Preç Zogaj u pa sot të fliste nga çadra e opozitës, në PD-në e tij, aty ku e nisi karrierën politike, për të dalë e hyrë disa herë pa droje. Është nuk në llojin e vet, për disa arsy edhe jo vetëm për zig-zaket politike ….
Preç Zogaj është njënga “pardesytë e bardha” të tribunave të vitit 1990 dhe themelues i Partisë Demokratike, por marrëdhënia me këtë parti, më saktë me kreun historik të saj Sali Berisha, ka qenë një marrëdhënie dashuri-urrejte.
Por duke folur sot nga çadra e protestës së opozitës e ngritur në sheshin para Kryeministrisë, Preç Zogaj prompovoi dhe një herë rikthimin e tij pranë PD-së.
Në rrugëtimin e tij politik që nga 90-a deri sot, ai ka ikur dhe është kthyer në këtë parti disa herë, ndërsa përjetoi dhe një periudhë dhe aleancë me Edi Ramën.
Por kush është politikani-shkrimtar, i vetmi që ka pranuar mëkatin e bashkëpunimit me sigurimin e shtetit në kohën e komunizmit dhe pse Zogaj e gjen veten gjithmonë në PD pavarësisht vuajtjeve që i ka shkaktuar kjo parti?!
Zhgënjimi i parë me Berishën
Nga tribunat e lirisë në sallën e autokracisë. Zogaj së bashku me miq të tjerë intelektualë themelues të PD-së, e kuptuan shpejt se Sali Berisha nuk ishte si ta, ai kishte tiparet e autokratit dhe “liria” për të cilën kishin luftuar fort nuk ishte kaq e lehtë të fitohej brenda partisë së parë pluraliste në vend.
Ai u bë ministër Kulture në Qeverinë e Stabilitetit ‘91, por ashtu si disa ministra të tjerë të PD-së dukej se Berisha i kishte vënë aty për t’i djegur më vonë.
Në vitin 1992 pas mosmarrëveshjeve me këtë të fundit, Zogaj së bashku me miqtë e tij Arben Imami, Arben Demeti, Perikli Teta, Edmond Trako, Ridvan Peshkepia u përjashtuan nga partia. Ata krijuan Aleancën Demokratike por që nuk arriti të kishte peshën e një partie me ndikim në elektorat, edhe pse shihej si partia e ajkëssë intelektualëve të cilët nuk mbijetuan dot më “Berishizmin rapsodik e vulgar”.
Pas disa flirtimeve me pushtetin e majtë pas këtij largimi, as atij dhe ndoshta as Berishës nuk do t’ia kishte marrë mendja se pas një dekade do të riktheheshin sërish në të njëjtin kamp politik.
Nga pushteti në opozitë
Preç Zogaj është një politikan që nuk ka pasur probleme me ndërgjegjen e tij politike që të kalojë nga njëri krah politik në tjetrin. Kur s’ka qenë dakord me Fatos Nanon e qeverisjen e tij ka zgjedhur të kalojë tek e djathta në opozitë; kur PD-ja ka ardhur në pushtet ai ka kaluar sërish tek e majta në opozitë duke u bërë zëdhënës i koalicionit të Ramës. Pikërisht kur nga e majta po frynte era e pushtetit në vitin 2013 Zogaj vendosi të largohej duke i shkruar letrën e famshëm Ramës ku nuk i pranonte flirtin me LSI-në. Tani sërish ai po e gjen veten në opozitën e radhës, falë afrimit me kreun e ri të demokratëve, Basha. Prej disa vitesh Zogaj po bënte më shumë jetën e shkrimtarit dhe publicistit. Afrimi i parë me Bashën ishte prania e tij në promovimin e librit të fundit me poezi të Preçit para dy vitesh. Në shkrimet e tij Zogaj ka kritikuar qeverisjen e Ramës dhe ka bërë një lloj këshilltari në distancë për Bashën.
Rikthimi i parë publik pranë PD-së për Zogajn ishte viti 2003 kur ai u shfaq në krah të mikut të tij të vjetër, Spartak Ngjela. Ngjela kandidonte për kryetar bashkie, si një përpjekje e PD-së për të konkuruar Edi Ramën që ishte në kulmin e tij si kryebashkiak. Më pas Zogaj u rikthye së bashku me ish-themelues të tjerë me anë të KOP-it të famshëm të krijuar nga Berisha në prag të zgjedhjeve të korrikut 2005, të cilat e rikthyen në pushtet. Në pranverën e vitit 2005, u rikthyen Gramoz Pashko, Genc Ruli, Arben Imami, Preç Zogaj, thuajse gjithë mocionistët e viti 1992 dhe kundërshtarët e mëvonshëm të Berishës si Genc Pollo, Tritan Shehu e të tjerë.
