Bardha Nergjoni
Rexhep Uka, apo siç e njohin të gjithë Rexhi Uka, është shembulli i të riut shqiptar që sëmundjen e fëmijërisë dhe sakrificën e prindërve të tij, i ktheu në forcë dhe vullnet për t’u bërë një shkencëtar në fushën e bioteknologjisë. Vitet e shumta në spitale nuk e larguan nga kjo fushë, përkundrazi. Ai studioi shkëlqyeshëm bioteknologji dhe është sot një ndër doktorantët më të rinj që i është bashkuar shkencës në Zyrih të Zvicrës. Djaloshi nga Durrësi nuk është ai tipi që fle e zgjohet mbi libra. Rexhi ka një jetë me shumë ngjyra. Është karizmatik, me plot shoqëri, i pëlqen të udhëtojë, të provojë eksperienca të reja dhe të njohë sa më shumë kultura. Ka krijuar tashmë fansat e tij dhe është shembull për të rinjtë për mënyrën se si e shikon botën dhe për mendimet e tij të zgjuara. Për të gjithë ata që nuk e njohin, Rexhi vjen nëpërmjet një interviste për tesheshi.com
Rexhi, zakonisht të rinjtë e rrugës së shkencës janë ndryshe, më të diferencuar dhe larg të përditshmes. Ju si ndjeheni?
Nuk ndjehem “sapientone”, përkundrazi. T’ia lemë këtë epitet atyre që e meritojnë vërtet. Ndjehem një njeri, të cilit i pëlqen të bëjë punën e tij dhe investoj shpirtin dhe pasionin në çdo gjë që bëj, nga kërkimi shkencor, sipërmarrja e deri tek politika. Jam kurioz. Lakmoj dijen. Këtë, po. Më pëlqen të përballem me çdo argument apo tematikë, të çdo lloji. Më pëlqen të di pak nga të gjitha. “sapientonet” janë të tjerë, unë jo. Unë jam një kurioz në këtë botë. Kam uri për njohjen, dijen.
Ke shumë miq?
Po, po. Shumë, shumë fare. Duke qenë se kam jetuar në vende të ndrshme të botës kam shumë të njohur me të cilët përpiqem të mbaj raporte të mira, edhe pse jemi në distancë për mijëra kilometra. Jam një qenie sociale. Më pëlqen të rri në shoqëri, të konfrontohem dhe të njoh histori, jetë, situata të ndryshme. Por miqtë e mi më të mirë, ata që i konsideroj “vëllezërit” e mi, numërohen me gishtat e një dore. Ka periudha në të cilat më pëlqen të qëndroj vetëm: për të reflektuar, menduar, për të vëzhguar. Nuk dua shumë njerëz përreth meje. Kam nevojë për hapësirat e mia, privatësinë time. Kam nevojë për heshtjen time.
Nuk më pëlqejnë njerëzit që gjykojnë, personat siperfaqësorë, ato që drejtojnë gishtin duke sulmuar me fraza pa njohur mirë një person. E pra, përpiqem të evitoj këto tipa njerëzish edhe pse kam të bëj me ta çdo ditë.
Prej pak kohësh kam nisur të kem edhe fansat e parë që më shkruajnë mesazhe, letra, që më marrin si shembull për gjërat që them dhe që shkruaj, për mënyrën se si mendoj. Gjithësesi mendoj se jam një shembull i keq(qesh). Shaka. Ndjehem mirë.
Si është e përditshmja jote?
Frenetike dhe jo e qëndrueshme. Shumë e paqëndrueshme. Kjo sepse jam unë që dua të jetë kështu. Jam unë që kërkoj paqëndrueshmërinë. Lodhem shpejt me monotoninë. Ndërkohë që të gjithë 30-vjeçarët në moshën time kërkojnë një jetë stabël, unë kërkoj një jetë jo të qëndrueshme. E di që është një problem, të cilin herët a vonë duhet ta përballoj, por tani për tani jam mirë kështu. Nuk dua të rritem akoma….
Gjithësesi jeta ime është shumë normale: punoj, vij në shtëpi, biseoj me miqtë, por mbi të gjitha punë, shumë punë. punoj 9-10 orë në ditë në laborator.
