Nga Bardha Nergjoni
Ai mund të konsiderohet pa dyshim fotografi i historisë së vonë të Shqipërisë. Një “Marub” gjirokastrit, një “njeri-galeri”, i cili nëpërmjet objektivit të aparatit fotografik ka arritur të fiksojë imazhe të lëvizjeve të dhjetorit 90-të, që nuk kanë thjesht një vlerë historike por edhe një vlerë artistike, pasi çdo shkrepje e ka një mendim.
Roland Tasho është me plot gojën fotograf i mendimit. Me profesionin është lidhur fare rastësisht, por ka ardhur për të qëndruar e për të lënë gjurmë. Ndoshta ishte nga ata fatlumët që rastisi në vendin dhe kohën e duhur, por qe nuk mund të jetë vetëm çështje fati. Fatin duhet ta kërkosh. Politikanët e sotëm i ka fotografuar në kohë të ndryshme. Liderin historik të Partisë Demokratike, Sali Berishën, e ka fotografuar gjatë ushtrimit të profesionit si mjek, në lëvizjet e dhjetorit 90-të; por fotografia e famshme që i tregon bashkë dy liderët, tashmë diametralisht të kundërt, mban firmën e tij. Rolandi fotograf nuk është vetëm kaq. Ai pa nëpërmjet objektivit lëkundjet e mëdha, dhimbjet dhe emocionet, shëtiti vendet më të dashura të fotografisë, i tregoi perëndimit, Shqipërinë dhe dëshirën e saj për demokraci. Sot ai e mendon fotografinë si projekt. Ka realizuar “Vajzat e ikura” në dy kohë, dëshiron të vendosë edhe personazhet e lëvizjeve demokratike sërish në dy periudha, megjithëse ka hequr dorë qysh nga nisja për t’i vënë përballë Ramën dhe Berishën. Arsyen pse dhe shumë detaje nga jeta e fotografit të njohur shqiptar sillen nëpërmjet njw interviste për tesheshi.com.
Si ratë në kontakt me profesionin tuaj të jetës, fotografinë?
Jam lindur e rritur në Tiranë. Kam mbaruar gjimnazin “Partizani”. Shkolla e lartë më doli për oficer, por nuk kisha ndonjë orientim drejt këtij profesioni, kështu që nuk e vazhdova dhe vendosa të shkoj ushtar. Kur u ktheva nga ushtria vazhdova edhe universitetin, por ndërkohë rastësisht mësova se ekzistonte si profesion fotografia dhe fillova të punoj si fotograf në vitin 1982. Nuk kisha asnjë orientim familjar apo trashëgimi. Kam punuar si fotograf në periudhën e ndërtimit të muzeut të Enver Hoxhës, e njohur si Piramida. Në vitet 85-86 u punësova tek revista “Ylli”, një revistë kryesore në atë kohë dhe punova aty për disa vite. Në atë kohë fotografonim personazhe të njohur të jetës politike, por edhe profesionistë të njohur. Kam fotografuar Sali Berishën kur ishte mjek në 87 apo 88-ën.
Ju keni bërë shumë foto të lëvizjeve studentore dhe demonstratave që sollën ndryshimet e mëdha politike. Si arritët të fotografonit këto momente kur ekzistonte ende frika?
Në atë kohë kishte fotografë, pasi çdo institucion kishte fotografin e vet, por dikush për shkak të politizimit, dikush prej frikës, nuk arriti të bënte kaq fotografi sa kam bërë unë, prandaj e kam si gur të çmuar atë arkivë. Kishte shumë frikë në atë kohë. Unë isha djalë i ri dhe i kisha qejf ndryshimet. E ndjeja dhe, me atë entuziazmin e të riut rrezikova për fotografi që ndoshta tani nuk do t’i bëja më.
Momenti i rrëzimit të Hoxhës ishte një moment i cili do të më mbetet gjatë në kujtesë. Deri atëherë njerëzit kishin pak a shumë frikë të fotografoheshin. Ndërsa në momentin kur ra busti, më kujtohet që të gjithë mu afruan që t’i fiksoja në fotografi me dy gishtat lart. Pra ra frika dhe njerëzit u liruan… Më kujtohet një djalë i ri që nxori një flamur pa yll dhe ishte hera e parë që pashë një gjë të tillë.
Një rol të rëndësishëm luan edhe ruajtja e arkivës. Si keni klasifikuar dhe ruajtur fotografitë e rëndësishme?
