Marc Polimeropulos u zgjua në dhomën e tij të hotelit me të përziera dhe me ushëtima në veshët e tij.
“Mendova se do të villja. Nuk mund të ngrihesha. Isha duke rënë nëpër dhomë,” kujton ai. “Ishte gjëja më e keqe që kam përjetuar ndonjëherë.”
Si një punonjës i rangut të lartë i njësisë anti-terroriste të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA (CIA), Polimeropoulos kaloi disa vjet me detyra në Irak, Siri dhe Afganistan. Amerikani beson se atë natë, kur ai u zgjua nga të përzierat dhe zhurma në veshët e tij, ishte viktimë e një sulmi me një armë sekrete, me mikrovalë, shkruan BBC.
Pasi Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të mbajtura në 2016, CIA u bëri thirrje të gjithë agjentëve të saj me përvojë për të marrë një kundërsulm. Polimeropulos e gjeti veten midis atyre agjentëve.
Polimeropulos përfundimisht u bë kreu i operacioneve të fshehta të CIA-s në Evropë dhe Euroazi. Ai bashkëpunoi me aleatët e SHBA-së për të zbuluar aktivitete të dyshimta ruse, përfshirë helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripalj që ndodhi në vitin 2018 në qytetin anglez të Salisbury.
Polimeropulos vizitoi Moskën në dhjetor 2017, por nuk ishte në detyrë në atë kohë. Ai donte të përdorte takimin e zakonshëm midis spiunëve rusë dhe amerikanë për të parë Rusinë. Ai këmbëngul se nuk ishte atje për ndonjë detyrë sekrete. Por rusët nuk ishin të lumtur që ai po vinte.
“Sindroma e Havana-s”
Polimeropulos u sëmur pak pasi mbërriti në Moskë. Marramendja, thotë ai, është zhdukur, por simptomat e tjera nuk janë zhdukur. “Migrena më ka munduar për tre vjet,” i tha ai BBC, duke shtuar se pasi u kthye në SHBA nuk mund të punonte as dhe një ditë dhe iu desh të shkonte në pushim mjekësor për disa muaj.
Polimeropulosit iu shtuan dyshimet kur mësoi se diplomatët amerikanë dhe disa kanadezë që po qëndronin në Kubë, në Havana, raportuan se ishin të munduar nga të njëjtat probleme që e mundonin dhe atë. Kishte nga ata që dëgjuan zhurma të mëdha të pasuara nga dhimbje të forta. Të tjerët thanë se ndienin presion në kokën e tyre. Të tjerët u ankuan për konfuzion dhe marramendje. Të gjitha këto vështirësi vinin nga një drejtim specifik në një vend specifik. Ata u bënë të njohur si “Sindroma e Havana-s”.
Polimeropulos beson se e njëjta gjë i ndodhi dhe atij.
Në dhjetor 2020, Akademia Kombëtare e Shkencave Amerikane përcaktoi që simptomat që shoqërojnë “Sindromën Havana” përkojnë me efektet e “energjisë pulsuese të frekuencave të radios”. Kjo përjashtoi mundësinë që njerëzit të cilët raportuan simptoma të tilla të ishin helmuar dhe u përjashtua mundësia e trajtimit të një sëmundje psikiatrike.
“Ne zbuluam se një grup i vogël individësh ndanë disa gjetje klinike shumë të pazakonta dhe të njohura menjëherë pas sëmundjes dhe këto gjetje na çuan të formonim mendimin tonë,” tha profesori David A. Relman i Universitetit të Stanfordit, kreu i grupit të punës në Akademitë Kombëtare të Shkencës të SHBA-së që përcaktoi “Sindromën e Havana-s”.
Grupi i punës, megjithatë, nuk përcaktoi nëse energjia pulsuese ishte përdorur si armë dhe kush qëndronte pas sulmit në Havana.
Mungesa e provave
Kur Polimeropulos iu nënshtrua një ekzaminimi mjekësor në zyrat e CIA-s, atij iu tha se simptomat e tij ishin të ndryshme nga ato të raportuara nga diplomatët e Havana-s dhe se nuk kishte asnjë lidhje midis sëmundjes së tij dhe llojit të sulmit. Ai beson se simptomat nuk përputheshin sepse secili person reagoi ndryshe ndaj sulmit, por gjithashtu se është e mundur që ajo që “goditi” njerëzit të evoluojë.
