Një shkrim me natyrë investiguese mbi ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, realizuar nga gazetari i ri Merxhan Daci, e shndërroi vartësen e Edi Ramës në qeveri në “tabelë qitjeje” për disa ditë me radhë, duke u goditur me numrin simbol “700 euro”, i shenjuar në shkrim si shifra më përfaqësuese e abuzimit në udhëtimet e saj jashtë vendit, pasi aludohet se me të tilla ajo është akomoduar në hotele luksoze. Shkrimi ofronte faturat, në fakt këto të fundit jo të zbuluara por të ofruara nga vetë dikasteri i Gjonajt për gazetarin. Më pas vjen dhe reagimi i ministres, e cila u mbrojt duke thënë se shifrat në fatura nuk i referohen asaj si person por të gjithë stafit dhe se përfshijnë shumë zëra shpenzimesh. Gjithsesi pra, ministrja Gjonaj i rrëzon pretendimet e gazetarit në investigimin e tij, e ku pra, si armë të fortë ka faktin se faturat i janë dhënë nga vetë ministria pa asnjë rezervë, porse do duhej pyetur më në detaj për to, shifrat e atyshme.
Ky është rasti për të kujtuar një shkrim të afro 10 viteve më parë, jo 100 përqind investigues por një kombinim mes investigimit dhe analizë-sintezës, ku përdoren burime legale. Fjala është për udhëtimet e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Autori, Lorenc e Vangjeli, përdor aty dhe metodën e krahasimit, duke iu referuar udhëtimeve të Sekretarit britanik të Mbrojtjes. Por ajo çfarë mbetet e armë e fortë e gazetarit përballë të akuzuarit, është heshtja e këtij të fundit, ndryshe pra nga Gjonaj që vendosi të mbrohet.
Shkrimi i plotë:
Mediu, ky ministër fluturues
Ka thyer çdo rekord. Rekordi i tij është thjesht i pabesueshëm. Brenda një periudhe pak më tepër se dyvjeçare, Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, ka udhëtuar plot 135 herë jashtë shtetit me një mesatare matematike prej 4.2 udhëtimesh në muaj, që do të thotë pak më shumë se një udhëtim jashtë shtetit në javë. Duke marrë si mesatare tri ditë zgjatje qëndrimi dhe udhëtimi, për një nga këto udhëtime (ka pasur dhe të tjerë që kanë zgjatur dhe shumë më shumë), del se zoti Mediu ka qëndruar jashtë shtetit në kohën që ka mbajtur detyrën e ministrit e pak muaj mbasi ka dhënë dorëheqjen plot 405 ditë krahasuar me vetëm 555 ditë që ka qëndruar në Shqipëri. Një llogari e thjeshtë mund të nxjerrë edhe shpenzimet e përafërta të kryera nga buxheti i shtetit për të përballuar turizmin politik të ish-ministrit të Mbrojtjes. Por asnjë llogari e tillë nuk do të ishte e saktë, sepse shumës së biletave do të duhej t´i shtohej edhe pagesa për plot tetë fluturime me avion charter. Do të duhej t´i shtohej padyshim edhe pagesa e përballuar gjithashtu nga buxheti për deputetët shoqërues apo dhe punonjësit e tij që zoti Mediu merrte me vete në udhëtime, bashkuar me pagesën e dietave, hoteleve e lloj-lloj shpenzimeve të tjera.
Destinacionet, frekuenca
Sa për të dhënë disa shembuj që dëshmojnë pikërisht këtë qëndrim të pabesueshëm në ajër të zotit Mediu; Në maj të vitit 2006, janë pesë udhëtime të tilla jashtë vendit. Katër të kryera me Austrian Airlines. Vjena është pika e zakontë e transitit të udhëtarëve që nisen nga Tirana. Zoti Mediu ka udhëtuar në datat 1, 5, 20, 25 me këtë linjë, ndërsa në datën 28 maj të këtij viti, ka porositur dhe një avion charter. Një muaj më parë, në prill, sapo është kthyer nga Vjena në datën 27 prill, ka rimarrë sërish rrugën jashtë vendit. Po në të njëjtën datë, nga Rinasi ai ka udhëtuar drejt Malit të Zi, por kësaj here me makinën e tij me targë ushtrie me katër njësha.
