95 tezat tronditën themelet e politikës dhe pushtetit në të gjithë Europën dhe vijojnë të ndikojnë jetët e europianëve edhe sot e kësaj dite – që nga gjuha, arti dhe muzika e deri tek koncepti për lirinë.
Atraksioni i vetëm i kishës Kështjellë në qytetin gjerman Wittenberg janë dyert ku Martin Luteri thuhet se gozhdoi 95 tezat e tij, 500 vjet më parë më 31 tetor 1517. Dokumenti vinte në diskutim shitjen e “indulgjencave” të Kishës – çertifikata që premtonin shpëtimin në jetën tjetër – duke ngritur dyshime mbi besimet dhe praktikat qindravjeçare.
Sidoqoftë, dyert që ndodhen në Portalin Verior sot nuk janë dyert origjinale prej druri të kohës së Luterit, që u shkatërruan nga një zjarr në vitin 1760 gjatë luftës Shtatëvjeçare. Në vend të tyre qëndrojnë dyer solide prej bronci, me fjalët latine të 95 tezave të Luterit.
Fjalët janë po ashtu solide, të fiksuara në vendin e tyre, të padyshimta. Por, ashtu si e dinte edhe vetë Luteri, fjalët kanë aftësinë të lëvizin. Ashtu si ai u vu në lëvizje nga leximet e Biblës për të vënë në dyshim rendin mbizotërues, fjalët e tij në këmbim udhëtuan nga ky qytet i vogël, duke krijuar një vetë-ndërgjegjësim të ri fetar që ndau kishën dhe tronditi Europën, e që nisi valëzime nëpër botë.
Ndoshta hapësira brenda kishës evokon më mirë Luterin dhe Reformacionin e tij sesa ato dyer të mbyllura. Këtu, statujat e Luterit dhe bashkëkohësve të tij qëndrojnë të rreshtuara e duket sikur vazhdojnë debatet.
Rrëfimet thonë se Luteri nuk ishte vetëm figurë e Reformacionit; ai ishte pjesë e një bisede që vijon edhe sot e kësaj dite. Por, edhe pse njerëz të tjerë kishin idetë e tyre për reformimin e kishës, Wittenberg konsiderohet ende djepi i Reformacionit dhe Luteri, babai i tij.
Ndërsa kalon përmes qytetit Wittenberg, vetiu të vjen në mendje sesi një vend kaq i vogël mund të kishte një ndikim kaq të jashtëzakonshëm. Qyteti i vjetër nuk ka ndryshuar shumë që prej kohës së Luterit, sidomos që kur aleatët ranë dakord të mos e bombardonin për shkak të domethënies fetare. Parku që rrethon qytetin e vjetër nis në njërën anë të kishës kështjellë, dhe duhen vetëm 15 minuta për të kaluar përmes qytetit deri në shtëpinë e Luterit, ku teologu jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij, dhe pas saj, gjelbërimi nis sërish. Sidoqoftë, ishte pjesërisht madhësia e vogël e qytetit që bëri që idetë e Luterit të lulëzonin. Përqendrimi i mendjeve të ndritura në këtë qytet të vogël universitar do të thoshte se njerëzit ndesheshin vazhdimisht me njëri-tjetrin dhe shkëmbenin mendime.
Për më tepër, Luteri ishte në gjendje të vinte në përdorim mjetet e medias të kohës së tij, si tabelat e drurit apo shtypin e shkruar, për të përhapur idetë përtej qytetit Wittenberg.
Martin Luter në thelb, formësoi gjuhën gjermane ashtu si njihet sot.John T McQuillen, asistent në librarinë dhe muzeum Morgan të Nju Jorkut shpjegon: “Luter i shkroi idetë e tij në tekste të shkurtra e koncize – pamflete prej tetë deri në 16 faqesh – që mund të printoheshin dhe të shpërndaheshin lehtësisht. Pa shtypin e printuar, Reformacioni nuk do të kishte qenë kurrë ngjarja historike që ishte”.
Shpesh i atribuohet merita se krijoi revolucionin e parë të medias pasi Luteri shpejt kuptoi sesi të përdorte gjuhën, muzikën dhe imazhet për të përhapur mesazhet e tij. Ai publikoi gjithnjë e më shpesh shkrimet e tij në gjermanisht (dhe jo në latinisht), shpesh me imazhe dhe himnet e tij ngjitëse ndihmuan në lulëzimin e Reformacionit. Kontributet e tij muzikore kanë bërë që ai të cilësohet si babai i këngës së protestës.
Gjuha e tij e përditësuar jo vetëm ndihmoi në përhapjen e ideve të tij, por përdorimi i saj në çështjet fetare ishte esenciale në idenë revolucionare të Luterit se shpëtimi mund të arrihej edhe vetëm përmes besimit personal.
Ndaj, ai dëshironte që çdokush të ishte në gjendje të lexonte Biblën. Në vitin 1534, Luteri publikoi përkthimin e librit të shenjtë, duke përdorur një gjuhë të gjallë e të thjeshtë që do kuptohej prej të gjithëve. Për ta bërë këtë, ai duhej të unifikonte shumë dialekte të ndryshme të gjermanishtes për të krijuar gjermanishten e standardizuar – esencialisht duke formësuar gjuhën gjermane në formën që njohim sot.
