Nga Bardha Nergjoni
Puna e dorës është nga cilësitë e grave shqiptare që i ka shërbyer shumë Ritës në rrugën e drejt një marke me emrin e saj, një punim i klasit të lartë dhe tepër i kërkuar nga Italia e së fundi edhe nga shqiptarë. Ajo realizon këmisha me porosi, por nuk është thjesht një rrobaqepëse. Ato janë realizuar me aq mjeshtëri sa kur në jakën e këmishës prisni të shihni marka të shquara italiane, do të zbuloni se ajo mban emrin e gruas që kujdeset deri në detajin më të imët që veshja më e preferuar nga meshkujt të jetë perfekte, unike dhe prej materiali cilësor.
Rita Narazani ka lindur dhe është rritur në Durrës, për t’u larguar si emigrante në Itali në vitin 1991. Fati deshi që ajo të fillonte punë në një rrobaqepësi të nivelit shumë të lartë, si nga cilësia e punimeve ashtu edhe të copave. Në këtë rrobaqepësi, Rita “armatoset” me njohuritë dhe përvojën e duhur për të hapur një rrobaqepësi të vetën, këtë herë jo në Itali për në Durrës. U deshën më shumë se 20 vjet që ajo të krijonte këtë laborator të prodhimit të këmishëve dhe bashkë me të birin kujdeset që porositë të jenë unike dhe të kuruara në çdo detaj.
Duart e saj punojnë mrekullisht këmisha që nuk do ta besonit kurrë se mund të realizohen nga një person i vetëm. Ekspertja e këmishave, me mjeshtërinë e saj ka krijuar klientët jo vetëm në Itali ku duhet sa e vlerësojnë këmishën, por edhe këtu në Shqipëri. Bashkë me stafin e saj, rrobaqepësja që ka vendosur markën dhe emrin në këmishë, përmbush porositë duke vendosur moto që e bëjnë punën e tyre unike dhe të pazëvendësueshme: “Nëse na sillni një këmishë si e jona, atëherë ne jua falim tonën”, është shprehja që shoqëron si garanci punën e Ritës , e cila është e para femër shqiptare që ka markën e saj të këmishëve të punuara me porosi.
Duke treguar eksperiencën e saj, Rita sjell detajet e një pune artizanale në një treg ku fallset mbizotërojnë.
Rita, ju tashmë keni krijuar një markë tuajën për këmishët me porosi. Kur filluat të merreni me punimin e këmishëve?
Jam rritur në një familje ku puna e dorës ishte shumë e rëndësishme dhe zanatin e kam trashëguar nga nëna ime e cila i bënte të gjitha me dorë dhe ishte shumë e kujdesshme për detajet. Si shumë shqiptarë edhe unë emigrova. Ishte viti 1991 dhe sapo kishte filluar eksodi i shqiptarëve. Fillova punë në një rrobaqepësi të një niveli shumë të lartë ku cilësia e punës dhe e copave që përdornim ishte e nivelit maksimal.
Kur vendosët të ktheheni në Shqipëri dhe pikërisht në Durrës?
Rrobaqepsia në Breshia ishte vendi ku u specializova dhe sigurisht dhashë kontributin tim pasi është e ditur që gratë shqiptare janë shumë të zonjat për punën e dorës. Duke krijuar një eksperiencë dhe duke përdorur aftësitë e mia për realizimin e këmishave, pizhamave, bokserave, etj., vendosa që të hapja një rrobaqepësi të këtij niveli në qytetin tim të lindjes, në Durrës, ku realizoj porosi edhe për Italinë. Jam kthyer në Shqipëri pas më shumë se 20 vjetësh eksperiencë. U bënë 4 vjet këtu dhe prodhojmë këmisha jo vetëm për italianë por edhe për shqiptarë.
Cilat kanë qenë vështirësitë e para pas kthimit në Durrës?
Vështirësitë janë një gjë e zakonshme në një treg ku 99% e veshjeve janë fallso. Jam e para që kam futur në Shqipëri cilësinë më të lartë të një punimi, si dhe për pëlhurat e markave më të rëndësishme që ekzistojnë në botë si Thomas Mason, D:J, Anderson, Rubinelli, Albiate, etj. Këmisha është emblema e elegancës tek një mashkull, prandaj në Itali përdoret shumë dhe dihet që Italia është nëna e modës. Eleganca ka filluar të hyjë edhe në Shqipëri, ku shumë njerëz kërkojnë dhe preferojnë të bukurën.
Sa e vështirë është të përballeni me markat e famshme?
Marka jonë është e re dhe nuk ka krahasim me markat e njohura. Mund të mendojë çdokush, që ne jemi në humbje ende pa filluar loja. Por pikërisht aty ne bëjmë dallimin mes prodhimit artizanal dhe atij industrial. Për të mbështetur cilësinë, kemi edhe një moto për cilindo që ka blerë një këmishë sado të shtrenjtë në tregjet botërore: “Nëse sillni një këmishë më cilësore se e jona, tonën e keni falas”. Pra jemi të bindur për çka realizojmë tek një këmishë duke filluar nga fija dhe duke mbaruar tek kopsat.
Çfarë e bën të veçantë këmishën që prodhoni ju?
Nuk mund të flas asgjë për artizanët e tjerë, por mund të them se ne e vëmë shumë rëndësi gjërave të vogla që çdo gjë të jetë në vendin e duhur. Për shembull: në një këmishë me vija, të gjitha vijat duhet të përputhen.
Cila është ëndrra juaj më e madhe dhe këshilla që mund të jepni nisur nga eksperienca personale?
Ëndrra ime është që të gjithë shqiptarët të veshin të paktën një këmishë nga tonat. Kam 25 vjet që qep këmisha për persona të rëndësishëm dhe të biznesit në Itali dhe kohët e fundit atij shqiptar.
Këshilla ime është një thënie e famshme e Honore de Balzak: “I shëmtuari mbulohet, i pasuri e budallai stolisen, ndërsa elegantët vishen”. /tesheshi.com/