Ikja e Lufter Xhuvelit nga kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, për t’ja lënë vendin Agron Dukës, thyen disi mitin e kryetarëve të përjetshëm të partive shqiptare; si dhe e lë Skënder Gjinushin e PSD-së të vetëm në rekordin e tij: 25 vjet “pa lëvizur vendit”, pra pa e lëshuar poltronin e ngrohtë të kreut të partisë.
Edhe aty ka patur skizma si në çdo forcë tjetër politike, por Gjinushi ka mbetur i pamposhtur nga çdo furtunë e brendshme. Ikja më e bujshme ka qenë ajo e Paskal Milos, i cili themeloi nga ana e tij Demokracinë Sociale, pra thjesht ndërroi vendin e fjalëve në emrin e partisë.
PSD-ja u themelua fill pas PD-së në ‘91-shin, pothujase në të njëjtën kohë me Partinë Republikane; dhe ahere, falë injorancës së përgjithshme që ekzistonte mbi rrymat klasike në politike, ajo konsiderohej forcë më shumë e djathtë sa dhe vetë PD-ja, edhe pse themelues dhe në krye të saj ishte një figurë që vinte nga PP-ja, ish-ministri i Arsimit në qeverinë e Ramiz Alisë, Skënder Gjinushi.
Kësaj ideje i ndihu dhe fakti se PSD iu bashkangjit PD-së në aleancë politike, kjo deri në referendumin për Kushtetutën, në vitin 1994, kur Gjinushi do ndahej përfundimisht nga Berisha dhe e djathta, për të kaluar majtas, në aleancë me PS-në.
E kështu pra, është pikërisht ai që vijon ta mbajë drejtimin e partisë së themeluar, pa ia lanë atë askujt, ndërkohë që pothuajse të gjithë kupolat e partive kanë pësuar ndryshimet në kokat e tyre.
I pari ishte Sabri Godo, i cili në të gjallë, me vetëdije të plotë, ia dorëzoi celësat e PR-së, partisë së themeluar prej tij, Fatmir Mehdiut; ndërsa vetë do zgjidhte të qe “Presidenti nderi”, një post honorifik ky.
Të njëjtin fat do kishte më pas PBDNJ-shi, por do ishte një ndryshim për arsye biologjike: Vasil Melo ndërroi jetë dhe drejtimin e partisë e morri Vangjel Dule.
Partia Socialiste, do e kishte “ndryshim koke” për arsye politike: Pas humbjes së zgjedhjeve të 2005-ës, Fatos Nano jep dorëheqjen si kryetar dhe vendin e tij e zë Edi Rama, por jo si “dhuratë”. Rama do e merrte drejtimin e PS-së me anë të zgjedhjeve brendapartiake, në një proces jo aq të lehtë.
Por ndryshe ka ndodhur brenda PD-së, edhe pse aty Berisha është parë – dhe vijon të shikohet – si lider i padiskutueshëm.
Në fakt, Berisha është larguar nga drejtimi i PD-së në vitin 1992, kur pas fitores në zgjedhjet e 22 marsit u bë president. Drejtimi i partisë i kaloi Eduart Selamit dhe më pas Tritan Shehut. Berisha rikthehet si kryetar në vitin 1997, për të dhënë dorheqje në vitin 2013, pas humbjes së zgjedhjeve, ku drejtimin ia lë Lulzim Bashës. Por dhe sot, de fakto ai konsiderohet kreu i PD-së, e Basha hija me rol interpretues e vizioneve të tij politike.
Pra, nuk është se nuk ka patur ndryshime në kokat drejtuese të partive, edhe pse ekziston një perceptim i pandryshueshëm se ato drejtohen me diktatin e “njëshit”.
Realisht, ky gjykim i takon tashmë vetëm Gjinushit.
Përgatiti: Ermir Hoxha /tesheshi.com/