Kartela mjekësore e Enver Hoxhës, me shumë gjasë, ka mbetur në duart e familjes së tij, pas vdekjes, në vitin 1985.
Prof. Isuf Kalo, ish-mjeku personal i diktatorit Enver Hoxha, tregon se si ndiqej gjendja shëndetësore e udhëheqësve komunistë përpara viteve ’90 dhe në veçanti, ajo e numrit një të shtetit.
Kalo tregon se drejtuesit e lartë të shtetit trajtoheshin në një klinikë të posaçme, ku ruhej edhe dokumentacioni përkatës, por për Enver Hoxhën, u ngrit një miniinfermieri në ambientet e shtëpisë së tij. Në shërbim të Enver Hoxhës u vendos edhe një ekip me mjekët më të mirë shqiptarë, ndërsa zhvilloheshin konsulta edhe me mjekë të huaj, kinezë edhe francezë, raporton Panorama.
Pikërisht, në infermierinë e krijuar në vilën e diktatorit, ruhej edhe kartela e tij mjekësore, e cila dilte nga kasaforta vetëm me raste konsultash. Kalo tregon se si zhvilloheshin ato, si mbaheshin shënime dhe si trajtohej diagnoza e Enver Hoxhës, si një sekret i një shkalle shumë të lartë.
Kjo ishte një kërkesë e vetë Enver Hoxhës, ndërsa ishte Sulo Gradeci ai që kujdesej që ky sekret të ruhej. Kalo thotë se deri në ndërrimin e sistemeve, dokumentacioni shëndetësor i Enver Hoxhës dhe familjarëve të tij ndodhej brenda shtëpisë së tij, por nuk mund të thotë se cili është fati i tyre më pas.
Prof. Kalo, ju keni qenë mjek personal i Enver Hoxhës, si trajtohej shëndeti, jo vetëm i tij, por i gjithë udhëheqjes?
Për gjithë udhëheqjen, ku përfshiheshin anëtarët e Byrosë Politike, anëtarët e Qeverisë, anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor, të Frontit Demokratik, anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të Partisë, kishte një klinikë të posaçme, që quhej klinika speciale ose klinika e vogël, e cila ishte sipas modelit të Kremlinit për udhëheqësit sovjetikë. Kjo klinikë varej nga Ministria e Shëndetësisë dhe kuadri në të paguhej si gjithë mjekët e tjerë.
Çfarë shërbimesh ofronte kjo klinikë, përveç vizitave?
Aty bëheshin edhe ekzaminimet e tyre, ishte laboratori biokimik, kryhej elektrokardiogrami, radiografi. Ajo klinikë kishte edhe një aneks me 2-3 shtretër, për shtrim, kur ndonjë nga udhëheqësit kishte nevojë për t’u shtruar. Kishte edhe një sallë operacioni, ku kryheshin operacione, një kabinet dentar dhe një farmaci. Kjo ishte arkitektura e klinikës.
Po dokumentacioni përkatës, kartelat për secilin, a ruheshin në këtë klinikë?
Këta persona ndiqeshin dhe kishin kartelë të posaçme në këtë klinikë, bashkë me familjarët që bashkëjetonin me ta, që do të thoshte që kur dikush martohej dhe largohej nga familja, teorikisht, i hiqej edhe kartela, por kjo jo gjithmonë ndodhte. Kartelat e tyre ruheshin aty.
Kur u angazhuat si mjek i udhëheqjes?
Unë kam filluar të punoj aty qysh kur mbarova Fakultetin e Mjekësisë. Isha 22 vjeç dhe isha në dispozicion të të gjithë këtij kontingjenti. Më pas, në vitin 1971 filloi një trajtim disi më i veçantë për treshen kryesore, Enverin, Mehmetin dhe Hysniun, të cilëve iu caktua edhe një mjek personal, por vetëm teorikisht, pasi praktikisht, do ishe i të gjithëve. Megjithatë, për ta kishte një fokus më të veçantë. Unë ndiqja ata dhe familjarët që jetonin me ta. Kartelat e tyre kanë qenë në atë klinikë, të mbyllura në një kasafortë dhe që përdoreshin sa herë që ata vinin për vizitë, duke shtuar shënime nga ana e mjekëve.
Kur u caktuat mjek personal i Enver Hoxhës?
Në vitin 1973, unë u caktova mjek personal i Enver Hoxhës. Shumë shpejt pasi unë shkova atje, ai pësoi infarkt të miokardit. Kjo solli nevojën e një ndjekjeje shëndetësore më të afërt. Në atë kohë kartela e tij ishte në klinikën speciale si gjithë të tjerët, por meqë kërkohej një ndjekje e përditshme për të kaluar situatën akute, por edhe në vijim me problemet që shfaqeshin më tej, ajo kartelë u mor në shtëpi, ku u hap një dhomë infermierie. Kartela ruhej pikërisht në këtë infermieri.