Larja e hesapeve me të kaluarën
Preç Zogaj mund të jetë ndër të paktën politikanë të pas ’90-ës që ka tentuar të lajë hesapet me të kaluarën komuniste. Është i vetmi që ka pranuar se kur ishte fare i ri ka pranuar të bëhet bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe ka kërkuar që të hapë dosjen e tij që e vërteta të dalë deri në fund. Ndërsa Berisha kurrë s’ka thënë një fjalë për fotot e tij me ish-bllokmenët dhe me familjen e diktatorit Enver Hoxha, Zogaj ka folur gjerë e gjatë për historinë e tij duke tentuar t’i lajë duart nga e kaluara.
Ndërkohë, ai u ridivorcua prej PD-së pas zgjedhjeve të vitit 2009, pasi e pa veten “jashtë loje” në listën e kandidatëve të Lezhës duke u zëvëndësuar me Uldedajn.
Në tre vite të opozitës së Ramës, ai u bë një ndër mbrojtësit më të flaktë të kauzave të saj dhe një kritik po aq i flaktë i Berishës tek i cili është kthyer sërish.
Letra e Zogajt për Ramën kur po krijohej aleanca PS-LSI
“Në vjeshtën e vitit 2009rrugët tona politike u takuan në shqetësimin e mospërmbushjes së standardeve zgjedhore në zgjedhjet e atij viti. Aty mori jetë lëvizja ndërpartiake për transparencën e zgjedhjeve dhe, më tej, një opozitë gjithnjë e më e bashkuar, që kishte për qëllim të qëndronte fort përballë qeverisë së tavolinës Berisha-Meta dhe të përgatiste alternativën e fitores në përballjen elektorale me të.
Kemi ecur së bashku në udhëtimin që kanë parë gjithë shqiptarët. Në ditët e saj më të mira Opozita e Bashkuar ka qenë për vendin fuqia dhe shpresa. Falë saj vëmendja dhe ndjeshmëria ndërkombëtare për zgjedhjet u ngritën në nivelet më të larta; mori jetë një alternativë fitimtare, e aftë për të mundur qeverinë Berisha-Meta me frymë, me program, me etikë, me moral, me numra.
Përkrah jush dhe kolegëve të tjerë të nderuar opozitarë kam dhënë edhe unë kontributin tim në aulat e opozitarizmit dhe në media për këto qëllime. Kjo ka qenë dhe mbetet një periudhë e vyer për angazhimet e mia politiko-qytetare. Unë ju falenderoj nga zemra për respektin që keni treguar ndaj meje, edhe pse kam pasur statusin e një individi të lirë në këtë tryezë.
Kam qenë i bindur se duke ruajtur kohezionin e brendshëm të partive përbërëse dhe duke u zgjeruar me forca të reja opozitare, që kanë spikatur ndërkohë në skenën politike, Opozita e Bashkuar i kishte të gjitha letrat dhe numrat për të fituar zgjedhjet e vitit 2013, pa qenë nevoja t’i zgjaste paraprakisht dorën një partie qeveritare. Unë e kam zhvilluar e mbrojtur gjatë këtë pikëpamje pranë jush, tashmë pa sukses. Fitorja e zgjedhjeve si opozitë pushoi së qëni bindja juaj. Me argumentin e bashkimit për fitoren, ju i keni drejtuar sot një ftesë për koalicion parazgjedhor LSI-së. Personalisht, duke përshëndetur largimin e LSI-së nga qeveria, do të kisha preferuar votimin veç e veç të kësaj force politike dhe të Opozitës së Bashkuar. Publikut nuk i duhet hequr mundësia të gjykojë me votë, drejtpërsëdrejti, histori politike të rralla si kjo e LSI-së gjatë këtyre katër viteve. Është e drejta juaj të mendoni ndryshe. Është e drejta juaj të ndërtoni koalicionet që i mendoni me të efektshme në funksion të marrjes së pushtetit.
Por ftesa që i keni drejtuar një partie qeveritare në fund te mandatit qeverisës prodhon në rrafshin politik efekte të tjera, që nuk mund të mos mbahen shënim.
Me koalicionin PS-LSI bie koncepti i Opozitës së Bashkuar ashtu siç e kemi konceptuar e siç ka funksionuar deri tani; bie në pjesë të tëra të strukturës së saj Rilindja si emri i alternativës së PS-së; bie opsioni i aleancës antiregjim, bie opsioni i tejkalimit të Berishës si mendësi qeverisëse, bie kuptimi i garës elektorale si një përballje midis opozitës dhe qeverisë. Fushata dhe termat e saj mbeten për t’u përcaktuar nga e para. E vetmja gjë logjike në këtë zhvillim është bashkimi pragmatist i dy të majtave.
Në këto kushte, me historinë politike që kam dhe për shkak të qëndrimeve publike që kam mbajtur për shumë ngjarje të këtyre katër viteve, e konsideroj të përfunduar angazhimin tim në koalicionin tuaj të derisotëm dhe të parinovueshëm vazhdimin në koalicionin tuaj të ri.” /tesheshi.com/