Një foto “selfie” e një myslimaneje dhe e një katolikeje, dalë bashkë si dy shoqe të mira, e pse jo, motra të dashura, ka bërë sot xhiron e mediave kosovare. Ndoshta të pamësuar më pamje të tilla, ka qenë një nxitim i natyrshëm për t`a cilësuar si një afirmim i bashkëjetesës fetare…edhe në Kosovë. Por cilat janë “dy motrat”?! Ato janë Besa dhe Hana. Dhe, Besa, jo pak e njohur në shoqërinë kosovare; pra Besa Ismaili, ka rrëfyer përvojën e saj deri tek ajo foto, me një sinqeritet dhe dlirësi, tipike hijeshuese për një femër…
Bisedoi: Alba Skëndaj
Znj. Besa, në ç`kushte u bë ajo foto dhe cila është murgesha e atyshme?
Komunitetet fetare në Kosovë, me apo pa fasilitim nga ndonjë organizatë, takohen shumë shpesh në vizita tek njëra-tjetra. Kësaj rradhe ishim musafirë të komunitetit ortodoks në Novobërd. Pas tryezës dhe diskutimeve sesi të ngrinim bashkëpunimin në një nivel më të lartë, si të dokumentojmë përvojat tona, sfidat e dialogut ndërfetar e të tjera çështje, takim ky që zgjati deri në orët e vona të pasditës, ne si grup vizituam Kalanë e Novobërdës. Motra Hana Nikollaj është “motër nderi” e Kishës Katolike të Kosovës, punon si fizioterapeute në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është themeluese e Rrjetit Rinor të Motrave të Mëshirshme të Shën Kryqit në Prishtinë.
Ajo është një pjesëtare e vyeshme, shume e dashur për ne e cila tani e disa vite është aktive me grupin e grave ndërfetare të Kosovës. Po perëndonte dielli dhe po shijonim bashkë madhështitë e Krijuesit përreth, derisa në ishim në majë të Kalasë, madje në skelë (Kalaja po rinovohej nga UNESCO).
Që të dyja përnjëherë thamë: “Sa e bukur është Kosova jonë! Vetëm Zoti ka ditur t’ia falë këtë hijeshi!”
Buzëqeshëm dhe u përqafuam, motra Hanë tha: “ta marrim një selfie?”
“Po, me dëshirë!”, i thashë
Kur u ktheva, po shikoja fotot dhe kjo selfi (selfiet rrallë i marrë dhe asnjëherë më parë nuk i kisha bërë publike duke i postuar në rrjete sociale) sikur më fliste. Thashë me vete këtë do ta postoj, e ta ruajë sepse këtë moment dua ta kujtoj. Por i shkrova motres Hanë nga respekti thashë a mundem ta postoj tek Tëitter-i im. Thotë po lirisht por unë jam në Facebook, me duhet ta shpërndajë. Unë e hodha në Tëitter fillimisht https://twitter.com/besa_ismaili/status/645319056304775169
Departamenti i Gruas pranë Bashkësisë Islame të Kosovës ka një faqe ku i publikon aktivitetet e veta dhe Hana me grupin e saj janë partnerët më të shpeshtë me të cilët ne i shpërndajmë dhe etiketojmë fotot. Për rastësi dhe për hijeshi, edhe ajo faqe administrohet nga zyrtarja e Departamentit të Gruas të BIK që e quajmë Hanë. Mirë i them motrës Hanë se ia nis Hanës (muslimane) edhe këtë foto që ajo së bashku me fotot tjera nga punëtoria t`i publikojë në Facebook. Hana e Departamentit të Gruas të Bashkësisë Islame të Kosovës i publikon fotot se bashku me selfien tonë dhe motra Hanë nga Motrat e Mëshirshme të Shën Kryqit e shpërdan. Nuk shkuan as 20 minuta dhe ne celular me vien mesazhet me linqet nga mediat. Siç!
Dhe ja tani jeni shndërruar sakaq në fotolajm, nga fakti se keni dalë me një murgeshë. A ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme në këtë mes?