Kthehem në shtëpi e ndjek punët e mia personale: start-upi im i artit, organizimi i udhëtimeve për të rinjtë. E më pas ndonjëherë fle. Gjëja që më mungon është gjumi. Fle pak fare.
Prindërit e tu janë krenarë? Si ndjehesh përballë tyre? Në borxh? Mirënjohës?
Mendoj se ndjehen krenarë. Në fakt e shpresoj. Nuk ja kam bërë ndonjëherë këtë pyetje. Ndoshta do të duhet t’i pyesësh vete. Nuk është se flasim shumë për këto gjëra, edhe sepse nuk shihemi shumë.
Ata nuk e shfaqin shumë krenarinë, por më shtyjnë të bëj gjithmonë më të mirën. Por mbi të gjitha më ndjekin, më ndjekin në gjithçka. Më thonë gjithmonë të stabilizohem, por unë i them që nuk është ende momenti. Dua të bëj të “çmendurin” edhe për pak.
Përballë prindërve ndjehem shumë krenar dhe mirënjohës për gjithçka kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë për mua. Janë shembulli i jetës sime, si nga këndvështrimi i prindërve ashtu edhe si punëtorë. Shpresoj të jem një ditë sa gjysma e asaj që ishin ata për mua e uroj të kem gjithmonë përuljen dhe kurajon e tyre.
Kam lexuar që je një person që të pëlqen shumë të udhëtosh. Ke plane lëvizjeje? Ku do të shikojmë së afërmi?
E dëshiroj fuqimisht të udhëtoj. Sapo mundem, si për motive pune ashtu edhe për motive të tjera, vendos dy gjëra në valixhe e nisem. Ja mbath nëpër botë qoftë në një udhëtim dy ditë apo një javë. Më pëlqen të njoh kultura të ndryshme, njerëz, tradita dhe mendime të ndryshme. Më pëlqen të përballem me njerëz që kanë një qasje të ndryshme nga unë. Më pëlqen të eksploroj vende të reja duke marrë avionë, trena, anije, gjithçka… kam vizituar tani për tani 30 vende. Kam jetuar në 4 shtete të ndryshme (Shqipëri, Itali, Amerikë, e tani Zvicër).
Nuk më pëlqen të bëj plane afatgjata pasi nuk më pëlqen të programoj gjërat. Më pëlqen të jetoj të tashmen. Nuk di ku do jem pas një viti, 5 apo 10 vitesh. Jam pak mbrapsht e nuk përjashtoj asgjë. Dua të vizitoj Azinë dhe Afrikën. Kultura e Lindjes më ka mahnitur gjithmonë. Është një kulturë misterioze. Dua ta jetoj, ta njoh. Këtë verë do të jem në Spanjë, ku punoj prej 6 vjetësh në çdo verë dhe e konsideroj shtëpinë time të dytë, në Greqi e Kroaci për të organizuar udhëtime verore për 3 mijë studentë.
E vetmja gjë negative e udhëtimeve të mia, është se llogaria ime bankare është gjithmonë bosh, për fat të keq. Por jam i bindur se kush udhëton pasuron zemrën e sytë dhe zgjeron mendjen.
Në një intervistë ke thënë se je “një mi laboratori”. Ke menduar ndonjëherë t’a lesh laboratorin?
Po, jam ndjerë të tërhiqem shumë herë. Mendoj se është normale. Puna e një kërkuesi shkencor është një ndër më frustruesit, absolutisht. Mund të punosh për muaj, vite e mos të arrish asgjë, asnjë rezultat.
Harxhon energji, para, kohë për të mos pasur në dorë asnjë rezultat. Mund të ndodhë. Por këtu vjen vullneti, kokëfortësia, dëshira, sakrifica e atëherë nuk heq dorë. Është një sfidë. Duhet të arrish në finish. Duhet ta bësh me të gjitha forcat dhe vullnetin se do ja dalësh.
Kam refuzuar edhe oferta nga politika për të vazhduar si mi laboratori. Për aktivitetet e tjera është gjithmonë nata duke hequr ca orë gjumi për të ndjekur dhe punuar për pasionet dhe të tjera fusha interesi.
Në fakt, në luftën kundër kancerit janë vite të tëra studimesh nga shkencëtarë, por ende nuk ka një kurë përfundimtare. Mendoni se do të vijë shpejt?