Kush kishte akses në të?
Ajo dilte sa herë bëheshin shënime në të, sa herë unë bëja konsulta, apo më pas nga një ekip mjekësor që u krijua pranë tij. Ekipi mbante shënime veç gjatë diskutimeve që dilnin, por kartela bazë qëndronte gjithnjë brenda shtëpisë së Enverit, e me sa di, edhe kartela e Nexhmijes. Por, vetvetiu edhe e fëmijëve besoj. Kartela ishte sekret. Diagnozat e Enver Hoxhës dhe të gjithë udhëheqësve mbaheshin sekret. Quhej sekret shumë i rëndësishëm, madje edhe midis njëritjetrit. Aty ishin edhe elektrokardiogramet, radiografitë, ekzaminimet e tij, gjithçka që lidhej me shëndetin e tyre. Gjithçka është e shkruar në kartelë, ose siç ju thashë, në një bllok të posaçëm, që mbante ekipi mjekësor. Një protokoll, gjatë diskutimeve dhe propozimeve që bëheshin.
Pra, kartela mjekësore e Enver Hoxhës është në duart e familjarëve të tij?
Në kohën që janë bërë ndryshimet e sistemeve, kartela ka qenë në shtëpi. Nuk di të them nëse ajo mbeti në familje apo gjendet në arkiv. Enveri, vonë, pasi dolën problemet me Mehmet Shehun, është interesuar të dijë se ku është dokumentacioni i tij dhe nuk donte që të kishte akses në të as drejtori i Klinikës speciale dhe as ministri i Shëndetë- sisë. Kështu që në njëfarë mënyre, ajo është mbajtur gjithnjë sekret dhe ka qenë aty. Nuk e di se çfarë u bë më pas me dokumentacionin në fjalë, kartelën, operacionet, skemën e mjekimit. Ishte edhe një infermiere që mbante po ashtu shënime për mjekimin. Puna ka qenë e mbyllur, por për Enverin është bërë autopsi dhe rezultati ka qenë shumë koherent me diagnozën tonë. Dhe gjendja klinike e shkaku i vdekjes është shënuar me hollësi në raportin mjekësor që ne lëshuam si ekip mjekësor, ditën e vdekjes dhe që u botua në gazetën “Zëri i Popullit”.
Kush e realizoi autopsinë?
I gjithë ekipi ynë asistoi në autopsi. Autopsinë e kreu anatomopatologu më i mirë që ne kishim, prof. Pëllumb Bitri. E ndoqëm me shumë interes autopsinë. E kam çmuar që Nexhmija si familjare e lejoi këtë gjë, sepse kryerja e autopsisë është në dëshirën e familjarëve. Ajo u tregua mendjehapur dhe transparente. Rezultatit të autopsisë i janë bashkangjitur të gjitha diagnozat. Pavarësisht se gjatë gjalljes së tij, për gjendjen shëndetësore të Enverit nuk ka pasur asnjë transparencë publike, pasi ishte e ndaluar, kur ai vdiq, transparenca qe e plotë. Raporti iu bë i njohur popullatës. Të mbajturit e fshehtë gjendja shëndetësore, qe në disavantazh për ne, sepse njerëzit nuk ishin të përgatitur dhe besonin që “Enver Hoxha do të jetojë sa malet”.
Ju thatë që përveç shënimeve në kartelë, mbaheshin shënime edhe më vete, çfarë ndodhi me këtë material të shkruar nga ju?
Edhe ky material u dorëzua atje. Enver Hoxha ruhej fizikisht nga një grup i madh rojesh, me në krye Sulo Gradecin. Ky i fundit kishte si detyrë të siguronte edhe sekretësinë. Ne nuk lejoheshim të mbanim shënime apo ditarë për Enver Hoxhën, se quhej sekret, por në ekipin tonë mjekësor ne vendosëm praktikën e protokollit, të cilin e mbante njëri prej mjekëve. Aty mbaheshin shënime çfarë thoshte secili prej nesh për një situatë të caktuar dhe qëndrimin që duhej mbajtur dhe shumë herë zgjidhjet ishin disa, por secila kishte avantazh dhe disavantazh dhe duhej të binim në konsensus që çdo medikament që shtonim, të ishte i miratuar nga të gjithë. Kjo ma vështirësonte punën mua si mjek personal i tij, por edhe më qetësonte, sepse evitohej subjektiviteti. Nuk ka qenë vetëm një bllok. Ngjarjet rrodhën shumë shpejt dhe nuk mësova gjë më tej. Kur ndodhën ndryshimet, unë u gjenda jashtë shtetit. Pas vdekjes së Enverit, unë kisha kaluar pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Kam qenë me studentët kur nisi lëvizja studentore dhe në atë kohë familja Hoxha i shkëputi marrëdhëniet me mua si mjek. Aty ka pasur një infermiere, Drita Domi, e cila i ka pasur kartelat, por se kush i mori blloqet me shënime dore, nuk e di. Nuk kemi bërë regjistrime me diktofon, sepse kjo ka qenë e ndaluar.
