Guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin, ka dhënë detaje të reja në lidhje me bilancin e viktimave të sulmit të djeshëm në aeroportin e Stambollit.
Ai ka bërë me dije se numri i viktimave ka shkuar në 42 ndërsa 239 persona janë plagosur. Në llogaritjen e viktimave nuk përfshihen 3 kamikazët.
Mes të vdekurve të paktën 13 janë të huaj, tre me dy shtetësi, ndërsa pjesa tjetër janë turq. Nga të plagosurit, 103 prej tyre e kanë marrë veten pas mjekimeve të para.
Sulmi i djeshëm ka ndodhur rreth orës 22 me orën lokale, kur të paktën 3 terroristë (dyshohen deri në shtatë) të armatosur me kallashnikovë, kanë hapur zjarr ndaj kontrollit të sigurisë, në zonën e aeroportit, duke shkaktuar fillimisht 36 të vdekur dhe 147 të plagosur.
Pak më pas ata kanë hedhur veten në erë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në vendparkimin e taksive. /tesheshi.com/