Është e vërtetë. Kanceri studiohet prej vitesh, por për fat të keq deri tani nuk ka një kurë përfundimtare e aftë për të nënshtruar këtë sëmundje. Duhet thënë në fakt se është reduktuar numri i personave falë diagnozës së shpejtë. Personat që goditen nga tumoret sot, jetojnë më gjatë e me një cilësi jete normale falë medikamenteve të gjeneratës së fundit. Janë bërë shumë hapa përpara. Ka shumë për të bërë akoma. Njerëzit mendojnë se ne shkencëtarët kemi formulën magjike për çdo lloj sëmundje e pretendon nga ne zgjidhje efikase dhe të menjëherëshme. Nuk është kështu për fat të keq. Ne punojmë shumë duke investuar vetveten por nuk mund të them nga sot, nesër do të kemi kurën për kancerin apo për të gjitha sëmundjet.
Kam besim të plotë tek progresi shkencor, përndryshe nuk do të bëja këtë që bëj dhe jam i bindur se jo mbas shumë kohësh do të kemi kurën “ad personam” për çdo lloj kanceri. Është ai drejtimi i kërkimeve shkencore dhe është drejtimi i duhur drejt të cilit duhet shenjestruar.
Po çfarë ëndërron të bësh në jetën tënde?
Kjo është një pyetje, të cilës mund t’i përgjigjem për orë të tëra e nuk do të mjaftontonte e gjithë gazeta për të shkruar të gjithë atë që ëndërroj të bëj në jetën time. Kam qenë gjithmonë i bindur se janë ëndrrat që i bëjnë njërëzit e mëdhenj që bëjnë botën të ecë përpara. Pa ëndrrat jeta do të ishte bosh. Për mua, ëndërroj të kem sy për t’u mrekulluar e çuditur përballë mrekullisë së jetës. Ja kjo është ëndërr. Është një ëndërr e madhe, sepse nëse ëndrrat nuk janë të mëdha nuk janë të denja të quhen ëndrra.
Për 2016 kam më shumë dëshira se ëndrra. Më e madhja dëshirë është të jetoj jetën çdo sekondë, sepse është një mrekulli jeta, e ne jemi protagonistët. Dëshira e dytë është të arrij të thyej më shumë celularë se marrëdhënie.
Ke një qytet që e do veçanërisht?
Dua çdo qytet, në të cilin kam jetuar periudha pak a shumë të gjata në jetën time. Çdo qytet është i lidhur me kujtime të veçanta, njerëz që kam njohur he miqësi të ngushta. Ështëi lidhur me dashuri të kohës më pas të përfunduara keq. Nuk ka një qytet në veçanti që më përfshin. Ndjehem mirë në çdo vend e përshtatem në çdo situatë. Qyteti në të cilin kam kujtime të mrekullueshme është Venecia. E dua Venecian. Kam jetuar e punuar për 6 muaj aty. E kam parë edhe nën dëborë. Shumë e bukur. Më pas Nee York, Barcelonë, Zyrih, Amsterdam, Paris. Ju thashë që më pëlqen të udhëtoj?(qesh)
Po qyteti yt i lindjes, Durrësi si të duket?
Durrësi është qyteti im. Im me “I” të madhe. Është qyteti ku aventura ime nisi. Qyteti ku linda. Atje ku nisa të eci e të flas. E mbaj në zëmër, gjithmonë. Kudo që shkoj. Kur mundem, rikthehem me shumë dëshirë.
Ndonjëherë ndjehem i huaj, sikur të mos jetë e imja. Kam ikur i vogël. Nuk më kujtohen shumës gjëra e nuk e njoh shumë. Por e ndjej timin, gjithmonë. Në Durrës kam të afërm, kushurinj. Në Durrës janë dhe varret e gjyshërve të mi. Durrësi është një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Do të jetë edhe në të ardhmen. Shpresoj të kthehem një ditë. Tani për tani është akoma shpejt.
A ka një njeri tjetër që ke dashur ose do më shumë pas prindërve?
