Ditët e fundit në fshatrat e rajonit të Karadakut, rajon ky më i afërt me vendkalimin e pikës kufitare të Tabanovcës është shtuar dukshëm prezenca e forcave policore. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski është e domosdoshme rritja e sigurisë në këtë rajon për shkak të valës së madhe të refugjatëve, dhe parandalimin e kalimeve ilegale si dhe trafikimin e tyre. Mirëpo çfarë në të vërtetë po ndodh me refugjatët dhe cilat janë problemet që ballafaqohen ata për momentin? Portali tesheshi.com ka kontaktuar për një intervistë themeluesen dhe kryetaren e organizatës joqeveritare “Legis”për ndihmë të refugjatëve, zonjën Mersiha Smailoviq. Ajo është kthyer në një njeri të dashur sidomos për gratë, fëmijët e të moshuarit, në këto ditë që të gjithë kanë mbyllur dyert për sirianët.
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Dy ditët e fundit Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë e ka rritur numrin e forcave policore në disa nga fshatrat e rajonit të Karadakut me arsyetimin se pritet një valë e madhe e refugjatëve sirianë. Çka nënkupton kjo?
Gjithmonë kur të mbyllen kufijtë, veçanërisht tani kur rruga Ballkanike edhe zyrtarisht është e mbyllur ndërsa refugjatëve u është ndaluar e drejta e tyre themelore humanitare, ajo e lirisë së qarkullimit, atëherë, futen të gjitha veprat tjera kriminale.Trafikimi, përdhunimi dhe kidnapimi i refugjatëve të pafajshëm dhe të pastrehë. Refugjatët janë të vendosur që të arrijnë deri në vendet e BE-së dhe nuk do të zgjedhin mjete dhe mënyra. Ndërsa trafikantët janë të pamëshirshëm, dhe këtë e shfrytëzojnë! Rajoni i Likovës me vite të tëra është i njohur për rrjetin e trafikantëve me emigrantët. Mirëpo, e dimë se aksionet e mëparshme policore nuk kanë arritur ta ndalojnë këtë. Njëri nga trafikantët më të mëdhenj, dhe poashtu kidnapuesi i refugjatëve, afganistanezi Ali Baba, me vite të tëra ushtron dhunë ndaj refugjatëve dhe i shfrytëzon vendimet johumane të BE-së, ku nëpërmjet kanaleve të trafikimit i nxjerr refugjatët, por më parë fizikisht i keqtrajton dhe u vjedh paratë.
E përshëndesim mbikëqyrjen e policisë, por sa më shumë policë të ketë në atë rajon, të njëjtit janë të pamjaftueshëm pranë trafikantëve.
Cili është problemi momental i refugjatëve në Maqedoni?
Refugjatët në Maqedoni por edhe në rrugën Ballkanike, e kanë të njëjtin problem, mbylljen e kufijve. Maqedonija ka dy tranzit kampe, që nuk janë të përshtatshme për qëndrim afatgjatë. Veçanërisht në Tabanovc ku kemi më shumë se 1400 refugjatë që flejnë nëpër stole(karrige) druri. Por, gjithashtu me shpalljen e gjendjes së krizës, refugjatët janë mbyllur në kampet dhe nuk kanë drejtë të qarkullojnë jashtë saj. Kampet tona janë të mbyllura dhe janë nën mbikëqyrjen e madhe të forcave policore që krijon fotografi se bëhet fjalë për një lloj të burgut. Mirëpo nga ana tjetër prezenca e të gjitha organizatave joqeveritare, mundëson qasje humane dhe kënaqje të një pjese më të madhe të nevojave të refugjatëve, që nga ushqimi, veshja dhe deri te kontrolli mjekësor për 24 orë online. Por, megjithatë refugjatët nuk dëshirojnë të qëndrojnë në Maqedoni, por dëshirojnë të vazhdojnë përpara. Poashtu as Maqedonia nuk dëshiron dhe nuk mundet të mban 1400 refugjatë!