Ky theks i ri në gjuhën amtare po ashtu ndikoi në zhvillimin e gjuhëve të tjera. Misionarët protestantë nga Europa dhe Amerika e Veriut që shkuan në Afrikë në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të besonin, si Luteri, se Bibla duhej përkthyer në gjuhët amtare. “Kjo sigurisht që përfshinte shndërrimin e gjuhës në të përshtatshme, ose shpikjen e sistemeve të shkrimit ku ato nuk ekzistonin dhe gjetjen e termave që ata mendonin se ishin të përshtatshme, për Zotin, djallin, mëkatin, shpëtimin dhe kështu me radhë”, thotë Dr Jörg Haustein, profesor në Universitetin e Londrës.
Sidoqoftë, edhe pse misionarët kërkonin të konvertonin afrikanët në një mënyrë që ata të vareshin nga pushteti i besimit personal, ata ishin po ashtu të bindur në superioritetin e besimit të tyre dhe kundërshtuan besimet dhe praktikat tradicionale. Kjo sjellje përfaqëson paradoksin e Luterit dhe Reformacionit që ishte demokratizues dhe megjithatë, autoritarist. Po ashtu kjo demonstrohet në qëndrimin e Luterit ndaj hebrenjve. Pasi ai kuptoi se nuk do të ishte në gjendje t’i konvertonte ata në versionin e tij të krishtërimit, ai lëshoi një tiradë shkrimesh anti-semite, duke argumentuar se sinagogat hebreje, shkollat dhe shtëpitë e tyre të digjeshin, asetet e tyre të konfiskoheshin dhe se ata duhet të përdoreshin për punë të detyrueshme dhe të dëboheshin.
Në fasadën jug-lindore të kishës së qytetit Wittenberg ku Luteri predikonte rregullisht është një Judensau (skulpturë anti-semite) që daton prej vitit 1305. Mbi reliev ndodhet një shkrim i gdhendur me fjalët “Rabini Shem Hamphoras” (korrupsion pa respekt i emrit të
parrëfyeshëm të Zotit në Kabbalah), që është shtuar më vonë dhe që i referohet një komenti nga shkrimet e Luterit. Tekstet e tij, si “Mbi Hebrenjtë dhe gënjeshtrat e tyre”, u përdorën gjerësisht nga nazistët dhe historianët kanë debatuar për teorinë Sonderweg që gjurmon një rrugë të drejtpëdrejtë nga Luteri tek nazistët.
Synimi i Luterit ishte t’i bashkonte të gjithë nën një kishë të reformuar, por idetë e tij patën pasoja që shkuan përtej asaj që ai dëshironte apo që mund të kishte imagjinuar.
“Luteri unifikoi gjuhën gjermane, por idetë e tij fetare po ashtu krijuan ndasi që ndjehen dhimbshëm edhe sot. Lufta e fjalëve u pasua nga lufta fetare”, thotë Dr Alexander Weber nga departamenti i Kulturës dhe Gjuhëve në kolegjin Birkbeck në Londër, duke iu referuar konflikteve të nxitura nga feja që u zhvilluan në Europë midis viteve 1524 dhe 1648. Në vend të një kishe të vetme, kishte tani pretendime konkurruese ndaj reformës. Aleancat politike shpesh formoheshin mbi bazën e unitetit rrëfimor dhe minoritetet ishin të persekutuara nga të gjitha komunitetet. Kjo rezultoi në valë emigracioni, si protestantët francezë që u larguan drejt Anglisë, Skocisë, Danimarkës dhe Suedisë, ashtu si edhe jashtë kontinentit, apo puritanët anglezë që morën anijen Mayflower për në Amerikën e Veriut.
Efekti Luter u shtri aq gjerë saqë ka filtruar edhe në kulturën bashkëkohore. Për shembull, devotshmëria e Luterit dhe zelli i tij për të përhapur fjalët e tij që të bindte të tjerët është pararendëse e evangjelizmit të sotëm – qoftë ai tele-evangjelizëm apo shfaqje radio-fonike si “Ora Luteriane”, programi më jetëgjatë i krishterë që nisi të transmetohej në vitin 1930 dhe ka më shumë se një milion dëgjues. Në vitin 1966, Martin Luther King i bëri jehonë aktit të performuar në Wittenberg nga njeriu, emrin e të cilit mbante, kur vendosi listën e kërkesave në dyert e bashkisë së Çikagos.
Paralele mund të hiqen edhe midis Luterit dhe aktivistit Edward Snowden, pasi të dy vendosën ndërgjegjen e tyre përmbi çdo gjë tjetër dhe sfiduan superfuqitë e kohës së tyre duke përdorur mjetet më të fundit të komunikimit për të denoncuar abuzimet me pushtetin.
Fjalët dhe idetë që e kanë origjinën në Wittenberg u përhapën nëpër botë, duke frymëzuar fjalë dhe ide të reja, të tilla si ato të Dostojevskit i cili eksploroi idetë e protestantizmit (që sipas mendimit të tij shkatërroi komunitetin dhe ishte shumë i dobët për t’u përballur me besime të tjera si ortodoksia ruse) në “Ditari i një shkrimtari” apo “Vëllezërit Karamazov”.
Niçe, ngjashëm, u nxit të përhapte idetë e Luterit duke shpallur: “Pas Gëtes dhe Luterit, ekziston një hap i tretë që duhet ndërmarrë”.
Ai e ndërmorri këtë hap të tretë duke shpallur vdekjen e Zotit, një ide që lidhet më së shumti me veprën e tij “Kështu foli Zarathustra”. Ajo që nisi në Wittenberg shihet se ka ndikuar idetë e liberalizmit modern, kapitalizmit, demokracisë, individualizmit, subjektivizmit, sekularizmit e të tjera.
Përgatiti: Juli Prifti -/tesheshi.com/