Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker përsëriti qëndrimin e Uashingtonit se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të rezultojë në “njohje të ndërsjelltë”.
Në një bisedë me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Reeker tha se “Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, e cila do të rezultojë në njohje të ndërsjelltë”.
Osmani vlerësoi se është e rëndësishme të përmirësohet cilësisht procesi i dialogut “bazuar në paprekshmërinë e territorit të Kosovës dhe karakterin unitar të shtetit”.
Javën e kaluar, pas një takimi me ministrin e Jashtëm gjerman Heik Maas, Osmani tha se dialogu me Serbinë duhet të rishikohet përpara se të vazhdojë dhe se të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani duhet të rishikohen.
“Ne nuk do të rrezikojmë të ndryshojmë kufijtë ose të ndryshojmë Kushtetutën e Kosovës, e cila do të defunksionalizonte Kosovën,” tha Osmani, duke theksuar se Kosova pret që procesi i dialogut të përfundojë me njohje reciproke. /tesheshi.com/