Në shkurt të vitit 2007, një periudhë që koincidon dhe me kohën e hedhjes poshtë në Këshillin e Ministrave të projektit të parë të demontimit të municioneve me kompaninë amerikane SAC, zoti Mediu ka udhëtuar në datat 6 dhe 10 shkurt 2007, kurse mbas miratimit të vendimit të dytë me të njëjtin objekt (kësaj radhe pa përmendur me emër kompaninë që fitoi të drejtën e demontimit), ka udhëtuar në datat 17, 25 dhe 30 mars 2007. Dy muaj më pas, brenda vetëm katër ditëve, institucioni i Mbrojtjes ka porositur dy fluturime charter për zotin Mediu. I pari në datën 27 maj 2007 dhe i dyti më 1 qershor. Vlera? Disa dhjetëra-mijëra euro. Ish-ministri i Mbrojtjes ka përdorur të njëjtën mënyrë largimi nga Rinasi dhe kthim në të, (udhëtimin me charter) edhe pesë herë të tjera, tetë herë në total, në datat 20 korrik 2006, më 5 shtator 2006, më 8 prill 2007, 15 prill 2007 dhe 5 maj 2007.
Gjatë gjithë këtyre udhëtimeve, pak vende kanë mbetur jashtë hartës së pilotimit nga zoti Mediu: ka qenë që nga SHBA e deri në çdo kryeqytet të Evropës. Por udhëtimi në i jashtëzakonshëm duhet të ketë qenë vizita në Iran, kur ai iu përgjigj një ftese për të vizituar një panair ushtarak armatimi. Nuk është e qartë, nëse Shqipëria ka mundur të blejë apo ka pasur interes për armatimin e ekspozuar aty. Ka të paktën dhe tri udhëtime të zhvilluara në Dubai, një vend i njohur për standardin mjaft të lartë të jetesës dhe turizmin elitar. Nuk ka të dhëna se cili ka qenë argumenti zyrtar i vizitës së zotit Mediu në këtë vend arab. Në zgjedhjet e 28 qershorit partia e zotit Mediu është aleati kryesor i partisë së zotit Berisha. Ajo ruan postin e ministrit të Shëndetësisë. Një nga premtimet e zotit Berisha, kur mori pushtetin, ishte se qeverisja e tij do të ishte një qeveri në dietë. Të paktën në rastin e zotit Mediu kjo gjë nuk rezulton e vërtetë.
Kontrasti
Kemi mundur të sigurojmë në të njëjtën kohë dhe një dëshmi mjaft interesante nga Britania e Madhe. Ka mundur të sigurojë të gjithë skedulin e vizitave zyrtare të sekretarit britanik të Shtetit në periudhën prill-mars 2008. Dikur Britania e Madhe konsiderohej si Perandoria ku dielli nuk perëndon kurrë, sot padyshim është ende një superfuqi ushtarake. Për vitin 2008, Britania e Madhe ishte vendi i dytë në botë për sasinë e shpenzimeve ushtarake, mbas SHBA që shpenzon një buxhet për luftën prej 650 miliardë dollarësh në vit. Britanikët shpenzojnë fare pak më pak se 60 miliardë dollarë, saktësisht, 59.7 miliardë dollarë në vit. Gjithashtu, Britania e Madhe, mbas Shteteve të Bashkuara, ka numrin më të madh të ushtarëve të përfshirë në operacione paqeruajtëse dhe është një nga kontribuuesit kryesorë të NATO-s. Krahasimi i shifrave britanike për shpenzimet e mbrojtjes me ato të anëtarit më të ri të NATO-s, Shqipërinë, janë krejt të papërfillshme: i gjithë buxheti shqiptar për mbrojtjen nuk shkon më shumë sesa shpenzimet që nevojiten për një divizion të blinduar britanik. Por ka një vend ku Shqipëria e le mbrapa Britaninë e Madhe në mënyrë të jashtëzakonshme: sekretari i Shtetit britanik Rt. Hon. Des Broëne, brenda një viti, 31 mars 2007-1 prill 2008, ka udhëtuar jashtë shtetit vetëm 17 herë. Ose diçka më tepër se njëherë në muaj. Ka qenë tri herë në Irak, dy herë në Afganistan (dy vende në të cilat nuk ekziston turizmi në kuptimin klasik të fjalës) e më pas, nga një herë në SHBA, Kanada, Gjermani apo Zvicër.