Në punën tonë, pjesa e ruajtjes është një çështje profesionale. Me kalimin e kohës arkivi zë një vend të rëndësishëm. Unë punoj shumë me fotografitë e arkivës. Me kalimin e kohës fillon i analizon dhe synon realizimin e një projekti. Fotografinë e ndajmë në atë është sot për sot, dhe pjesën arkivore.
Vazhdon të jesh një fotograf aktiv edhe sot?
Kam qenë gjithmonë dhe vazhdoj të jem fotograf aktiv. Mendoj se puna që kam bërë më ka ndihmuar të jem në kontakt me shumë njerëz. Kam qenë pjesë e medias deri në 2002 dhe mendoj se edhe kjo ka ndikuar në realizimin e shumë fotografive.
Keni fotografi që do t’i veçonit si më të dashurat apo më të rëndësishmet?
Në punën tonë, megjithëse kemi një mori fotografish të rëndësishme, disa fotografi janë më të dashura. Një pjesë e mirë të fotove të dashura të miat janë nga lëvizjet 90-të. Po gjithashtu ka edhe të tjera kryesisht nga ngjarjet e mëdha si ndryshimet demokratike, lufta e Kosovës, etj.
Ju keni prezantuar Shqipërinë nëpërmjet fotografive në shumë qytete europiane. Ku ju kanë vlerësuar më shumë?
Kam ngritur shumë ekspozita jasht në Itali, Belgjikë, Francë, etj. Gjatë këtyre ekspozitave mësova të bëj dallimin, dhe po kështu mësova mbi vlerat e fotografisë. Franca mbetet vendi më i tërhequr dhe entuziasmuar nga fotografia. Pas ekspozitës atje më ofruan një bursë nga bashkia e Parisit. Atëherë e vlerësova realisht fotografinë. Kur bëra ciklin me shqiptarët e suksesshëm në Francë, vendi që më hapi dyert ishte “Cite internacionale des Artes”, ku edhe ka qëndruar edhe Edi Rama apo Inva Mula. Është e mrekullueshme të jesh në qendër të Parisit dhe të jesh gjithmonë në kontakt me artin. Kudo je i rrethuar me artistë. Idea e “Cite” ishte bashkim artistësh. Është një eksperiencë unike për mua, dhe pa atë nuk do ta vlerësoja kështu si e vlerësoj tani fotografinë. Iki gjithmonë në Paris sepse e kam shumë frymëzues këtë qytet, jo thjesht për bukurinë, por për vlerësimin që merr atje.
Keni fotografuar këdo, madje edhe yje të Hollivudit…
Në punën tonë të rastis plot madje edhe të pamundurit t’i fotografosh. Ata që mendoja që nuk mund t’i takoja ndonjëherë, mu be e mundur dhe t’i fotografoj. Fotografi hyn kudo, madje kam fotografuar edhe lindjen e fëmijës. Pra janë të rralla gjërat që nuk i kemi fotografuar. Kam bërë 10 libra fotografikë të qyteteve shqiptare por edhe të huaj. Është një nga profesion që të bën të takosh njerëz, të njohësh kultura. Kam qenë deri në Argjentinë, Amerikë dhe në të gjithë Europën me fotografinë.
Çfarë e dallon një fotograf profesionist nga moria e fotografëve sidomos në kohët e sotme?
Një profesionist duhet të mendojë si fotograf. Dikur më kanë thënë duhet të shikosh si fotograf. Pas 34 vitesh në këtë punë, them se duhet të mendosh si fotograf. Unë tani fotografinë e mendoj si një projekt, si mund të krahasoj, të kombinoj, të detajoj. Pra fotografia është një proces, t’a mendosh si projekt, ta fotografosh e në fund ta publikosh. Duhet të mendosh se për çfarë duhet ta realizosh fotografinë.
A e ndihmon teknologjia fotografinë?
Sot është mundësia për të pasur pajisje të mira. Më parë nuk kishte të bënte shumë aparati por ajo që thashë më sipër. Ka sot fotografë që mendojnë teknologjinë të parën. Më ka ndodhur që të më pyesin sa megapiksel e kam aparatin. Për mua kjo nuk ka rëndësi. Unë isha i fundit që futa aparatin dixhital sepse ma kërkuan. E rëndësishme për mua është që aparati të jetë i thjeshtë që të më shërbejë mua.
