Ka punuar 46 vite me përkushtim në radhët e Policisë së Shtetit, i ka rezistuar kohës së diktaturës, ndërsa ia ka dalë mbanë të kryejë detyrën e tij edhe në vitin e mbrapshtë të ‘97-ës, kur bandat bënin terror në të gjithë vendin. Bëhet fjalë për dibranin Beqir Doçi, i cili prej pak ditësh ka dalë në pension. Sot 65-vjeçari ka momentet më të bukura, por edhe ato më të vështirat që ka hasur gjatë viteve të punës, si dhe për rastet kur qytetarët tentonin të ‘tradhtonin’ atdheun duke kaluar kufirin. Në një intervistë për gazetën shqiptare, Doçi tregon edhe për një rast të ndodhur në ‘84-ën në Braçaj të Korçës dhe për të shtënat me armë për ta parandaluar atë.
Zoti Beqir, ju keni 46 vite punë në Policinë e Shtetit. Në çfarë moshe e keni nisur karrierën tuaj?
Karrierën e kam nisur si ushtar i shërbimit të detyrueshëm, në moshën 18 vjeç, në nëntor të vitit 1970. Gjatë kësaj kohe, duke qenë se unë isha një djalë i ri dhe me arsim të mesëm, m’u dha mundësia që të punoja si ndërlidhës në radiotelegrafist. Në atë kohë, unë fitova kursin në mënyrë të shkëlqyer dhe në vitin 1972, pasi mbarova shërbimin e detyrueshëm, m’u dha mundësia që në organet e Degës që Punëve të Brendshme të Dibrës të paraqisja dokumentacionin përkatës, meqenëse isha edhe me arsim të mesëm, dhe u pranua që të filloja punë duke milituar në shërbimet e kufirit. Nga ajo kohë, duke më bërë një vlerësim rreth 1 dekadë që unë punova në Dibër me përkushtim duke qenë se isha edhe një qytetar i atij vendi, nga Dibra shkova në shkollën e lartë të Ministrisë së Brendshme. Mbarova arsimin e lartë dhe më çuan oficer si komandant në 3 poste kufiri në Korçë. Atje kam gjetur një efektiv të shkëlqyer, por edhe banorë që na mbështesnin, pasi edhe ata i njihnin rregullat e kufirit. Atje kam punuar për 2 vite, dhe u vlerësova për punë të mirë, e më pas mora një ngritje si anëtar i shtabit, shef në Tropojë, për kufirin. Në Tropojë kam punuar për 6 vite. Aty gjeta djem më të rinj sesa unë, të cilët më kanë ndihmuar në punën time. Pas 6 vitesh punë atje, ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, në një takim që bëri me ne më pyeti se ku doja të punoja. Por unë, në vend që të zgjidhja Durrësin apo Tiranën, që ishin vende më komode për familjen dhe fëmijët e mi, zgjodha të shkoja në vendlindjen time, në Dibër. Atje punova si komandant i kufirit. Në fillimin e proceseve demokratike kam ndjerë punën më të vështirë që mund të kem pasur ndonjëherë. Në 1997-ën ishte një kohë e jashtëzakonshme, dhe e them me bindje se jam i vetmi oficer policie në republikë që nuk e kam hequr uniformën asnjë ditë. Në mes të bulevardit kam dalë me uniformë dhe të gjithë dibranët më përshëndesnin.
Si i keni rezistuar sistemit?
I kam rezistuar sistemit sepse unë nuk paragjykoja njeri. Edhe profesori që më ka dhënë mësim, më ka mësuar që të vlerësoja punën e të tjerëve, pavarësisht sistemit. Një njeri që vepron mbi ligjin, nuk e meriton të jetë punonjës policie, dhe unë nuk e kam bërë kurrë këtë gjë.
Cili është qyteti që ju ka lënë më shumë mbresa gjatë punës suaj dhe sa e vështirë ka qenë puna atje?
