Në mesin e mandatit të parë të qeverisë së Sali Berishës, u vu re një rezultat pozitiv në ekonomi, ku nisën që të instalohen në Shqipëri investime të rëndësishme të huaja, kryesisht në prodhimin e çimentos.
Qeveria “Berisha” në atë kohë dha një numër të madh liçensash prodhimi çimentoje në shumë pjesë të Shqipërisë.
Erdhën në atë kohë konsorciume të rëndësishme dhe në ajër ndihej një optimizëm për të investuar.
Berisha e mori qeverinë në vitin 2005 me një rritje ekonomike 6% që vinte jo vetëm nga qeveria e Fatos Nanos, por nga një boom i industrisë së ndërtimit që përjetoi edhe kulmin e saj.
Ndërtimi i Rrugës së Kombit me injektimin e rreth 1 miliardë eurosh u prit me shumë shpresë se do të sjellë një lumë likuiditeti në ekonomi që do të ndikonte në vende pune dhe lëvizjen e biznesit.
Në atë kohë publiku e perceptoi këtë si një shpresë dhe ndodhi një boom marramendës kredish nëpër banka.
Por investimet u kanalizuan pjesa më e madhe në bare dhe në restorante.
Fabrikat e çimentos u ndërtuan, investuan dhe u përgatitën që jo të mbushnin tregun shqiptar, i cili nuk ka shumë probleme, por për të eksportuar në Europë.
Berisha, i cili priste edhe gazësjellësin TAP që u negocua që në ato vite, kishte projektuar në kokën e tij në boom të madh investimesh që do t’i jepnin PD-së ndoshta tre mandate të plota rresht qeverisjeje.
Kjo ndikoi edhe në një arrogancë politike, jo vetëm me opozitën por edhe me një pjesë të Partisë Demokratike.
Por gjërat nuk shkuan siç e mendonte Berisha. Shpërthimi i krizës financiare të vitit 2008 prishi të gjitha planet.
Edhe pse pasojat e asaj katastrofe në Shqipëri nisën të hyjnë më vonë, i pari sektor që prekej ishte industria e çimentos. Në Europë ndërtimi u paralizua fare.
Në Shqipëri pas dy vitesh industria e ndërtimit hyri në kolaps; pallatet e ndërtuara mbeten pa shitur, ndërkohë që kompanitë ishin zhytur në kredi.
Berisha nuk ndali, por kreu një numër të madh investimesh publike duke mos i paguar kompanitë, duke krijuar kështu një borxh të madh, që për pak e futi ekonominë shqiptare në një skenar grek.
Edi Rama që erdhi në pushtet në vitin 2013, gjënë e parë që bëri me konsulencën e një nga ekonomistëve më të mirë në botë, një profesori të Harvardit, auditoi borxhin dhe i dha FMN-së pushtetin që të bëntë inventarin e të gjithë këtij borxhi.
Kundër çdo parashikimi, Rama përdori një kredi të FMN-së pikërisht për të paguar kompanitë e punëve publike.
Ky veprim nuk i dha rezultatet shpejt, por mbylli një hendek dhe krijoi një frymëmarrje për industrinë e ndërtimit.
Dy vitet e para të qeverisë “Rama” ishin shumë traumatike ekonomikisht pasi u shoqëruan me luftë të tatimorëve për të mbledhur taksat dhe shtrënguar rripin e biznesit, një fushatë e egër për të mbledhur të gjitha paratë e papaguara të faturës së energjisë që ishte në vetvete një zhvillim që prodhoi edhe drama të mëdha sociale.
Por Rama, duke vepruar më shumë si i djathtë se i majtë nuk toleroi, madje rrezikoi edhe të humbë popullaritetin.
Në fund, në krye të dy vjetëve, kjo fushatë dha një rezultat që disiplinoi marrëdhënien dhe mentalitetin e biznesit me shtetit, duke e bërë faturën tatimore si një “të keqe të domosdoshme” që askujt nuk i shkoi mendja ta mënjanonte.
Por ajo që i dha një dorë të konsiderueshme Edi Ramës ishin natyrisht investimet e mëdha të nisura nga qeveria “Berisha”, të cilat nisin të japin frytet e tyre.
Disa madje ishin që nga koha e Ramiz Alisë, si hidrocentrali i Banjës. Por në krye natyrisht qëndron Gazësjellësi TAP, që vitin e shkuar kreu investimin më të madh duke injektuar në ekonominë shqiptare mbi gjysëm miliardi euro.
Dhe ironia e fatit do të ishte pikërisht ajo që Berisha e kishte pasur si “shtyllë” të aksionit ekonomik: fabrikat e çimentos.
Prej disa muajsh në Shqipëri po kryhet një volum kolosal i prodhimit të çimentos, çka sjell edhe një lëvizje paralele në shumë sektorë të lëndëve të para, atyre ndihmëse, pagesave korrente etj., që në fund sjellin injektim të rëndësishëm në ekonomi.
Vetëm në ditët e fundit, në portin e Durrësit po vijnë sasira shumë të mëdha qymyri me anije, material që përdoret nga industria e çimentos për të prodhuar disa produkte të çimentos për ndërtim, siç janë materialet e reja për sovatim dhe hidroizolim etj.
