Që nga fillimi i luftës në Siri, qindra shqiptarë të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe gra e fëmije kishin shkuar atje duke ju bashkuar fillimisht grupeve opozitare që luftonin kundër qeverisë së presidentit sirian, Bashar Al Assad, e më pas edhe grupeve ekstreme si Shteti Islamik. Pas rënies së këtij grupi, në pranverën e këtij viti autoritete kthyen në Kosovë 110 veta, në mesin e të cilëve 32 gra. Në vazhdim ju ftojmë të ndiqni rrëfimin e njërës prej grave të kthyera prej andej. Për arsye sigurie, Zëri i Amerikës do ta identifikojë atë me emrin Leonora që nuk është emri i saj i vërtetë.
Leonora, emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë, vite më parë thotë se ishte pajtuar me të shoqin që ta linin Kosovën për të jetuar në një shtet tjetër. Por, deri në çastet e fundit, ajo thotë se nuk e kishte ditur se burri i saj po e dërgonte në Siri.
“Nuk jam pajtuar sepse kishte rrezik, ishte zonë lufte dhe nuk jam pajtuar të shkojmë. Por gjithçka ishte e komplikuar sepse ai (burri i saj) nuk ma bënte të qartë që po shkojmë në Siri. Nga këtu ne në fakt u nisëm për një tjetër shtet në të cilin unë u pajtova të shkojmë bashkë, por në momentin e fundit pasi ne arritëm në Turqi ai vendosi që do të shkojmë atje (në Siri)”, thotë ajo.
Me të arritur atje, Leonora mbetet bashkë me gra të tjera të shqiptarëve që kishin shkuar nga Kosova për të ju bashkuar luftës në Siri. Përgjatë asaj periudhë thotë se e takonte të shoqin vetëm gjatë vizitave të tij. Pas dy vjetësh i shoqi ishte vrarë në luftë.
“Pas dy vite e gjysmë gjërat filluan të ndryshojnë, nganjëherë mbeteshim pa shtëpi dhe dy apo tre familje jetonim në një shtëpi, secili nga një dhomë. Pagesat tona po uleshin nga dita në ditë, ndërsa në fund në vitin e fundit, muajt e fundit ishte më së keqi, ishte e tmerrshme. Nuk kishim ushqim mjaftueshëm, sepse u mbyllën kufijtë dhe ushqimet që na sillnin ishin të pakta prandaj njerëzit filluan të ziheshin për ushqim, ishte shumë vështirë shumicën e kohës por ne po mbijetonim akoma duke shpresuar për një jetë më të mirë”, thotë ajo.
Leonora thotë se ka jeta e saj ka qenë shumë e vështirë pas humbjes së të shoqit.
“Kur e mendon sot a të duket e pakuptimtë, pra a mendon se keni qëndruar dhe vuajtur pa arsye? – Jo nuk mendoj ashtu. – Nuk mendon ashtu? – Kishte shumë gra atje, shumë njerëz, dhe të gjithë kishin arsyet e tyre pse kanë shkuar. Disa kanë shkuar sepse kanë dashur të jetojnë në një vend që funksionon me Sheriat, disa kanë shkuar për shkak të burrave të tyre, disa në kërkim të jetës më të mirë sepse të premtojnë që do të japin shtëpi, para dhe ndoshta veturë dhe do të jetosh jetë jo luksoze por normale, disa nuk e kanë ditur se ku po shkojnë vetëm e kanë gjetur veten atje pra kishte një kuptim, kishte diçka….”, thotë ajo.
Leonora, nënë e katër fëmijëve, është pjesë e grupit prej 110 personave që autoritetet e Kosovës i kthyen në prill të këtij viti nga Siria.
“Nuk kemi menduar se do të kthehemi ndonjëherë, për ne çdo gjë kishte marrë fund menduam se do të jemi gjithë jetën atje, do të vdesim atje prandaj ishim tepër të lumtur që u kthyem sepse që kur kemi shkuar në kampe ka qenë e tmerrshme, jeta ishte shumë, shumë e vështirë. Nuk kishim shpresë sepse kishte njerëz nga të gjitha shtetet në kamp, ne po mendonim që nëse ta zëmë Gjermania ose Anglia apo shtetet e forta nuk po i marrin njerëzit e vet, si mund të na marrë ne Kosova kur është shtet më i dobët. Pastaj erdhën na thanë se Kosova po ju kërkon dhe ishte si të lindnim përsëri”, thotë Leonora.
E kënaqur që është kthyer në shtëpi, ajo thotë se ndjen paragjykimin që njerëzit kanë për të.
“Në fakt ne tani jemi në arrest shtëpiak dhe nuk më bie të dalë shumë, brenda familjes sime e kam gjetur veten jam e lumtur me ta dhe ata me mua e gjithçka është në rregull, por kur dal ta zëmë për të shkuar te mjeku e vërej reagimin e njerëzve sepse më intereson ta shoh si reagojnë kur na shohin. Është normale dhe i kuptoj që na shikojnë sikur donë të na thonë “çfarë është kjo?” (për veshjen e saj), por e mira është që deri tash nuk më ka ndodhur të më thotë dikush diçka sepse tani po jetojmë në një kohë kur secili mund të bëjë çka të dojë dhe ta paraqes veten si të dojë dhe kjo jam unë, prandaj dua të gjithë të më pranojnë siç jam”, thotë ajo.
Për shkak të paragjykimeve, siç thotë ajo, Leonora nuk ka pranuar të flasë në gjuhën shqipe në intervistë.
“Ndoshta sepse e njoh mentalitetin në Kosovë, dhe kur flas në anglisht ndihem që nuk jam kjo që jam, sikur dikush tjetër flet në vendin tim më përfaqëson, nuk më pëlqen në shqip edhe pse e di se askush nuk do ta dijë kush jam dhe arsyeja pse kam pranuar ta bëj këtë intervistë është t’u tregoj njerëzve që ne jemi njerëz normal, nuk jemi të rrezikshëm aspak vetëm na pranoni kështu siç jemi dhe ndihmoni të tjerët që ende kanë mbetur atje”, thotë ajo.
Leonora bën thirrje që të gjitha shtetet t’i kthejnë njerëzit e tyre nga Siria, meqë sipas saj jeta atje vazhdon të jetë e tmerrshme.
“Ajo çka unë bëj thirrje është që shtetet tjera si Shqipëria, Maqedonia dhe të gjitha të tjerat, sidomos fqinjët tanë, të shkojnë t’i marrin njerëzit e tyre sepse ata me të vërtetë po vuajnë. Ne kemi disa probleme që jemi kthyer kemi nevojë të ri integrohemi por ne po ecim dhe jemi mirë, ndërsa njerëzit atje ende vuajnë dhe jetojnë jetë të tmerrshme”, thotë ajo.
Leonora bashkë me 31 gra të tjera që u kthyen në Kosovë në muajin prill, është nën hetime. Në fillim të këtij muaji një gjykatë në Prishtinë dënoi njërën prej tyre me dy vjet e gjysme heqje lirie me kusht për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, por ajo nuk do të vuajë dënimin nëse brenda tri vjetësh nuk përfshihet në ndonjë vepër penale.
Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.
Marrë nga VOA