Në qytetin e Korçës. Atje më është dhënë mundësia të qëndroja si në qytet ashtu edhe në fshat. Kam mbresa prej atij vendi sepse ishin njerëz me tradita e me kulturë të lartë, dhe unë personalisht në punën time kam pasur edhe përkrahjen e tyre në punën që kryeja. Ndonëse isha malësor, ata më përkrahnin, dhe për këtë gjë kam ndjerë edhe ngrohtësinë e një oficeri policie në hapat e parë të karrierës sime. Në Korçë kam punuar në vitin ‘83 deri në ‘85-ën. Vërtet që në atë qytet kam punuar vetëm 2 vite, por ndaj atyre qytetarëve, por edhe ndaj kuadrove, kam gëzuar një respekt shumë të madh, që edhe sot e kësaj dite i kam miq dhe e respektojmë njëri-tjetrin.
Po për sa u përket bandave të armatosura, si i keni bërë ballë asaj kohe dhe atyre situatave?
Nuk mund të them se nuk kam pasur raste që mund të kenë qenë me rrezik, por kam pasur fatin tim të mirë që kam ditur t’i bëj ballë gjithçkaje që mund të ndodhte atëherë. Kam pasur efektivë që i kam instruktuar dhe që gjithë jetën time, në bazë të parimit bazë, por i shkruar edhe me ligj, pavarësisht se njerëzit abuzonin në këtë drejtim, që nuk ka pasur urdhër për të vrarë njeri. Asnjëherë! Paralajmërohej qytetari i cili merrte drejtimin për kalimin e kufirit. Para viteve ‘90 ‘quhej tradhti ndaj atdheut’. Ndryshoi ligji, u bë ‘kalim i paligjshëm i kufirit’, u lehtësua. Unë kisha edhe të dhëna operative që mund të kalonin banda të armatosura, mund të kalonte një person që mund të kishte ikur nga burgu.
A ju kujtohet nëse ka ndodhur ndonjë rast i tillë?
Mbaj mend një rast në ‘84-ën në Braçaj të Korçës. U kalua kufiri në orën 2 të natës. Shkuan shërbimet kufitare, komandanti nga mbrapa dhe u kam thënë: “Kujdes me armën, në mënyrë kategorike”. Sepse dëgjova që u qëllua në ajër. Në bazë të të dhënave operative unë e dija se kush ishte personi dhe e mora e çova në zyrën time. E sistemova atje, i kam dhënë për të ngrënë, sepse në radhë të parë ishte njeri. Më pas njoftova organet kompetente dhe kanë ardhur e kanë marrë. Në atë kohë unë isha komandanti më i madh i asaj zone dhe mbaja përgjegjësi për gjithçka që ndodhte, dhe asnjë rast nuk doja që situata të më dilte jashtë kontrollit.
A ka pasur persona të vrarë nga ata që kanë tentuar të kalonin kufirin?
Ka qenë një fat i madh që, në ato kohë që unë kam qenë në kufi nuk më është vrarë asnjë njeri. Kjo sepse, jepja një instruktazh shumë të saktë, por isha dhe një njeri tepër kërkues dhe korrekt. Kur shkoja te një familje për të pirë një kafe. nuk i paragjykoja nëse ai ishte komunist apo ishte demokrat. Ne na kontrollonin organet e posaçme. sepse kishte edhe oficerë që ‘rrëshqisnin’. Kam pasur disa raste të tilla.
Po kërcënime nga pjesëtarë të bandave apo edhe qytetarë të thjeshtë, keni pasur?
Fatmirësisht jo. Unë gjithmonë kam ditur se ku të ndalesha në momente të caktuara. Mund të ketë pasur edhe persona që mund të ishin të futur për të më bërë keq mua apo familjes sime, por kurrë nuk kam rënë në provokimet e tyre, kam ditur gjithmonë të komunikoja e si të sillesha me ta. Nga armiq që kanë dashur të jenë ndaj meje, i kam kthyer në miq e shokë.
Po familja juaj, a ka pasur ndonjë kërcënim që mund të lidhej me detyrën tuaj?
Jo, asnjë rast.
