Agron Gashi është mjek me profesion. Ai u përball me një sfidë të madhe. Në vitin 2009 ishte diagnostikuar me kancer, por për një periudhë gjashtëmujore ka arritur që ta mposhtë këtë sëmundje, që tashmë po vret njerëzimin. Ai në një intervistë për tesheshi.com rrëfen përvojën e tij gjatë kësaj sfide të madhe, se si është diagnostikuar me kancer, si e ka pritur lajmin e hidhur i cili ia ftohu jetën dhe ia ndryshoi perceptimin për jetën, lajm për të cilin thotë se duhet me shumë kujdes dhe metodologji të mirë t’u komunikohet pacientëve të prekur nga kjo sëmundje.
Gashi thotë se në luftimin e kancerit ka pasur rëndësi të madhe përkrahja e familjes, miqve dhe kolegëve të punës, ndërsa thotë se pacientët që janë prekur me këtë sëmundje duhet të përkrahen shumë moralisht, të bisedohet me ta, sepse ky komunikim u ndihmon në përballimin e kësaj sëmundjeje.
“Jam diagnostikuar me sëmundjen Lymphoma, e qelizave B, Non-Hodgking, shkalla e IV-të. Sëmundja e kishte përfshirë në një vend edhe ashtin e këmbës së majtë. Në bazë të rezultateve është konfirmuar se e keni Lymphomën, më thanë mjekët. Fillimisht kam pasur probleme me dhimbje të këmbës, pastaj kam pasur disa konsulta prej mjekëve dhe duke iu falënderuar përkrahjes së stafit mjekësor të kolegëve, pasiqë diagnostikimi i hershëm ka rëndësi të madhe në parandalimin dhe luftimin e sëmundjes së kancerit. Është vështirë kur e merr lajmin se e ke këtë sëmundje. Ishte shumë i ftohtë, ishte i trishtueshëm ky lajm. Të bënë të të ngrijë gjakun. Nuk mund dhe nuk doja të besoja. Nuk kisha probleme shëndetësore më parë. Isha i shtrirë në spital. Më dukej e çuditshme dhe e pamundur. Por ishte e vërtet. Vinin të më vizitonin shumë miq, familjar dhe kolegë”, kujton Gashi.
Ai thotë se e ka pranuar faktin se ishte i sëmurë dhe se bisedonte hapur me familjen për sëmundjen, ndërsa kujton bisedat me familjarët që iu thoshte me bindje se do të bëhet më mirë dhe çdo gjë do të rregullohet, edhe pse në brendësi thotë se ndihej i mërzitur dhe shumë i ftohtë.
Doktor Gashi thotë se gjatë asaj kohe, e ka kuptuar se jeta kalon shumë shpejt dhe se familja është shumë e rëndësishme dhe e vlefshme. Ka mësuar se secila ditë është e bekuar dhe duhet të konsiderohet si të tillë. Tregon se ka mësuar se edhe përkundër dhimbjeve, sfidave duhet me qenë pozitiv në kohën kur jeni të diagnostikuar me këtë sëmundje.
“Nuk kam pasur frikë, por isha i mërzitur që nuk do të kem ndoshta mundësi të luaj më me fëmijët, t’i përqafoj, t’i përkrah dhe t’i shoh duke u rritur. Mendoja për shumë gjëra. Ishte vështirë t’i mbaja të gjitha brenda vetes. Shumë vështirë. E pse unë e pyetja veten?! Ndoshta ka ndonjë arsye. Në momentet kur isha vetëm ndonjëherë më tradhtonin lotët, por përballë dhe para të tjerëve qeshja. Ndoshta jo nga frika dhe për vetveten, se sa më shumë për të ardhmen dhe mirëqenien e familjes, fëmijëve dhe mungesën e tyre. Lexoja dhe punoja duke pasur parasysh mënyrën e punës time. Lexoja mesazhet e dërguara inkurajuese dhe përkrahëse nga shumë miq të vendeve të ndryshme, të cilët i falënderoj shumë. Komunikimi me telefon ishte po ashtu mjaft domethënës dhe emocional për mua. Mjekët më inkurajonin se sëmundja ka prognozë të mirë.
I kam planet për të ardhmen, kam shumë punë për të bërë, do të shërohem shumë shpejtë, sepse nuk kam zgjidhje tjetër, u thosha. I falënderoj shumë të gjithë për kujdesin dhe përkrahjen”, shprehet doktor Gashi, duke shtuar se profesioni ka ndikuar në trajtimin e sëmundjes pasiqë ka pasur njohuri për sëmundjen, por çka është më rëndësi e ka ditur se është shumë e dobishme që duhet me qenë pozitiv, pasi që ndikon në motivimin dhe mënyrën funksionimit të sistemit të qelizave. Por thotë se edhe në anën tjetër si profesionist ka qenë i angazhuar që të inkurajojë edhe familjen. Kjo përkrahje reciproke ka pasur shumë rëndësi.
Komunikimi dhe bisedat e hapura i ndihmonin
Doktor Gashi tregon se edhe pse është shumë vështirë kur të merret kimioterapia, e ndjente një lehtësim, sepse thotë se e dinte se do ta ndihmonte për të luftuar kancerin dhe për t’u shëruar sa më parë.
