH.
“Pas ardhjes në Shqipëri, u drejtova në zyrat e PS-së së sapokrijuar, ku kërkova mbështetjen e kësaj partie, për të formuar një mekanizëm rinor, prosocialist! Natyrisht, që unë zotëroja, njohje bazë të teknikës organizative, për shkak të veprimtarisë së mëparshme politike në Kosovë”. Atje pikasi si të ndryshëm ndër të tjerë, Ilir Metën.
Intervista e plotë dhënë gazetares Luljeta Progni, Revista Mapo
Një kosovar ideator i themelimit të FRESSH është kaq interesante… dhe një kosovar që rekruton të rinj socialistë në fillimet e demokracisë gjithashtu një detaj kaq i veçantë, për të cilin do të donin padyshim të mësonin më shumë lexuesit tonë… A mund të na sillni në kujtesë disa detaje të atyre viteve kur ngjarjet ishin të vrullshme?
Që në fëmijëri kam qenë i pasionuar pas leximit të gazetave! Këtu kam krijuar njohjet e mia të përgjithshme, e në veçanti, ato për politikën. Ky interesim i imi u shtua pas ngjarjeve të mëdha të vitit 1981, pjesmarrës aktiv i të cilave isha vet. Kjo pati si pasojë burgosjen time të disahershme dhe dënimin prej 7 vjetësh me burg të rëndë jugosllav.
Pas 10 vitesh, në vitin 1991, i detyruar përsëri t’i shmangem burgosjes nga policia serbe, u arratisa për në Shqipëri, përmes maleve të thepisura të Tropojës.
Kjo përvojë dhe interesimi im për të majtën evropiane më dha mundësinë, që menjëherë pas ardhjes në Shqiperi, të drejtohesha në zyrat e PS, së sapokrijuar, ku kërkova mbështetjen e kësaj partie, për të formuar një mekanizem rinor, prosocialist. Natyrisht që unë zotëroja njohje bazë të teknikës organizative, për shkak të veprimtarisë së mëparshme politike në Kosovë.
Ilir Meta është një ndër të rinjtë që ju rekrutuat për t’iu bashkuar nismës tuaj për themelimin e FRESSH. Padyshim që ju keni kontaktuar disa dhe mes tyre zgjodhët ata që tashmë kanë hyrë në histori se themelues të FRESSH. Çfarë ju intrigoi tek Ilir Meta atë kohë… çfarë ju dha shpresë se ai do të ishte politikani i së ardhmes së afërt?
Rekrutimi, ndoshta nuk është fjala më e përshtatshme për të shpjeguar angazhimin e të rinjve eurosocialist në organizatën e rinise Eurosocialiste të Shqipërisë. Komunikimi im me Ilirin ka qenë i përbashkët me njerin nga politikanët e PS, d.m.th me Musa Ulqinin.
Tek Ilir Meta më intrigoi më së shumti qetësia e tij në komunikim. Pastaj potenciali intelektual dhe ekuilibri në vlerësimin e situatave politike, që po kalonte atëherë Shqipëria. Natyrisht, edhe fakti që ai ishte njeri nga përfaqësuesit e zgjedhur nga rinia studentore, në kërkesat politike që u shtruan gjatë procesit të përmbysjes së diktaturës.
Çfarë e dallonte Ilir Metën ndër të tjerë të rinj të asaj kohe?
E thashë edhe më lart. Këta ishin djem të rinj, me ideale për një Shqipëri demokratike, por nuk kishin asnjë përvojë politike, që mund t’i bënte aq ekspeditiv në themelimin e një organizatë të madhe rinore. Në këto rrethana, mund të them lirisht se, si rrallëkush, atë e karakterizonte qetësia mahnitëse dhe mendimi i gdhendur politik, pa asnjë lloj ekstremizmi, në raport me ashpërsinë e madhe politike, që e sundonte në atë kohë shoqërine shqiptare. Dhe me e bukura ishte se kjo maturi e tij kombinohej plotësisht me guximin dhe energjine e pashtershme rinore.