Secili udhëtim i sekretarit britanik nuk ka arritur të kushtojë më shumë se 6700 paund, ndërsa ka pasur udhëtime që nuk kanë kushtuar asnjë qindarkë (janë përdorur mjete ushtarake fluturimi), apo kanë kushtuar disa qindra paund. Udhëtimi më i shtrenjtë i tij ka qenë në datat 28 prill-2 maj 2007, në Irak, kur ka qenë i shoqëruar nga 6 persona. Qëllimi i udhëtimit ishte vizita e trupave britanike paqeruajtëse në Irak. Ky ka qenë dhe udhëtimi me më shumë shoqërues të sekretarit britanik, i cili zakonisht ka pasur nga një deri në dy apo tre “bashkudhëtarë” në vizitat e tij.
Të njëjtin “fat” kanë pasur dhe ndihmësit e tij: ministri i Shtetit dukej i “prirur” gjithashtu të vizitonte Irakun, Afganistanin, Sierra Leonen apo dhe ishujt Folkland në nëntë daljet e tij jashtë shtetit brenda një viti. Nënsekretari tjetër parlamentar i Shtetit ka pasur edhe më pak “fat” gjithashtu, sepse ka udhëtuar në një vit vetëm tri herë; ku ka vizituar Afganistanin, Kazakistanin e ishujt Folkland. Të njëjtit destinacioni, rutine dhe frekuence i është “bindur” dhe homologu i tij me tri udhëtime, Francë, SHBA e padyshim, edhe në Afganistan.
Të gjitha shpenzimet e britanikëve të mbrojtjes janë të detajuara. Ato përfshijnë datat e udhëtimit dhe të qëndrimit jashtë vendit, destinacionin, qëllimin e vizitës, mënyrën e fluturimit, numrin e pjesëtarëve të delegacionit dhe koston e shpenzuar. Një ballafaqim i shpejtë i këtyre shifrave, dëshmon dhe njëherë se ish-diplomacia shqiptare e mbrojtjes ka qenë shumë më intensive sesa ajo britanike. Por, nga ana tjetër, ishte e pamundur të sigurohej me burime shqiptare, edhe një detajim i tillë i udhëtimeve të ish-ministrit Mediu, të shprehura sipas parametrave të britanikëve.
Rreth Evropës për dy javë
Ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, ka pasur dy zëvendës në dikasterin nga i cili u dorëhoq në mars 2008. Njëra nga ta, Petriti, me mbiemrin luftarak Karabina, padyshim që ka shënuar një tjetër risi që do t´i linte gojëhapur sërish britanikët, por nuk do të habiste shumë shqiptarët. Disponohen faksimile të një shkrese zyrtare që dëshmon një udhëtim të habitshëm rreth Evropës të zotit Karabina. Një udhëtim që ka zgjatur pak më shumë se dy javë. Me një itinerar që do ta kishte zili çdo turist i kamur që nuk di se si t´i shpenzojë paratë. Por për zotin Karabina kanë paguar shqiptarët.
Zoti Karabina është nisur me makinë, të paktën kështu thonë letrat, drejt Athinës, pastaj ka prekur me radhë këto qytete perëndimorë, në të cilat nuk dihet me saktësi, nëse Shqipëria ka apo jo edhe Atashe Ushtarak: Romë, Madrid, Barcelonë, Paris, Berlin, Amsterdam, Bruksel e të tjerë. Nuk dihet misioni zyrtar i zotit Karabina në këto vende.Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes pati fatin e keq të paguajë dhe jo vetëm njëherë, fatin e keq që shoqëronte udhëtimet me makinë: defektet e papritura të makinës zyrtare të zotit Karabina. Defektet teknike kanë ndodhur gjatë vizitave të tij jashtë vendit. /tesheshi.com/