Jo nuk ka një njeri në veçanti. Jam shumë i lidhur me të gjithë ata që kanë hyrë në jetën time me dëshirë apo gabimisht. I jam mirënjohës edhe atyre që kanë hyrë e kanë mbetur në jetën time, por edhe atyre që kanë hyrë e kanë dalë. Kisha nevojë edhe për to. Kam mësuar të krijoj mardhënie me çdo tip. Gjithësecili ma ka mësuar diçka dhe e kam kthyer në një vlerë. Dëgjoj gjithmonë këshillat e të gjithëve, edhe pse në fund bëj sipas kokës sime, për fat të keq apo për mirë. E deri tani më ka ecur mirë. Motra ime është një pikë qëndrore në jetën time. Është një pikë referimi dhe jam shumë e lidhur me të. Është jeta ime. E vetmja gjë që shpresoj gjithmonë është, që personat që bëhen pjesë e jetës sime të mos luajnë me zemrën time.
Ishte vetëm sëmundja që ke pasur i vogël apo ambienti ku ke jetuar arsyeja që u bëre shkencëtar?
Nuk ka një arsye të veçantë që më shtyu të bëhem kërkues. Nuk e mbaj mend cila ishte arsyeja në fillim. Normalisht, sëmundja dhe ambienti spitalor në të cilin kalova fëmijërinë time kanë ndikuar shumë. Në fakt duhet ta urreja atë ambjent por realisht është bërë pika ime e forcës. Doja të kisha një lloj hakmarrjeje. Por jeta bën të ndërmarrësh disa zgjedhje dhe unë zgjodha. Më pëlqeu dhe sot jam këtu për të paguar pasojat si pozitive dhe negative.
Objektivi juaj më i rëndësishëm?
Ndër objektivat aktualë janë të përfundoj doktoraturën e të lançoj një platformë web restArt! për të bërë të njohur artistët e rinj (piktorët, skulptorët, fotografët, etj.) në publikun e madh. Është një projekt që e kam studiuar kur isha në SHBA dhe e vazhdoj prej tre vjetësh. Vitin e kaluar kam fituar një çmim të rëndësishëm për idenë më të mirë të sipërmarrjes së të rinjve që tani më jep mundësinë ta konkretizoj idenë. Kam qëllim ta bëj restArt! një platform e-commerce më të mirë në botë për tregëtinë e artit. Jam ambicioz dhe ëndërrimtar. Jam i bindur që nuk ka përfunduar kurrë deri atëherë sa nuk e do ti. Në fund të fundit “nuk mund të zbuten ëndërrimtarët”.
A ka qenë problem për ju të qenit shqiptar? Nëse jo, të ka ndihmuar apo të ka kushtëzuar?
Për fat të keq diskriminimi bën pjesë në natyrën njerëzore dhe injorancën në të cilën jemi të gjithë të përfshirë e askush i përjashtuar. Po, më kanë ndodhur disa episode diskriminimi në adoleshencë dhe më parë dhe më pas kur kërkoja punë. Por për mua ishte mjaftueshëm normale që të ishte kështu. Gjatë viteve ne shqiptarët kemi bërë një emër të keq, e ky emër shpesh është përdorur nga politikanët për të akaparuar vota duke e bërë të huajin një e keqe nga e cila duhet të mbroheshin. Sot po shkojmë drejt një integrimi, edhe pse ka shumë rrugë për të bërë sidomos nga Italia që është akoma larg asaj që kanë bërë vendet e tjera në drejtim të integrimit. Emigrimi duhet parë si një burim për tu shfrytëzuar dhe jo si një diversitet nga i cili duhet të mbrohesh.
Duhet mësuar të mendohet me terma globalë e jo me terma rajonalë apo të nacionalizmit. Sot mund të bëhet një “branch” alla angleze, të kesh një komunikim me skype me një koleg në SHBA, të drekosh me sushi, e ndërkohë që je në aeroplan mund të realizosh një telekonferencë me një mik në Brazil, ndërsa je duke iu përgjigjur edhe pyetjeve në një intervistë në Shqipëri. Pra bota pak a shumë lëviz drejt këtij drejtimi dhe është injorancë sot të diskriminosh një individ nga prejardhja. Kam qenë gjithmonë krenar se jam shqiptar dhe çdo fitore të vogël personale ja dedikoj Shqipërisë. Duhet luftuar për një integrim më të mirë dhe jam i bindur që gjeneratat e reja mund të japin një kontribut të madh në këtë drejtim që do të thotë të çojnë përpara procesin e integrimit duke na bërë krenarë për faktin se jemi shqiptarë.