Por ajo çka e veçonte më së shumti, ishte fakti se kërkonte vazhdimisht përvojën time politike dhe rekomandimet, i vlerësonte dhe analizonte seriozisht, gjë që kjo, nuk ndodhte me tjerët.
Dua të them se Ilir Meta, nuk ishte rast i shpeshtë në atë kohe.
A kishte xhelozi asokohe ndërmjet të rinjve të FRESSH, e kam fjalën për Metën, Majkon, Ilir Zelën, Arjan Kokoshin e të tjerë… dhe a ishte Ilir Meta qendër e “zilisë” sidomos kur nisi të shfaqej aktiv në parlament?
Konkurrenca, si në çdo sferë të jetës, edhe në politikë është gjë e natyrshme. Rëndësi kishte që kjo konkurrencë nuk u bë pengesë për suksesin e kesaj organizat. Fakt është se Ilir Meta pati sukses në organizimin e degës së Tiranës, dhe në fillim të angazhimit të tij parlamentar, u bë figura kryesore e eurosocialistëve në parlamentin shqiptar.
Ju besoj e keni ndjekur karrierën e tij politike në vazhdimësi, ai spikati në parlament si deputet mjaft aktiv edhe pse ishte veçse 22 vjeç, është koha kur mazhoranca e djathtë i hoqi imunitetin për shkak të ngjarjes së Poliçanit. Ishte një ngjarje që në të vërtetë nuk e dëmtoi aspak Ilir Metën veçse e rriti atë politikisht duke çuar në përmasat e një politikani qysh në atë moshë….Ishte një rrugë për të promovuar elitën e re politike ku padyshim do të ishte edhe Ilir Meta?
Pyetja juaj, mbërthen në vete, gati gjithë përgjigjen time. Ilir Meta mori forcë nga elektorati prej të cilit ishte zgjedhur, dhe nuk u dorëzua për asnjë moment, në përpjekjen e tij të madhe, për të dërguar vendosmërisht zërin e popullit në vend. Kjo e bëri Ilirin figurë të njohur në gjithë Shqipërinë edhe jashtë saj.
Prej asaj kohe rrodhën shumë ngjarje dhe për çudi në të gjitha këto zhvillime të ethshme politike në Shqipërinë e këtyre 27 viteve, Ilir Meta gjendet kudo si protagonist… Çfarë e bëri kaq të suksesshëm Ilir Metën sipas jush?
Ilir Meta, megjithëse shumë i ri, ishte ndoshta personaliteti më i kompletuar nga të gjithë në fillimtarët. Ai në politikë, nuk bazohej në një faktor apo dy. Ishte tip që analizonte gjithe faktoret relevant, para se të ndërmerrte veprime politike. E para së gjithash, ai kishte durimin elegant për ta arritur objektivin, të cilin ia kishte vënë vetes përpara, dinte ta kombinonte bukur, pragmatizmin me idealizmin, dhe pikërisht kjo, e bëri njerin nga politikanët më të suksesshem të Shqipërisë postkomuniste.
Në se do të duhet ta përcaktonit me pak fjalë karrierën politike të Ilir Metës dhe personalitetin e tij, cilat do të ishin ato fjalë?
Karriera politike e Ilir Metës është karriere e rëndë, e realizuar në rrethana të vështira politike dhe ekonomike, në rrethana të humbjes se referencave morale, ku e mira dhe e keqja, asnjëherë nuk ishin me të “vëllazëruara”, të mos them se e keqja veç kishte kapluar çdo pore të jetës shqiptare dhe e mira kishte rënë në pozita aq defensive, sa nganjëherë dukej sikur kishte vdekur tërësisht.
Të marrësh përsipër përgjegjësi në këto rrethana, duhej guxim i madh dhe mjeshtëri e rrallë, në mënyrë që të kaloje sfidat, që në pamje të parë, dukeshin të pamundura për t’u kapërcyer. Pavarësisht nga kjo, Ilir Meta, mund të themi pa asnjë hezitim, se shkëlqeu në horizontin shqiptar dhe kontributi i tij, padiskutim, është kontribut historik. /tesheshi.com/