Viti 2016 ka shënuar një rënje të theksuar të eksporteve mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe shkak për këtë është bërë kriza që ka pësuar industria minerare sidomos gjatë 6-mujorit të dytë të këtij viti. Kjo është situata sipas ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili sjell si argument se uzina e cila përpunon hekur-nikelin në Kosovë nuk ka funksionuar. Por për këtë vit ai shprehet se është shënuar rritje e eksporteve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë në masën 5 për qind.
Në 11-mujorin e këtij viti u eksportuan 14.8 miliardë lekë mallra nga 19.5 miliardë lekë që u eksportuan në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rënie 23 për qind.
Ndryshe nga sa ka ndodhur vitet e shkuara, këtë vit është konstatuar se shitjet e mallrave shqiptare në Serbi kanë shënuar një rritje me 34 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga 2.9 miliardë lekë që ishte vlera e eksporteve në janar-nëntor të 2015, në të njëjtën periudhë të 2016-s ato kaluan 4 miliardë lekët. /tesheshi.com/