Bujar Hoxha, ish-punonjës i policisë në Spitalin e Burgjeve në Tiranë, prej dy muajsh po qëndron në një tendë 4 metër katrorë bashkë me gruan dhe dy fëmijët, në pritje të marrjes së azilit në Francë.
Familja me katër anëtarë është pjesë e grupit prej 400 shqiptarësh që janë në një kamp azilkërkuesish në Metz, ku erdhën pas mbarimit të zgjedhjeve në Shqipëri, ndërsa burrë e grua mbetën të papunë.
Ai thotë për “Shekullin” se jetojnë në kushte skandaloze aty, sepse tendat janë ngritur mbi asfalt, por pranon të qëndrojë aty, për të ardhmen e fëmijëve, se sa të kthehet në Shqipëri, ku deklaron se është kërcënuar me jetë.
Sipas tij, këto kërcënime erdhën, pasi ai ishte mbështetës i PD-së dhe pjesëmarrës edhe në grevën 90 ditore te “çadra e lirisë”, por tashmë është shumë i zhgënjyer edhe nga opozita që bëri Lulzim Basha.
Sa kohë ke aty Bujar?
Dy muaj.
Je vetëm?
Jo, jam me familjen.
Me familjen, me gruan. Sa fëmijë ke?
Dy fëmijë.
Ku rri aty?
Këtu na kanë vendosur në disa çadra.
Janë tenda të holla?
Po, po.
Je në Metz?
Po, po.
Si janë kushtet aty?
Kushtet janë mizerabël.
Ma përshkruaj pak të lutem, se vetëm në foto e kam parë, nuk e kam përjetuar.
Domethënë, në një çadër kampingjesh, nëse e ke idenë…
Sa është, 4 metra katrorë, 6 apo sa mund të jetë?
Po aq i bie, te rreth 5 metra katrorë, 4 metra. Edhe banjot janë 100 metër larg.
Banjo kolektive besoj si kuzhina?
Po, po patjetër me u fut me çizme.
Si ndjehesh Bujar?
Ndihem i sigurt në shtetin francez, ç’është e vërteta.
Ju kanë ofruar siguri, të paktën?
Po, po sigurinë e kemi. i biem numrit të policisë dhe në sekondë vjen. Për atë jam më se ashtu, por kur ka flukse mendoj se nuk kanë çfarë të bëjnë.
Sa shqiptarë mund të jeni aty?
Këtu, rreth 300- 400 vetë.
Ky është një kamp i veçuar nga të tjerët?
Nuk e di për Zotin, se unë akoma nuk i kam bërë 2 muaj që kam ardhur, domethënë.
Një kolegu im ju ka takuar pak kohë më parë dhe tha se ishit shumë të mërzitur me politikanët e Shqipërisë. Çfarë ndodhi? Pse vendosët të iknit në vitin 2017, se mund të kishit ikur në ’91, për shembull?
Mund të kisha ikur në ’91, në vitin 2013 e 2015 apo 2016 a e ke parasysh.
Pse ike sivjet?
Po më hoqën nga puna.
Ku ishe në punë?
Unë në punë isha te Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Të hoqën pa motivacion?
Më ka hequr dhe dërguar në polici pa asnjë lloj motivi.
Po gruaja ishte në punë?
Edhe gruaja në punë ishte, edukatore kopshti. i vunë paralajmërim për ta hequr…
Domethënë mbetët të dy kryefamiljarët pa asnjë të ardhur?
Pa asnjë të ardhur. Unë jam shqiptar, do të jetoja edhe atje, e ke parasysh. Gjithsesi është Shqipëri, edhe pa punë do rrija. Ku s’kam punuar, por kur e ke dikë sipër, presionet se kisha edhe fëmijë. Për kokë të babës, si ti lë fëmijët këtu nesër vij atje e të më heqin qafe dhe nuk e kam problem atë punë.
Bujar pse shkove te greva e PD-së në bulevard?
Po isha te “Çadra e lirisë” dhe jam i zhgënjyer, tepër i zhgënjyer prej Lul Bashës.
Pse?
Si pse?
Çfarë prisje ti nga Lulzim Basha?
Unë prisja që të këmbëngulte në Parlament për reformën arsimore të hiqte disa taksa që nuk i përballuam dot. Shumë e shumë të tjera, se nuk jam në gjendje emocionale të flas më tepër.
I bie që ti ke ikur pasi kamë mbaruar zgjedhjet?
Po, pasi kanë mbaruar zgjedhjet, mua më kanë ardhur mesazhet kërcënues, që ditën e parë.
Çfarë mesazhesh?
Mesazhe ku më kërcënonin me jetë. Jam detyruar që të lë pas gjithçka, shtëpinë që e kam ndërtuar me zor, gjithçka…
Mendon se ke vepruar drejt?
Mendoj se kam vepruar drejt, sepse kur të kërcënon vetë Policia e Shtetit, çfarë mendon ti, kujt do t’i drejtohesha tjetër?
Ke pasur kërcënime me jetë?