Ishin të vëzhguara konsultat tuaja?
Gjatë diskutimeve tona ndodhte shpesh që të vinte edhe Sulo Gradeci, çka unë nuk e quaja normale, pasi pavarë- sisht nga detyra që kishte, ai ishte ushtarak dhe nuk mund të kuptonte gjithmonë propozimet apo kundërshtimet që bëheshin, argumentet mjekësore. Kjo krijonte një lloj tensioni, pasi ndiheshe i survejuar nga njerëz të Sigurimit, në një kohë që duhej të ishim të përqendruar tek ana mjekësore.
Ekzistonte frika se mos debateve tuaja ai mund t’u jepte ngjyrime politike?
Nëse propozoje një medikament dhe dikush do thoshte që ky shkakton këtë fenomen anësor apo komplikacion, ai mund t’i interpretonte si rrezik. Por mjekësia është menaxhim i rrezikut, do rrezikosh diçka për të fituar diçka më shumë. Është e ditur që çdo medikament ka një efekt anësor, por këto jo gjithmonë parashikohen, mjafton që qëllimi të jetë i mirë. Por prej “frikës” se dikush mund ta interpretojë këtë qëllimisht, futesh menjëherë në psikologjinë e vetëruajtjes. Pavarësisht nga qëllimi jo i keq i Sulos, unë e kisha biseduar edhe me Ylli Popën këtë gjë, madje edhe Fejzi Hoxhën, që ishte kryesori, pasi krijonte një lloj kompleksi. Por kjo rrezikon të mos bësh atë më të mirën e mundshme.
Cilët ishin mjekët që përbënin ekipin që ndiqte shëndetin e Enver Hoxhës?
Fillimisht, ekipi ishte më i vogël: Fejzi Hoxha, Ylli Popa, Nikolla Çobani, Petrit Gaçe, më vonë u shtua Ahmet Kamberi, Sabit Brokaj dhe Hajro Shyti. Ishte një ekip i gatishmërisë. Ai kishte një mjek që e ndiqte 24 orë, një mjek kardiolog sidomos, i cili e shoqëronte edhe në zyrë. Unë pata kënaqësinë të kisha prej tij lejen të lëvizja dhe të vazhdoja kontaktet e mia profesionale në spital, pa qenë i mbërthyer, por për këtë duhej të ishte patjetër dikush tjetër që ta shoqëronte. Por duhet t’ju them se të gjithë ishin njerëz të besuar. Petrit Gaçe ishte anëtar i Komitetit Qendror, deputet, anëtar i Presidiumit të Kuvendit popullor, ishte “Hero i Punës Socialiste”, Fejzi Hoxha ishte deputet në 7 legjislatura, anëtar i Akademisë, Ylli Popa, akademik, deputet, më pas kryetar i grupit parlamentar, Ahmeti dhe Sabiti u bënë më pas ministra të Shëndetësisë, ndërsa unë vazhdova rrugëtimin tim personal. Nuk mora poste dhe kur vdiq Enver Hoxha, unë kërkova të kthehesha në spital pranë të sëmurëve dhe studentëve.
Përveç mjekëve shqiptarë, a konsultoheshit edhe me mjekë të huaj?
Kur Enveri pësoi infarkt, ka bashkëpunuar me ne edhe një ekip kinez, pavarësisht se marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë, siç u mësua më vonë, nuk ishin ato që dinte publiku dhe për situatën shëndetësore të Enverit ka pasur dijeni prof. Paul Milliez në Francë, i cili na ka ndihmuar në konsultat tona për të sqaruar situata të reja që shfaqeshin, por pa e vizituar ai asnjëherë Enverin, si mjek i tij. Ai ka qenë konsulent në parim, ose që na rekomandonte ekspertë që mund të konsultonim dyshimet tona për diagnoza të ndryshme./tesheshi.com/