Pra kërkesa për ndërtim po shtohet gjithnjë e më shumë, dhe jo thjesht në tregun vendas por bëhet fjalë për eksport, për të cilin janë ndërtuar këto fabrika çimentosh.
Gazetari me shumë eksperiencë, Thanas Mustaqi, i cili njihet si ekspert i zhvillimeve në portin e Durrësit prej 25 vjetësh tashmë, shkruan në faqen e tij për këto zhvillime duke dhënë fakte të thjeshta që merren nga kapiteneria e Portit.
“Sikurse bën të ditur dispeçeria e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të personit juridik publik Autoriteti Portual Durrës” (APD), më 6 tetor 2017 në kalatën10 të Terminalit Lindor do të bregëzohet anija ‘Yuanning Sea’, e ndërtuar në Kinë, me pronësi dhe menaxhim të një kompanie kineze, por e regjistruar në Panama (flamur panamez). Kjo anije e madhe do të shkarkojë 24 193 tonë qymyr. Agjencia detare dhe spedionere e këtij mjeti lundrues është “Pelikan”, kurse shkarkimin do të bëjë kompania koncesionare gjermane EMS APO.
Nuk ka problem për t’u manovruar në portin e Durrësit nga kanali hyrës deri në kalatën 10, pasi peshkimi / zhytja e anijes është 7,5 m. Kjo anije ka 189.94 m dhe gjerësi 32.26 m.
Anija “Yuanning Sea” është nisur nga porti italian e Venecies, sot, të enjten, më 5 tetor 2017, ora 08:42. Shpejtësia e saj varion nga 8.2 nyja (15.1 km/orë) deri në 10.6 nyja (19.6 km/orë)”, shkruan gazetari Thanas Mustaqi .
Pra bëhet fjalë për një sasi prej 25 mijë tonë qymyr. Vetëm pak ditë më parë, po ky gazetar raportonte për një sasi të përafërt me qymyr.
Ndërkaq, Autoriteti Portual i Durrësit, në një nga raprtet e tij për hyrje daljet tregonte për sasinë e çimentos që importohet dhe eksportohet në Shqipëri.
Sipas njoftimit: të dielën, më 1 tetor 2017, në Terminalin Lindor anija “Vela I” po ngarkonte 2 700 tonë çimento të paambalazhuar, pa thasë, e destinuar për eksport.
Fill pas kësaj anijeje do të hyjë për ngarkim anija-linjë “Sirios Cement 1”, që do të ngarkojë 12 500 tonë po çimento të paambalazhuar për eksport. Anija “Sirios Cement 1” ka hyrë në portin e Durrësit 17 herë gjatë këtij viti, duke u ngarkuar mesatarisht me 10 mijë tonë çimento për eksport në çdo lundrim.
Në periudhën janar-korrik 2017 nga porti i Durrësit janë transportuar drejt porteve të tjerë afro 194 mijë tonë çimento për eksport, një sasi 6.5 herë më e madhe se sa ajo që është ngarkuar në anijet e transportit gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2016, njofton zëdhënësi i portit, gazetari i mirënjohur Gëzim Kabashi.
Çimentoja e prodhuar në fabrikat pranë Fushë Krujës dhe që shfrytëzohet për industrinë e ndërtimit, i është drejtuar më pas porteve të Margheras (Itali) dhe të Maltës.
Nga ana tjetër, grosistë të ndryshëm importojnë si çimento me thasë ashtu dhe e paambalazhuar, ndonëse prodhimi vendas tejkalon nevojat e Shqipërisë dhe eksporton. Kështu, më 3 tetor 2017 parashikohet të mbërrijë anija “Gulf City” që do të shkarkojë 3 390 tonë çimento importi pa thasë.
Por këtyre lajmeve i vjen një tjetër zhvilim në Durrës, i cili është kthyer në një nyjë te fortë nevralgjike këto ditë.
Në port ka mbërritur një ekip i një nga gjigandët e prodhimit dhe tregëtimit të çementos nga Turqia, që është edhe kompani shumë e fuqishme në tregun ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për korporatën ÇIMSA Cement me qendër në Stamboll, të cilët u interesuan për kushtet e përpunimit të aijeve me çimento që mbërrijnë në portin më të madh të Shqipërisë.
Siç duhet zhvillimet e mësipërme do të sjellin edhe më tepër lajme ekonomike.
Po përse duhet e gjithë kjo çimento? Natyrisht ajo nuk shkon për shtëpia apo pallate, por kryesisht volum i madh krijohet kur ka nuhatje për investime të mëdha publike si rrugë, gazësjellësa apo investime të tjera të mëdha infrastrukturore.
BE sapo ka dhënë paratë e para për autostradën Nish-Prishtinë, ndërkohë që priten fondet për Korridorin e Kaltër, si dhe për linjat hekurudhore të premtuara nga Angela Merkel në samitet e zhvilluara që nga viti 2014 me krerët e Ballkanit.
Dhe Durrësi sipas të gjitha gjasave do të jetë nyja bazë e këtyre zhvillimeve, duke sjellë mallrat e duhura për punime. Kjo ndodhi edhe me TAP-n, ku në portin më të madh u ankoruar materialet dhe jo në Selanik apo Pire.
Biznesi e ndjen i pari aromën e parave dhe investimeve, ndryshe nuk do të nxitonte. /tesheshi.com/