Kujton se e kishte shumë vështirë në çdo aspekt, por se puna e ka ndihmuar shumë dhe se kishte mirëkuptim nga të tjerët që e shikonin me dhembshuri dhe keqardhje. Ai kujton shumë raste se si e pyesnin për shëndetin, e ndërsa, disa nuk kishin guxim as që ta pyesnin.
“Jam i sëmurë nga Lymphoma, por më mirë jam, do të bëjë më mirë. E kuptoja se e kishin vështirë të më pyesin për këtë. Dëshira e Zotit, lutjet, besimi, vullneti i fortë dhe përkrahja e familjes më kanë ndihmuar për t’u shëruar dhe qëndruar i fortë. Falënderoj familjen, bashkëshorten që kanë qenë shumë të fortë dhe më kanë përkrahur fuqishëm. Jam shumë mirënjohës ndaj UNICEF-it, që më ka përkrahur. Për të luftuar këtë sëmundje më kanë ndihmuar edhe shumë miq dhe bashkëpunëtorë nga shumë vende të botës dhe institucione të ndryshme. Jam shumë mirënjohës dhe i falënderoj shumë të gjithë. Përkrahja e tyre më ka ndihmuar shumë”, u shpreh Gashi.
Ai thotë se në bazë të përvojës, komunikimi me familjen duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe të mos kihet turp e as nuk duhet të paragjykohen të sëmurit. Ai mendon se ne si shoqëri mund të bëjmë së bashku shumë gjëra dhe duhet t’i përkrahim ata që janë të prekur nga kjo sëmundje dhe se njeriu me vullnetin e tij, besimin dhe përkrahjen mund të bëjë të pamundurën. Duke marrë parasysh përvojën dhe suksesin e tij, ai nuk heziton që të takojë të sëmurët me kancer apo familjet e tyre për t’i dhënë përkrahje dhe rekomandime se si të gjenden në këtë situatë.
Gashi gjatë kohës sa ka qenë i sëmurë vazhdimisht ka punuar dhe thotë se ka pasur një lloj zbrazje psikologjike, që mos të jetë i koncentruar psiqikisht vetëm tek sëmundja dhe kjo mendon se i ka ndihmuar shumë.
“Kam diskutuar me miq dhe kolegë hapur për këtë çështje. Kur i takoja kohë pas kohe ata kishin dëgjuar për sëmundjen që e kisha dhe e vëreja se u vinte keq të më pyesnin se si është dhe u kam thënë po jam i sëmurë e kam kancerin – Lymphomën, por besoj që do ta tejkaloj. Motiv i kam pasur sidomos fëmijë dhe kam menduar gjithmonë se si do të rriten, kush do të përkujdeset për ta.
Kam pasur përkrahje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, kolegët, miqtë, UNICEF-i, ku edhe punoj ende, përkrahje morale dhe mesazhe inkurajuese nga shumë njerëz dhe për këtë po them që nëse dikush diagnostikohet me kancer, është mirë që të bisedojë për këtë me të tjerët, pasi që ky komunikim e ndihmon atë në aspektin psikologjik”, theksoi doktor Gashi.
Lajmi që ia ndryshoi sërish jetën
Përkundër shumë sfidave vështirësive të natyrave të ndryshme, sidomos atyre financiare, atij iu kthye buzëqeshja. Ai tregon se gjatë periudhës prej majit 2009 është trajtuar me radioterapi, kimioterapi dhe një terapi për sistem nervor dhe për gjashtë muaj është vërtetuar që sëmundja është tërhequr. D.m.th në dhjetor kur e ka bërë fotografimin e radhës mjekët i kanë thënë se Lymphoma është në tërheqje.
“Lajmin për tërheqjen e Lymphomës e kam pritur jashtëzakonisht mirë. Unë i kam pasur terapitë dhe në bazë të terapive ka qenë kontrollimi i radhës dhe rezultati tregonte se a do të vazhdohej me terapi apo jo. E mbaj mend se kam qenë në korridor bashkë me bashkëshorten, kur ka dalë mjeku dhe ma ka bërë me shenjë që rezultati është mirë. Ka qenë një lehtësim shumë i madh dhe menjëherë kam lajmëruar prindërit, fëmijët, miqtë dhe kolegët e punës. Ky ka qenë jo vetëm lajm i mirë, por ka qenë një mesazh edhe për të tjerët se kjo sëmundje mund të tejkalohet. Edhe tash kontrollet i bëj rregullisht, por nuk kam asnjë problem. Pas tejkalimit të kësaj sëmundje kam një jetë normale dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar”, shprehet e emocionuar Gashi.
Duke marrë parasysh faktin se në Kosovë ka një trend të rritjes së numrit të të prekurve me kancer, doktor Gashi ka një porosi për ata që po sfidohen nga kjo sëmundje: “Porosia ime është që duhet t’i inkurajojmë pacientët, duhet të bisedojmë me ta, me i përkrahë. Kjo është esenca që besimi, vullneti, motivi, ndarja e brengave se bashku me trajtimin ndihmojnë në luftimin kësaj sëmundje. Të sëmurit duhet të përkrahen. Është shumë vështirë kur jeni vetëm. Edhe unë kam pasur nevojë për të biseduar. E kam vërejtur se disa nuk e preferojnë të bisedojnë për këtë sëmundje, përderisa të tjerët kanë dëshirë të ndajnë përvojat e tyre dhe emocionet. Por është shumë me rëndësi diagnostikimi i hershëm për parandalimin dhe eliminimin kancerit”, përfundon Gashi. /tesheshi.com/