Në vitin 2019, Polimeropulos vendosi të dilte publikisht me tezat e tij. Ai donte të tregonte problemin dhe të siguronte trajtim në një spital special. Trajtimi u dakordua dhe ai thotë se CIA i mori më seriozisht pretendimet e tij kur u bë e qartë se ai nuk ishte potencialisht viktima e vetme e sulmit. Sipas disa raporteve, një maksimum prej gjashtë punonjësish të CIA-s raportuan simptoma të ngjashme me ato të Polimeropulosit. Incidentet që shkaktuan sëmundjen thuhet se ndodhën në vende jashtë Kubës dhe Rusisë, ku përfshihet dhe Kina.
Revista GQ, e cila shkroi për herë të parë për Polimeropulosin, pretendon se një zyrtar i lartë i CIA-s u sëmur në vitin 2019 gjatë një udhëtimi në Australi, gjë që u konfirmua më vonë nga media australiane. Punonjës të tjerë të CIA-s u sëmurën në Poloni dhe Gjeorgji.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se ndërsa qëndronte në një hotel në Londër në gusht 2019, ai ndjeu presion në kokën e tij dhe simptoma të tjera të “Sindromës Havana”. Shërbimet britanike të sigurisë janë të vetëdijshme për këtë rast, por nuk dihet për momentin se çfarë ka ndodhur saktësisht. Londra dhe Uashingtoni diskutuan rastin dhe Zyra e Jashtme e MB i tha BBC se nuk e dinte nëse ndonjë nga punonjësit e tyre kishte kontraktuar “Sindromën e Havana-s”.
“Bombardime” me mikrovalë
Raportet e medias pas incidenteve të para në Havana sugjeruan që provat sekrete treguan përfshirjen e Rusisë. Kohët e fundit u raportua se inteligjenca amerikane përdori të dhëna celulare për të zbuluar se inteligjenca ruse ishte pranë agjentëve të CIA-s në disa vende të sulmit. Megjithatë, të dhënat u treguan të pamjaftueshme për një akuzë zyrtare.
Ekziston një mundësi që të gjithë këta individë të sëmuren sepse dhomat në të cilat po qëndronin ishin “bombarduar” me mikrovalë për të shkarkuar informacione nga pajisjet elektronike. Kjo u bë gjatë Luftës së Ftohtë. Ish-punonjësi i CIA-s John Sipher tha se shërbimet ruse të sigurisë e bënë atë siç duhet ndaj ambasadës amerikane në Moskë dhe se ata kishin një furgon me të cilin mund të “sulmonin” çdo individ të dyshimtë në rrugë.
Ai beson se Moska është fajtore për problemet shëndetësore të agjentëve të CIA-s, por që ai nuk e di pse u sulmuan. Një tjetër ish-agjent i CIA-s që shërbeu në Moskë tha se ai besonte se rusët sulmuan agjentët amerikanë me energji të drejtpërdrejtë, por se ai nuk mund të thoshte nëse ata ishin sulmuar me qëllim që t’i dëmtonin ata.
Polimeropulos beson se rusët e sulmuan atë sepse donin të mësonin diçka prej tij. Provat e mbledhura ndërkohë, për të cilat vetë Polimeropulos thotë se nuk janë të forta, zgjuan tek ai bindjen se ishte sulmuar për ta dëmtuar atë.
“Do të doja të më kishin qëlluar”
Rusët refuzuan njoftimin e Akademisë Kombëtare të Shkencave të SHBA nga dhjetori 2020, duke e konsideruar si “provokues dhe të pabazuar”. “Ne nuk kemi asnjë informacion në lidhje me” armët që përdorin mikrovalët e drejtuara”, tha Ministria e Jashtme Ruse.
Polimeropulos dëshiron që Kongresi të hetojë këto sulme dhe disa senatorë janë angazhuar tashmë. Profesori Relman i tha BBC se ai dëshironte që e gjithë situata të shikohej në detaje dhe Presidenti i SHBA Joe Biden njoftoi një rishikim të “veprimtarive agresive” të Rusisë. Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Antony Blinken ka premtuar të ndajë më shumë informacion në lidhje me “Sindromën e Havana-s”, dhe drejtori i ri i CIA-s, ish-ambasadori amerikan në Rusi Bill Burns, gjithashtu duhet të përfshihet në këtë çështje.
Blinken njoftoi se dikush do të përgjigjet nëse përcaktohet se ndonjë shtet qëndron prapa sulmit.
Polimeropulos thotë se është e rëndësishme për të të zbulojë të vërtetën, megjithëse nuk do ta ndihmojë atë të shërohet.
“Më mirë të më qëllonin. Më mirë të kisha një vrimë në trupin tim por jo këtë,” tha ai. /tesheshi.com/