Kush është Rexhi Uka
Rexh Uka ka lindur në Durrës. ,Ka pasur një fëmijëri të vështirë për shkak të një sëmundjeje të rëndë, por sot me të krenohen dy vende, Italia dhe vendi i origjinës, Shqipëria. Së fundi ka përfaqësuar Italinë por edhe Shqipërinë në “Reprasentative Young Leader”, në Samitin e udhëheqësve të rinj në Luksemburg. Ai u përzgjodh nga komisioni i Luksemburgut mes 5500 kandidaturave të të rinjve italianë.
Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për shqiptarin e dashuruar pas kërkimit shkencor, jeta e të cilit përveç Shqipërisë ka si stacione edhe Zvicrën, Italinë dhe SHBA-në.
I dashuruar me punën e tij kërkimore për sëmundjen e kancerit, ai shquhet edhe për idetë në fushën e sipërmarrjes, ide që janë vlerësuar në konkurrimet kombëtare e ndërkombëtare.
Prindërit e tij u nisën drejt Italisë me një motopeshkatore në shtator të vitit 1991. Motivi i vetëm ishte shëndeti problematik i djalit të vetëm, Rexhit. Ata lanë në Durrës vajzën më të vogël, Adën, dhe bashkë me Rexhin 6-vjeçar u nisën drejt së panjohurës. Dr. Giovanni Neri, drejtor i spitalit të fëmijëve “Bambin Gesu” në Romë. Familja e tij fillimisht vendoset në San Donato, një qytezë afër Romës.
I ati, një nga këngëtarët e talentuar të viteve 1960 në Durrës, punon si murator për të mbajtur familjen. Njëlloj sakrifikon edhe e ëma, një nga mësueset e nderuara të fizikës në Durrës. Rreth tyre, njerëz të mirë, të cilët kur Rexhi ka shenjat e para të përmirësimit, iu ofrojnë të jetojnë dhe punojnë në Brescia, në veri të Italisë.
Me familjen bashkohet edhe Ada e vogël, të cilën për disa vite e rritën gjyshërit në Durrës. Rexhi mbërrin në moshën universitare me rezultate të shkëlqyera, por synimi i tij nuk është mjekësia.
Studion Bioteknologji mjekësore në Universitetin e Studimeve në Padova, e po ashtu edhe në Institutin “Mario Negri” të Bergamos.
I rritur mes mureve të spitalit, Rexhi nuk e urren atë. Por, sidoqoftë, bindet se po të bëhej mjek do të ishte përfshirë emocionalisht në këtë profesion.
E punësojnë shumë shpejt në Institutin Onkologjik të Venecias, ku i përkushtohet studimeve të kancerit. Ndërkaq, mbërrin një ofertë pune nga SHBA. Djaloshi nga Durrësi punon për një vit në Comprehensive Cancer Center, (Universiteti Shtetëror i Ohajos), në Kolumbus, ku i ofrojnë edhe doktoraturën PhD.
Por Rexhi ka plane të tjera. Nuk i pëlqen qyteti amerikan dhe vendos të konkurrojë për të fituar të drejtën e studimeve në Universitetin e Zyrihut për t’u rikthyer në Europë. Fiton vendin e parë mes 13 mijë konkurrentëve dhe aktualisht frekuenton vitin e dytë të programit në Cancer Biology.
Në Itali fiton një çmim të rëndësishëm për idenë më të mirë të sipërmarrjes dhe përgatit një biznes pranë fushë së artit, ndërsa udhëheq në të njëjtën kohë një komunitet studentësh italianë, me të cilët organizon udhëtime në 6 vende të Evropës. Por ajo që i ka dhënë një impuls të ri jetës së Rexh Ukës ka qenë pjesëmarrja në Samitin e Luksemburgut.
Ka qenë një sfidë e shumëfishtë për djaloshin shqiptar që përfaqëson Italinë, por që edhe në tavolinën e rrumbullakët të bisedimeve mes liderëve të rinj të Evropës dhe Azisë nuk harron të vendosë në gjoks flamurin shqiptar. /tesheshi.com/