Nga Bashkim Kastrati
Muaji tetor ka qenë shumë i kushtueshëm sa u përket faturave të energjisë elektrike. Qytetarë të shumtë janë ankuar për “fryrje” të faturave nga ana e Shërbimit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS). Ata thonë se kanë pritur që këto fatura të vijnë më të lira, për shkak se është ulur TVSH-ja për energjinë elektrike, por në fakt u ka dalë e kundërta.
Qeveria e Kosovës ka marrë muaj më parë vendimin që TVSH-ja për rrymën elektrike të përgjysmohet nga 16 në 8 për qind, duke synuar që t’u vihet në ndihmë konsumatorëve me fatura më pak të fryra.
Por konsumatorët e KEDS-it thonë se faturat e energjisë elektrike vazhdojnë të jenë të larta, madje më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur TVSH-ja paguhej 16 për qind.
Një qytetar i Prishtinës, i cili nuk dëshironte të identifikohej, ka thënë për faqen tonë, tesheshi.com, se fatura e muajit tetor është e shtrenjtë dhe e papërballueshme. Sipas tij, ai është munduar që ta kursejë rrymën, por fatura i ka ardhur më shtrenjtë se zakonisht.
“Faturën për muajin tetor e kam pritur me vlerë më të ulët, kurse më ka ardhur rreth 70 euro. Unë nuk harxhoj shumë rrymë, se nuk kam edhe aq pajisje në shtëpi, dhe përdor drurin për t’u ngrohur. Kam ndërmend të bëj ankesë për të parë mos është bërë ndonjë gabim. Kemi shpresuar që me uljen e kësaj TVSH-së të ulet pak çmimi, por, siç po shihet, kostoja e rrymës do të jetë prapë e lartë,” ka treguar ai.
Ndërsa një tjetër qytetar thotë se muaji tetor i është faturuar me një vlerë të madhe, e se kjo kosto është e papërballueshme për xhepin e tij.
“Më ka ardhur fatura 80 e diçka euro. Muajt e kaluar rregullisht më ka ardhur më e lirë, por nuk e di pse këtë muaj është më shtrenjtë. Ndoshta është bërë ndonjë gabim, sepse edhe fqinjit tim para një kohe i pati ardhë një faturë e shtrenjtë, dhe i kanë thënë se inkasantët nuk e paskan marrë gjendjen në rregull, dhe pastaj kur i kanë marrë numrat kanë dalë shumë kilovatë të shpenzuar. Nëse vazhdon kështu me tarifa të dimrit, veç me punue për të paguar rrymën,” u shpreh ai.
Fatura të “fryra” ka pasur edhe në vitet e shkuara
Qytetarët kanë shprehur kohë pas kohe ankesat e tyre kundër faturave të energjisë elektrike. Në fillim të vitit 2013 u protestua për më shumë se një javë kundër “fryrjes” së faturave, dhe qe hamendësuar se ka pasur manipulime me tarifat, përkatësisht me llogaritjen e kilovatëve, pasi që sasia e kilovatëve përcakton edhe çmimin. Pra, numrat e njehsorëve janë marrë me vonesë, dhe kur janë kalkuluar kanë dalë kilovatë më shumë, e rrjedhimisht ka dalë çmimi më i shtrenjtë i energjisë elektrike. Ka patur raste kur fatura ka ardhur deri në pesëfish më e lartë se në muajin paraprak. Gjithashtu, pas shqyrtimit të disa ankesave, qenë gjetur edhe disa gabime në faturim.
Protesta kundër faturave të larta të KEDS-it ka pasur edhe në fillim të këtij viti, kur qindra qytetarë kanë protestuar para selisë së kësaj kompanie, duke shprehur pakënaqësinë për çmimin e faturave. KEDS-i vazhdimisht ka deklaruar se do ta shqyrtojë secilën ankesë për të parë se a ka pasur ndonjë gabim, ndërsa insiston se qytetarët paguajnë për aq sa shpenzojnë.
Duhet shpjeguar se ka dallim në çmim në periudha të ndryshme kohore. Sezoni dimëror fillon nga 1 tetori deri më 31 mars, kurse sezoni veror fillon prej 1 prillit deri më 30 shtator. Për sezonin dimëror, tarifa e lartë A1 aplikohet në afatin kohor 07:00 – 22:00, kurse tarifa e ulët A2 zbatohet në fashon kohore 22:00 – 07:00. Ndërsa, për sezonin veror, tarifa e lartë aplikohet nga ora 08:00 – 23:00, kurse tarifa e ulët prej orës 23:00 – 08:00. Tarifat e rrymës po ashtu janë të ndara edhe në disa nëntarifa të tjera, në bazë të sasisë së shpenzuar brenda një muaji.
Oda Ekonomike e Kosovës e pakënaqur me KEDS-in
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) si asociacioni më i madh i komunitetit të biznesit në Kosovë, në emër të anëtarësisë ka shprehur shqetësime për disa veprime të cilat po i ndërmerr KEDS-i.
OEK-u angazhohet kundër tarifave dimërore për kompanitë prodhuese, pasi që një gjë e tillë paraqet ngarkesë të rëndë për prodhuesit vendorë, e rëndon pozitën edhe ashtu të pavolitshme të tyre.
Ka edhe disa veprime të tjera, të cilat, sipas OEK-ut, shkaktojnë shqetësim te komuniteti i biznesit.
OEK-u konsideron se KEDS-i duhet ta shikojë me përparësi çështjen e maksografëve, pasi ajo është mënyrë e dëmtimit flagrant dhe të panevojshëm të konsumatorëve nga bizneset vendore.
“Eshtë e papranueshme kërkesa që me ndryshimin e rregulloreve të kërkohet që pajisjet e trafove të cilat më herët janë pranuar nga KEK-u, gjegjësisht Distribucioni i KEK-ut, të ndërrohen në tërësi, pasi që pajisjet aktuale i plotësojnë të gjitha kriteret e nevojshme tekniko-teknologjike dhe ligjore. Gjithashtu OEK-u angazhohet kundër tarifave shumë të larta për pranimin e fuqisë harxhuese të pajisjeve në kompanitë prodhueseve dhe shërbyese,” thuhet në reagimin e OEK-ut.
Sipas OEK-ut, përfaqësuesit e kompanive vendore akuzojnë KEDS-in se po manipulon me deklarata se kinse KEK-u ka kërkuar që asetet private të barten në pronësi të KEDS-it. OEK-u konsideron se për komunitetin e biznesit është e papranueshme që asetet me forcë më të madhe se 10 KW, të cilat i blejnë dhe i sigurojnë kompanitë, të barten në pronë të KEDS-it, posaçërisht duke pasur parasysh se, në krahasim me KEK-un, si kompani në pronësi të vendit, KEDS-i është kompani private, e cila në këtë mënyrë po e rrit kapitalin e vet pa investime vetjake.
“Komuniteti i biznesit do t’i parashtrojë këto dhe kërkesa të tjera në ditët në vijim para institucioneve relevante të Republikës së Kosovës, do të kërkojë respektimin e dispozitave ligjore dhe marrëveshjes së privatizimit të KEDS-it, si dhe do të angazhohet fuqishëm në parandalimin e keqpërdorimit nga ana e KEDS-it,” thuhet në reagimin e OEK-ut ndaj KEDS-it. /tesheshi.com/