Përfaqësuesja holandeze ka gjetur tashmë zëvendësuesin e Dick Advocaat-it, i larguar fundin e vitit të shkuar pasi dështoi ta çonte ekipin në Botërorin e 2018-s.
Marrëveshja mes federatës holandeze dhe Ronald Koeman-it qe arritur në parim që javën e lënë pas, për t’u zyrtarizuar vetëm ditën e sotme.
Koeman do të jetë në stolin e Holandës gjer në aktivitetin tjetër botëror të futbollit, në Kupën e Botës së vitit 2022, me synim të parë kthimin te rezultatet pozitive, të munguara prej kohësh.
54-vjeçari bëhet i shtati trajner në tetë vite për Holandën; ai më së fundi ka drejtuar Evertonin, prej nga u shkarkua në tetorin e një viti më parë.
Holanda është ekipi i dhjetë që Ronald Koeman do ta drejtojë si trajner, ndërsa ka patur të njëjtin post më parë te Viteshe, Ajaksi, Benfika, PSV Eindhoveni, Valencia, AZ Alkmari, Fejënordi, Sauthemptoni dhe Evertoni. /tesheshi.com/