Mundësia e helmimit të tij, me efekte anësore serioze, si humbja e përkohshme e shikimit, e nxjerr Roman Abramovich në ballë të publicitetit – edhe një herë, por në një mënyrë krejtësisht të ndryshme.
Sipas disa raportimeve, miliarderi rus kishte simptoma të ngjashme me disa nga negociatorët ukrainas, simptoma të cilat janë në përputhje me helmimin, pas një vizite në Kiev, në një kohë të pacaktuar në mars.
Për Roman Abramovich përflitet se ai ka humbur shikimin prej disa orësh dhe kishte nevojë për ndihmë urgjente mjekësore në Turqi.
Gjithmonë sipas komenteve të njerëzve nga rrethi i oligarkëve, dyshimet për një përpjekje të qëllimshme kundër Roman Abramovich dhe të dërguarve ukrainas mund t’i drejtohen vetëm shërbimeve sekrete ruse.
Wall Street Journal, e cila publikoi së pari informacionin, raporton se viktimat e helmimit fajësuan drejtpërdrejt rusët e linjës së ashpër dhe intransigjente, mesa duket zyrtarë të rangut të lartë, të cilët janë ngarkuar të udhëheqin bisedimet e paqes në Ukrainë.
Referuar rasteve të mëparshme të helmimit të figurave të profilit të lartë, disidentë rusë në regjimin e Putinit, lindën menjëherë dyshimet se ekzistonte një plan për të shfarosur negociatorët dhe vetë Roman Abramovich. Kjo do të bënte bujë në mbarë botën dhe me shumë gjasa do të hidhte në erë çdo ndërmjetësim nga palë të treta, si Roman Abramovich.
Skenari i tentativës së helmimit të tij nga rusët doli në një kohë kur Roman Abramovich po portretizohet si njeriu kyç që mund të ketë sukses edhe në përfundimin e operacioneve ushtarake në Ukrainë. Volodymyr Zelensky bëri thirrje për heqjen e tij nga sanksionet amerikane, duke pritur që ai të marrë rolin e ndërmjetësit në luftën që po zhvillohet.
Megjithatë, paradoksi është se emri i Abramovich është ende në “listën e zezë” të oligarkëve rusë, të cilët janë sanksionuar dhe kufizuar si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Britani. Në të njëjtën kohë, në kontrast të plotë me vlerësimin e presidentit ukrainas për ish-pronarin e Chelsea dhe besimin që e rrethon, Abramovich nuk gëzon aktualisht ndonjë butësi nga amerikanët, falë ndërmjetësimit të Zelensky-t.
Ata duken të vendosur për të persekutuar pamëshirshëm pasurinë e Roman Abramovich, si çdo oligark tjetër i pasur rus. Por kjo vetëm në teori.
Në një artikull të gjerë, New York Times zbulon me shumë detaje se si funksionon një mekanizëm i tërë përmes të cilit Abramovich bën investime të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Ai përdor një rrjet ndërmjetësuesish vitrinë që paratë e qarkulluara të mos lënë gjurmë, në mënyrë që pasuria personale e Roman Abramovich, e vlerësuar në 14 miliardë dollarë, të mbetet e mbrojtur nga kontrollet, taksat etj.
Roman, paqebërësi
Por sipas një raporti të gazetës financiare amerikane The Wall Street Journal me informacione direkt nga prapaskenat e Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden pranoi kërkesën e homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të përjashtuar Roman Abramovich nga sanksionet. Zelensky thuhet se i tha Bidenit se “Abramoviç mund të jetë një ndërmjetës kyç në ndërprerjen e armiqësive dhe në negociatat me Putinin”. Kjo ngjarje e çuditshme ka ndodhur në ditët e para të marsit. WSJ citon dëshminë e njerëzve që ishin të pranishëm ndërsa Biden kishte një bisedë të drejtpërdrejtë telefonike me Zelensky-n.
Biseda mes dy liderëve u zhvillua fjalë për fjalë në orën pesë, ndërsa Departamenti Amerikan i Thesarit po përgatitej të bënte një njoftim publik për “listën e zezë” të manjatëve rusë, të cilët do të vuanin hakmarrjen për luftën agresive të vendit të tyre. Sapo mbaroi takimi, Biden urdhëroi menjëherë që shpallja e masave të anulohej – ose, të paktën, të shtyhej. Tre fuqitë më të mëdha perëndimore (SHBA, BE, Britania) duhej të koordinoheshin dhe, në një deklaratë të përbashkët, ta bënin të qartë se po luftonin së bashku kundër manjatëve rusë dhe oborrit të Vladimir Putinit. Por kjo nuk ndodhi kurrë.
Sanksionet kundër Roman Abramovich u shpallën në mënyrë të pavarur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar më 10 mars dhe nga BE-ja disa ditë më vonë. Shtetet e Bashkuara devijuan nga linja e përbashkët, thjesht sepse Zelensky kërkoi imunitet për Abramovich. Duke supozuar se telefonata nga Kievi në Uashington është bërë saktësisht siç përshkruhet, pyetja tjetër që lind është se pse Zelensky i mbështet shpresat e tij te Roman Abramovich?
Në kërkim të një shpjegimi, elementi i parë është komenti i përfaqësuesit të miliarderit rus, se “për sa i përket negociatave dhe veçanërisht nëse duam që ato të jenë të suksesshme, nuk na ndihmon të komentohet procesi apo përfshirja e z. Abramovich. Siç është theksuar më parë, zoti Abramovich po bën të pamundurën për të rivendosur paqen sa më shpejt të jetë e mundur, pasi ai po merr kërkesa nga komunitetet hebraike në Ukrainë.”
Roli i Izraelit
Referenca për elementin hebre nuk është as e rastësishme dhe as e parëndësishme: si Abramovich ashtu edhe vetë Zelensky janë me prejardhje hebreje, ndërsa kryeministri izraelit Naftali Bennett, në ditët e para të luftës, bëri një përpjekje disi të vakët për të bindur P-në të ndalonte goditjen e Ukrainës, duke udhëtuar vetë për në Moskë. Pra, ka shumë të ngjarë që Volodymyr Zelensky të vë bast, jo vetëm për Abramovich si një njeri i afërt me Putinin, por edhe si figura ideale për të shfrytëzuar ndikimin e Izraelit.
Në fund të fundit, një nga tre kombësitë e Roman Abramovich është ajo izraelite; ai zotëron prona në atë vend dhe u strehua atje pasi iu vendosën sanksione nga Britania dhe BE. Dhe të parët që pretenduan një status të veçantë lehtësimi për Abramovich, ishin një grup përfaqësuesish të organizatave fetare dhe bamirëse izraelite, të cilët i shkruan një letër ambasadorit të SHBA në Tel Aviv. Anëtarë të shquar të shoqërisë izraelite kanë bërë thirrje që Roman Abramovich të hiqet nga “lista e zezë” e oligarkëve, sepse, siç thuhej në kërkesë, “ai është një nga sponsorët më të mëdhenj të Muzeut të Holokaustit Yad Vashem”.
Pa bërë të ditur shumën e saktë, vlerësohet se dhurimi i parave të Abramovich për të mbështetur Yad Vashem arrin në disa milionë dollarë. Nga ana tjetër. dihet mirë se Roman Abramovich po financon iniciativa të ndryshme bamirësie në Izrael, duke ofruar deri më tani rreth 500 milionë dollarë. /tesheshi.com/