E jashtëzakonshme këtu ishte vetëm fakti se portalet kishin vendosur vëmendjen në një çast, krejt personal timin dhe të motrës Hanë, për të reflektuar për ndërfetaren dhe ndërnjerëzohen në Kosovë; sa kohë që e zakonshmja jonë ndërfetare në Kosovë në përgjithësi dhe e imja dhe e motrës Hanë dhe grave tjera të komuniteteve tjera në Kosovë konsiston në shumë aktivitete të përbashkëta, tryeza, trajnime dhe shkëmbime nga më të ndryshme.
Grupi joformal i grave ndërfetare të Kosovës (Bashkësisë Islame të Kosovës, Kishës Katolike, Kishës Protestane dhe Kishës Ortodokse Serbe të Kosovës), në të cilin bashkëveprojmë me motrën Hanë për më shumë se një dekadë, tani ka një histori të pasur dhe ka ndërtuar një trashëgimi shumë të veçantë të cilën ne bashkërisht duam të ua lëmë gjeneratave të ardhshme; që ato të dinë për kontributin e grave brenda komuniteteve fetare të Kosovës në kuptim të ndërtimit të paqes dhe pajtimit, ngritjes së kapaciteteve institucionale të komuniteteve fetare, bamirësisë me shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, kontributin e këtyre grave në shtetndërtimin e Kosovës, edukimin e rinisë dhe vetëdijësimin e tyre karshi dukurive negative, edukimin fetar dhe ndërfetar, zhvillimin e një qytetarizmi tolerant dhe gjithpërfshirës.
S`do lë pa përmendur faktin se dhe argëtohemi dhe relaksohemi bashkë në muhabet. Nëse do të veçonim sfida të përbashkëta, e përbashkët është që ato sfida nuk përbëhen nga besimtarët e njërit apo tjetrit grup.
Sot që është Dita Ndërkombëtare e Paqes, gratë e komuniteteve fetare të Kosovës kanë bashkuar ndihmat e mbledhura në një kamione për t’i dërguar nesër në kufirin me Maqedonisë.
A ju duket e saktë diçitura e fotos që veçon bashkëjetesën fetare në Kosovë?
Mbase edhe po, për një pjesëz të saj. Sepse sikur edhe të tjerët kanë parë në të më shumë se një selfie që veçon bashkëjetesën. Sikur edhe kanë qenë të etur për të parë diçka të bukur, spontane dhe të sinqertë, që të jetë origjinale vendore. Një koment që kam lexuar shkruante: “kam qarë kur e kam parë këtë foto me këto dy motra, kështu jemi ne shqiptarët”’ një tjetër: “në këtë pikë jemi mirë, kujdes mos e shkatërroni edhe këtë”. Gjeta se njerëzit janë të përmallshëm për të kujtuar njerëzoren brenda tyre, dhe të vëmendshëm gjithashtu, që toleranca ndërfetare do kultivuar si një ndër veçoritë më të mbijetuara të popullit tonë, dhe që ajo mos të merret si e mirëqenë pa prova konkrete.
Dukeni e lumtur në atë foto. Ç`ju lumturon në kësi rastësh dhe përgjithësisht cfarë u lumturon në jetë?
Lumturia e shpirtit tim vjen nga besimi im. Më lumturon dituria për jetën që e marrë nga feja ime, Islami. Unë jam muslimane dhe më bën të lumtur jeta në përputhje me ato që më mëson feja ime. Lumturohem edhe më kur ata që më rrethojnë janë të lumtur, familja ime, miqtë e mi, populli im. Në këtë rast specifik isha shumë e lumtur sepse motra Hanë ishte shumë e lumtur!
Kush u njeh nga afër, befasohet nga energjia juaj si grua, përgatitja intelektuale, por dhe cilësia e afirmacionit fetar. E keni fetare këtë apo thjesht karakteriale të lindur?
Herakliti ka thenë që integriteti i karakterit të njeriut është vetë fati i tij. Unë them është besimi ai që mban karakterin e njeriut me integritet të plotë dhe i jep shpresë dhe vullnet për mos t’u ndalur. Pyetem: pa këtë integritet, shpresë dhe vullnet çfarë do të ishte karakteri im?! Asgjë! /tesheshi.com/