Për çfarë mendon se që u bëre i famshëm si fotograf?
Të njohur më bëri puna. Nuk kërkova famë, por puna më nxorri më në sipërfaqe. Asnjëherë nuk bëra kërcime të menjëherëshme. Sa për cilësi të lindur, mendoj se kam seriozitetin. Punën e marr me shumë seriozitet, i jap rëndësinë e duhur çdo gjëje. Jam shumë korrekt. Këtë disiplinë e kam nga familja.
Po sigurisht që ju keni ndarë nga masa disa foto të papërsëritshme?
Kam ndarë 10-të që i kam më për zemër. Në punë e sipër të del një foto më e bukur. Një foto shprehëse do patjetër të kesh një ngjarje, një ngjarje të madhe. Fotografitë e Kosovës në vitit 1999 mendoj se kanë qenë të rralla. Kur ka ngjarje të mëdha ka edhe foto shumë të mira. Të qëllosh në momentin e duhur është e rëndësishme, por edhe t’i bësh yzmetin. Pati edhe shumë fotografë të tjerë në vitet 90-të që mund të bënin fotografi por dikush kishte frikë, dikush ishte i punësuar…
Si i siguronit filmat në atë kohë? Dhe keni ndryshuar shumë aparate?
Nuk ishte shumë e vështirë për të siguruar filma. Kryesisht na i siguronin miqtë në Kinostudio, të cilët kishin filma me metrazh të gjatë. Kishte mënyra për t’i gjetur privatisht. Nuk ishte problem.
Nga fillimi e deri tani mund të jenë 7-8 aparate që kam ndërruar. Kishte aparate të mira atëherë. Duke punuar për revistën “Ylli”, kishim mundësinë që të kishim aparate me format të madh, asembland, që realizonin foto shumë të mira.
Cili ka qenë projekti më interesant që keni ndërmarrë dhe do të vazhdoni të punoni?
Projekti në dy kohë është fort i dashur për mua. Gjatë punës si fotoreporter në vitet 1982-1990 kam fotografuar vajza e gra të njohura në fusha të ndryshme, mjekësi, arsim, shkencë, art dhe në fusha të tjera, si dhe shumë studente të mira në universitete. Ato përveçse të dalluara ishin dhe pjesa më e bukur e Tiranës së asaj kohe. Mbas ndryshimeve politike që ndodhën në vendin tonë, të viteve 1991 shumë nga këto vajza u larguan në vende të ndryshme të botës. Duke u marrë prej vitesh me emigracionin shqiptar në botë. Ritakoj këto vajza të cilat me punë e përkushtim të madh janë të njëjtat në profesione pune si kanë qenë dhe në Shqipëri. Janë takime interesante se i kam fotografuar para viteve ‘90 dhe tani pas vitit 2010. I kam fotografuar ditën e parë të shkollës me lule në dorë dhe tani me diplomë në dorë, të marrë në universitete prestigjoze në botë me rezultate të shkëlqyera.
Këtë gjë dua ta bëj edhe me fotografitë e Lëvizjeve Studentore. Kam biseduar me Afrim Krasniqin, Skënder Minxhozin, Edvin Zhvarcin dhe më kanë konfirmuar. Janë dakort që t’i rifotografoj e të bëj një krahasim, ku janë e si kanë ndryshuar. Këtë projekt do ta realizoj së shpejti.
Ju keni realizuar edhe fotografinë e famshme të Berishës dhe Ramës në këto lëvizje. Do mund t’i vini përballë?
Është e pamundur dhe unë vetë nuk do ta kërkoja t’i fotografoja të dy. Ka raste kur nuk duhet pasi edhe fotografia del e sforcuar. Nuk ngulmoj për këtë lloj fotografie.
Keni preferuar të punoni si fotograf i pavarur. Pse?
Më janë ofruar edhe punë të mira në institucione, por pjesa kur je i lirë është shumë më mirë sesa kur je i varur nga dikush.
Projekti më i afërt?
Në muajt mars-prill do të hap një ekspozitë kushtuar qytetit të Budapestit.
Keni ndonjë peng?
Pengun e vlerësimit të një fotografie. Ka raste kur mi kanë marrë fotografitë, dhe duke mos ja ditur shumë rëndësinë i kam lënë të shkojnë. Po të dini sa fotografi janë marrë e tjetërsuar do të duhej një libër më vete për t’i treguar. /tesheshi.com/