Lëvizja më e re politike e Agron Dukës, ajo duke marrë Partinë Agrare, nuk është thjesht një marrje e postit të lartë të kryetarit të një partie, por një manovër që pritet të krijojë polin e katër politik në Parlament.
Do jetë një grup parlamentar që do të mbledhë deputetë nga PS-ja, PD-ja, aleatët e palëve, e që në bashkëpunim me Idrizin e PDIU-së, pritet të provokojnë një tërmet në Kuvend, ku mundet të krijohet një mazhorancë prej dy të tretave për të miratuar reformën për drejtësi, por me një kusht të fortë: që Edi Rama të mbështesë Fatos Nanon për t’u bërë President i Republikës.
Pas tentimit të dështuar në dy herët e para, ish-kryetari historik i PS-së ka marrë dhe dhënë mesazhe të rëndësishme me “armikun” e tij, Edi Rama, i cili në kongresin e Partisë Socialiste ka vlerësuar më shumë se dy herë parardhësin e tij në selinë rozë.
Dhe vërtet, ç’i shkrepi Ramës që të potenconte emrin dhe rolin e Nanos në PS, gjersa është investuar fort, jo vetëm për ç’faktorizimin e tij në parti, por dhe në gjithë jetën politike shqiptare.
Por ja që jo gjithçka ka përfunduar. Mësohet se Rama dhe Nano janë takuar edhe në një vaki në Malësinë e Madhe, për të marrë pjesë në ngushëllimin për ndarjen nga jeta të ish-kryebashkiakut të Koplikut.
I ndjeri ka qenë mbështetes besnik i Fatos Nanon dhe ka pasur probleme me Edi Ramën, por ky i fundit bëri një vlerësim të rëndësishëm post-mortum.
Të ndodhur në ngushëllim, Rama dhe Nano janë përshëndetur në fillim kortezialisht me njëri-tjetrin, por më pas mësohet janë ulur e kanë folur në një ambient lokali me njerëz që kanë marëdhënie të mira mes palëve.
Rama, të mërkurën anuloi dy emisione televizive ku kishte konfirmuar pjesëmarrjen: Zululand-in e Mustafa Nanos dhe Tonight-in me Ilva Taren, për të marrë pjesë në ngushëllimin e ish-kryebashkiakut.
Ndërkaq, mësohet se ish-kryetari Fatos Nano është takuar dhe me vëllezërit Duka e një grup biznesmenësh të njohur në një nga lokalet në qendër të Tiranës.
Sipas asaj që është menduar, plani i Fatos Nanos është që të ndërtojë një grup parlamentar të paktën me 10 deputetë të cilët janë të domosdoshëm për të siguruar mazhorancën prej 93 parlamentarëve që duhen për të miratuar ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi.
Dhe nëse ndodh kjo, atëherë Edi Rama kalon klasën e reformës, por do të duhet të bëjë pazar të rëndë edhe me Fatos Nanon e Agron Dukën, i cili një “big” të familjes së tij, kunatin Lefter Koka e ka në qeveri si ministër i Mjedisit.
Krijohet pra kështu një pol i fuqishëm politik në parlament.
Por jo vetëm kaq, pasi siç mësohet, pjesë e këtij grupi janë disa deputetë të Partisë Demokratike që tashmë janë lënë jashtë nga ana e Lulzim Bashës.
Pikërisht kjo ka krijuar një acarim të skajshëm tek ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha, pasi e ç’faktorizon në një farë mënyrë opozitën me numrat e saj.
Dy mbledhjet e fundit të grupit parlamentar të PS-së ka pasur shumë përplasje të brendshme dhe deduksione për largime të mundshme. Megjithatë, Agron Duka sapo e ka filluar lëvizjen: i iku Fatmir Mediut dhe pritet që të fillojë “fushatën e blerjeve”…
Përgatiti: Ermir Hoxha – /tesheshi.com/