Gjatë 46 vitesh karrierë, a ju ka ngelur peng diçka që ju nuk e keni bërë?
(Qesh) Po, është diçka.
Çfarë konkretisht?
Do kisha shumë dëshirë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë të bëjë diçka në kuadrin e oficerëve. Për ata oficerë që dalin nga shkolla, duhet që edhe roli bazë, por edhe drejtoritë e policisë vendore t’i çojnë ata për ndonjë studim e ku mund të jenë në vendin e duhur dhe në pozicionin e duhur. Sepse lëvizjet në këtë kohë janë pak të vështira, duke përfshirë këtu kryesisht edhe familjen. Ndërsa, për sa i përket akademisë, duhet të jenë më në qendër të vëmendjes kursantët që dalin nga shkolla. Të kenë të paktën për 3 muaj një pedagog me vete që të marrin instruktazhin e duhur, të ndjekin procedurat standard dhe oficeri të mos ngelë asnjëherë i befasishëm para një krimineli apo një grup personash që janë të rrezikshëm.
Kush ka qenë momenti më i bukur gjatë punës që ju keni kryer?
Momenti më i bukur gjatë gjithë karrierës sime ka qenë kohët e fundit, kur drejtori Haki Çako më ka thirrur në zyrë në orën 9 të darkës dhe më ka thënë: “Kolonel, është marrë vendimi. Shokët që unë kam në kabinet, por edhe unë personalisht, kemi vendosur të të çojmë shef të policisë së rendit, zv/drejtor për sigurinë publike në Dibër”. Unë e kam pritur me shumë kënaqësi këtë gjë. Sepse më parë edhe vetë u jam shprehur eprorëve të mi që karrierën time ta mbyllja në Dibër, me këtë gradë dhe me këtë pozicion.
Sa e vështirë ka qenë puna e terrenit për oficerët e policisë e sidomos nëpër operacione të rëndësishme?
Për këtë kam pasur vetëm dy gjëra. E para ishte që efektivët që unë shkoja në operacion i kisha njerëz të besueshëm, i zgjidhja. Gjithmonë u thosha: “Futuni në makinë, lëvizja nga mjeti do të bëhet vetëm me urdhrin tim”. Unë isha kompetent si komandant, sepse në atë minutë që nuk e ke situatën në dorë me vartësit, ke dështuar si epror.
Si i keni pasur marrëdhëniet me vartësit tuaj?
Asnjëherë nuk i kam çuar vartësit e mi para eprorëve të mi, por jam munduar të bisedoja me ta se si puna jonë të dilte sa më mirë. Puna ishte punë, kishte vendin e saj, ndërsa shoqëria e miqësia kishin vendin e vet.
Po momenti më i vështirë që keni hasur, cili ka qenë?
(Qesh) Momenti më i vështirë që kam pasur ka qenë kohët e fundit, dhe që unë me të vërtetë jam ndjerë keq. Në stadiumin e Korabit. Isha drejtuesi kryesor. Përballova gjithë kohën e ndeshjes, por dy minutat e fundit pashë një komunikim mes dy vartësve të mi që bënë me njëri-tjetrin dhe u hap porta dhe tifozët hynë brenda në stadium dhe u ndeshën me lojtarët. Saqë zv/drejtori i Përgjithshëm i Rendit më tha: “Beqir, unë e pashë rolin tënd, por duhej ta kishe mbajtur deri në fund”. Nga kjo fjalë më ka ardhur shumë rëndë dhe u ndjeva shumë keq, sepse unë vërejtje të kësaj natyre nuk i kam pranuar asnjëherë.
Para pak ditësh ju u akorduat me “Certifikatën e Karrierës”, me motivacionin “Për merita të veçanta dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”, duke qenë se dolët në pension. Si u ndjetë në ato momente?
