Reali i Madridit po mendon seriozisht për një sulmues, por po mendon gjithmonë e më seriozisht se sulmuesi do të vijë nga Anglia.
Los Blankos kanë sulmuesin Hari Kejn të parin në listën e preferencave, por janë të vetëdijshëm se për njërin prej sulmuesve më të fortë të botës, do të ketë konkurencë.
Për 24-vjeçarin e Totenhemit, Reali ka bërë gjithfarsoj ofertash, ose të paktën këtë raportojnë mediat. Njëherë ofruan para, pastaj shkëmbim me 3 lojtarë, e së fundmi, “japin” Bejlin dhe para, për të marrë Kejn. Por ky është njëri front i sulmit. Sepse madrilenët po “markojnë” nga afër edhe sulmuesin tjetër të Anglisë, Markus Rashford.
20-vjeçari i ka djegur etapat shpejt dhe gradualisht ka fituar vendin në formacionin e Manchester Junajtid, por edhe në Kombëtaren e Anglisë.
Përveç këtyre, Rashford ka një “sponzor” të fortë në klubin madrilen, pikërisht Kristiano Ronaldon, i cili e sheh si lojtar ideal për Realin e Madridit dhe është shprehur publikisht për këtë.
Me një Benzema që nuk mbahet mend kur ka shënuar për herë të fundit, e me ambiciet në rritje të klubit, shumë shpejt në sulm do të ketë një britanik. Se cili do të jetë, do ta tregojnë dy muajt e fundit. /tesheshi.com/