Po, edhe për të ardhmen e fëmijëve. Fëmijët janë me 10-ta, të gjitha…
Si ke shkuar deri në Francë?
Unë kam ikur shumë thjeshtë. Më erdhi një mesazh kërcënues dhe kam vajtur direkt në agjenci turistike e kam pyetur. Nuk kam ditur se ku jam duke shkuar, vetëm të isha në një vend të Perëndimit, të them të drejtën. Kam prerë biletën dhe jam nisur direkt.
Ke ikur normalisht nga Rinasi?
Po, po. Rinas dhe zbrita në aeroportin Orli të Francës. Biletat kanë kushtuar nga 260 euro me siguracion.
Patët probleme me akomodimin?
Probleme? Të them të drejtën unë nuk kisha asnjë njeri. Më ka ndihmuar një djalë nga Dibra, më lypi një cigare, duhan. Ai më ka ndihmuar, ç’është e drejta.
Kur përfundove në tendë, si u ndjeve?
Si u ndjeva!? Si robi që do të mbrojë fëmijët, çfarë të them unë.
Mendon se do të rrish shumë aty në tendë, si e mendon të ardhmen?
E ardhmja ime është që me shpirt të bëhet ai vend.
Flas për aty ku je, në mes të rrugës…
Këtu për mua shteti funksion.
Keni shpresa për të fituar një farë azili, përkrahjeje?
Të them të drejtën nuk e di se është një institucion francez që mund ta studiojë çështjen time, por unë di këtë që unë jam 5 mijë herë më mirë se në vendin tim, për një fakt se unë i telefonoj policisë dhe më vjen në sekonda. Domethënë ne jemi një komunitet shqiptarësh. Këtu rrëmujën e bëjmë vetë, nuk është tjetër kush. E kupton? Nuk kam asgjë prej shtetit francez, për francezët kam me shpirt falënderime.
E di që Franca po i kthen me avion azilkërkuesit?
Po kush është për t’u kthyer, le t’i kthejnë… Mund të më bjerë edhe mua bingo të më çojnë, të tjerët të dalin komitë malit.
Nëse do të ndodhte kjo, nëse do të thonin se do të ktheheni në Shqipëri, çfarë do të bëje?
Do t’i lija fëmijët, siç i lënë shqiptarët e tjerë rrugëve, se nuk kam zgjidhje tjetër. Unë kam qenë taksapagues i rregullt, njeri i rregullt, punëtor dhe jo hajdut e kriminel. Kur mbështes një krah politik, nuk është e thënë se jam kriminel i atij krahut tjetër, apo jo? Se jemi kundërshtarë politikë, jo gladiatorë me shpata.
Ti nuk ke fare besim që ky vend do bëhet derisa ka ikur ashtu?
Nuk kam fare besim, se unë kam punuar me burgje dhe e i di sesi janë gjërat. Atje nisesh të bësh një denoncim se po vjedh drejtori dhe ata të heqin nga puna, siç më ndodhi mua.
Domethënë, ti denoncove drejtorin dhe të hoqën nga puna?
Po. Unë isha te spitali i burgjeve dhe shkova te drejtori i përgjithshëm se ilaçet nuk u shkonin të burgosurve. Ata nuk u jepnin metadonin që bën rreth 50 mijë lekë. Ai thirri policinë dhe më tha mua cili je ti. Unë i thashë jam një punonjës dhe po ta them në sy. Kam ndenjur dy orë e gjysmë te komisariati numër 1 dhe madje edhe më çarmatosën.
Pra ti u nise për të mbrojtur interesat e shtetit dhe ai të doli kundër?
Unë nuk e kam aq arsim që të përgjigjem në nivele të larta…
Jo, jo. Është një pyetje e thjeshtë që u nise për të bërë diçka të mirë për qeverinë dhe more ndëshkimin, apo jo?
Vetëm qeveri nuk është ajo që kemi në Shqipëri. Atje ne vuajmë për të ndërtuar qeverinë, se për ta rrëzuar, e rrëzojmë shpejt.
Po Edi Rama thotë se jam kryeministër shumë i mirë?
Po lëre Edi Ramën, pashë Zotin. Se Edi Rama është, e di vetë ai se si është.
Ti ndoshta nuk ke mundësi të lexosh mediat franceze besoj, por gazeta “La Figaro” ka shkruar që Franca mund të kërkojë vendosjen e vizave për shqiptarët, për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve, sepse janë mbi 7 mijë azilkërkues, ose dy herë më shumë se afganët që ikin nga një vend me luftë. Ty si të duket kjo?
Mua më duket se në Shqipëri është një luftë tepër e heshtur. Nuk ka luftë ballë për ballë, por një luftë e heshtur. Për mendimin tim është fundi i njerëzimit, se është gjithçka e heshtur, domethënë shtet policor. Kur ke shtet policor i bie me qenë polici Krishti, Allahu, Zoti e gjithçka. Ky është shteti policor, nuk ka brirë. /tesheshi.com/