Para disa ditësh kishim dy refugjatë sirianë të cilët u vetdogjën si shenjë proteste në kufirin e Greqisë në Idomeni. A ka raste të tilla, apo të ngjashme si ato në vendkalimet kufitare të Maqedonisë?
Në Maqedoni kishim situata të “Idomenisë vogël”, ku 380 refugjatë me ditë kanë qëndruar në linjën kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë. Për çdo ditë kanë protestuar, me shpresë se Serbët do ti lëshojnë që të hyjnë. Në baltë deri në gjunjë, në temperatura minus, gra, fëmijë, foshnje dyjavëshe kanë qëndruar atje. Gjendja ishte e tmerrueshme për tu parë. Megjithatë kanë fituar kujdes të veçantë nga kampet në Maqedoni. Sot definitivisht, të gjithë janë kthyer në kampin e Tabanovcës. Dëshpërimi i tyre është i madh, ata janë të vetëdijshëm që shtetet e Ballkanit janë të varfëra, që nuk kanë asnjë lloj programi për socijalizim dhe integrim. Familjet e tyre janë në Evropën Perëndimore. E kanë rrezikuar jetën derisa me barka të gomës e kanë kaluar detin Egjej! Për ta ndalesa në kufij është “dënimi” më i madh.
Na tregoni se me çka kryesisht merret “Legis” si organizatë joqeveritare në raport me rrefugjatët?
“Legis” edhe pse ekziston nga viti 2009 dhe ka papsur disa aksione ndërkombëtare humanitare, ende mundohet që ta kthen dinjitetin e njerëzve. Refugjatëve i’u ndihmojmë që nga viti 2014. Kur ishin ilegalë, përveç ushqimit dhe veshjes që ua jepnim nëpër hekuranat e Maqedonisë, mundoheshim që të jemi zëri i tyre. Vazhdimisht kemi lobuar në vende të ndryshme për ndryshime të ligjit për Azil, që do iu mundësonte qëndrim legal dhe të drejtë të qarkullimit në Maqedoni. Dhe nga momenti që është ndërruar ligji, dhe u vendosën kampet , jemi aty për çdo ditë. Jemi të fokusuar për dorëzimin e ushqimit, veshjes, trajnimeve dhe punëve tjera që janë të nevojshme për refugjatët. Por, më e rëndësishme është që këtu jemi për ata, të flasim me ta, ti dëgjojmë tregimet e tyre dhe të njëjtat ti publikojmë.
Përveç “Legis” a ka dhe ndonjë organizatë tjetër joqeveritare që ndihon refugjatët, dhe cila është qasja e mediumeve në raportimin e gjendjes së refugjatëve?
Këtë e bëjnë edhe organizatat tjera, edhe pse fatkeqësisht, mediumet kohës fundit e japin vetëm deklaratën e kryetarit të shtetit Gjorgje Ivanov, që ka qëndrim jomiqësor ndaj çështjes së refugjatëve. Jemi kundër vendosjes së murit me tela shpuese që shtrihet edhe në territorin e Maqedonisë, meqë kjo thyen Konventën e Zhenevës për drejtat e refugjatëve. Veçanërisht është për keqardhje kur fjalor i urrejtjes dhe paragjykime, vijnë nga një shtet si Maqedonia që nuk është anëtar i BE-së, dhe në të cilën refugjatët nuk dëshirojnë të qëndrojnë. Aspak nuk shohim hapësirë për frikë dhe urrejtje të tillë. Pikërisht organizata Legis po përpiqet nëpërmjet profilit të tij të Facebookut dhe intervistave të shumta, që ti njofton opinionin e gjërë në Maqedoni që refugjatët janë të pastrehë por njerëz me dinjitet, dhe nga ne kërkojnë vetëm të drejtën që të vazhdojnë qarkullimin e tyre të lirshëm.
/tesheshi.com/