Unë dua ta falënderoj shumë drejtorin Haki Çako për këtë nderim të madh që më ka bërë. Sepse më ka vlerësuar si një njeri shembullor, pasi unë gjithmonë e kam dashur punën e policisë. Këtë certifikatë unë do ta mbroj deri në vdekje. Personi që iu caktua për të më dhënë këtë certifikatë ishte një vartësi im, një njeri i talentuar në punën e tij, dhe mua më erdhi mirë që kjo gjë m’u dha prej tij. Por, nga ana tjetër, u ndjeva me të vërtetë shumë keq, sepse shokëve të mi po u jepja lamtumirën e punës, e karrierës sime. Sepse një ditë ne do t’u mungojmë njëri-tjetrit, dhe aty nuk jam përmbajtur dot.
Keni marrë ndonjë masë disiplinore gjatë punës suaj?
Jo, asnjë.
Keni kaluar një sërë ministrash të Brendshëm gjatë karrierës suaj. Kë mund të veçoni prej tyre?
Të them të drejtën, nuk mundem t’i kujtoj të gjithë ministrat që kanë qenë përgjatë kësaj kohe. Kam filluar që në kohën kur ka qenë Kadri Hazbiu. Por që, pas viteve ‘90 e këtej, ministri që ka vlerësuar me të vërtetë policinë, sipas meje gjithmonë, ka qenë Saimir Tahiri. Ai ka bërë diçka të veçantë për policinë. i dëgjonte e komunikonte me ta. Ai dinte shumë mirë ta vlerësonte punën e policisë. Gëzoj shumë respekt edhe për zotin Fatmir Xhafaj, për zbatimin e ligjshmërisë.
Keni kaq shumë vite punë në radhët e Policisë së Shtetit; në çfarë kushtesh jetoni?
Në 46 vite punë, unë i jam përkushtuar vetëm detyrës sime. Aty ku unë kam punuar, shteti më ka dhënë shtëpi në Dibër, në Korçë e në Tropojë. Por, kam 17 vite që jetoj në Tiranë dhe jam ende në shtëpi me qira, sepse të ardhurat e mia, edhe pse ishin të mira sa për të përballuar shpenzimet e mia familjare, nuk mjaftonin për blerjen e një shtëpie këtu. Prandaj edhe shteti duhet të bëjë diçka edhe për oficerët e policisë. Kam punuar për 46 vite me ndershmëri në punën time.
Nëse më herët do t’ju jepej mundësia, a do ta braktisnit profesionin e policisë?
Kjo gjë do të kishte qenë shumë e vështirë, sepse e doja punën që bëja.
Tashmë që nuk do të jeni më në radhët e Policisë së Shtetit, si do të jetë një ditë e juaja normale?
Një ditë e imja normale tashmë do të jetë me familjen time. Të qëndroj pranë tyre e të takoj miqtë, të afërmit e shokët e mi, sepse më kanë munguar gjatë gjithë kohës. Drejtori i Akademisë më kërkoi që unë të shkoj e të flas e të tregoj për punonjësit e rinj të policisë që po dalin tashmë, për të gjitha eksperiencat e mia në punë e në operacione, gjë që edhe atyre do t’u vijë në ndihmë për të dalë sa më mirë në punët që do të kryejnë. U ndjeva mirë për këtë gjë dhe mjaft i vlerësuar, sepse kështu nuk do ta ndjej shumë mungesën e policisë.
A keni një këshillë apo një thirrje për punonjësit e Policisë së Shtetit, e sidomos për ata që janë ende në hapat e parë të karrierës së tyre?
Kur punoja në Drejtorinë e Përgjithshme, pjesën më të madhe të rrugës për në shtëpi e bëja në këmbë. Rrija i veshur me uniformë të rregullt. Ndaloja te patrulla e policisë dhe i këshilloja. Madje në disa raste ka qëlluar që disa prej tyre kanë qenë edhe fëmijët e miqve të mi. Dua t’u bëj një thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit, por më shumë është një kërkesë si qytetar i Republikës së Shqipërisë: Ju lutem, prezencën policore në çdo moment e kohë! Uniformën e komunikimin ta keni model ndaj qytetarëve. Respektojini e ndihmojini qytetarët, që edhe karriera juaj të jetë e shkëlqyer. /tesheshi.com/