Reali i Madridit rikthehet tek fitoret e rëndësishme. Los Blancos kanë mundur jashtë fushe, një rival direkt për objektivin e Champions League, siç është Valencia.
Në ndeshjen e luajtur në Mestalla, vendasit u surprizuan shumë shpejt nga dy penallti në dëm të tyre, penallti që u shënuan të dyja nga Ronaldo. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.
Në të dytën Valencia e nis furishëm dhe pa kaluar 10 minuta lojë, Santi Mina ngushton rezultatin pas një goditjeje me kokë. Vendasit vazhdojnë presionin dhe portieri i Realit Navas, bën dy pritje të vështira dhe nuk lejon golin. Valencia shtyn përpara, por në kundërsulm, pas një aksioni nga e majta, e një dopjo kombinimi Marcelo-Asensio-Marcelo, braziliani gjuan fort brenda zonës duke shënuar golin e tretë.
Valencia tronditet e përpiqet të sulmojë, por një tjetër kundërsulm me tre pasime, nxjerr Kroos të lirë në hyrje të zonës, e gjermani me një gjuajtje tipike të tij, dërgon topin në cepin e majtë të portierit dhe 1-4.
Me këtë rezultat, Reali shpëton disi “lëkurën”, pas eleminimit në mesjavë nga Kupa e Mbretit, forcon pozitat në vendin e katërt dhe ndodhet dy pikë larg Valencias. Pa harruar që një javë më parë, Reali i shënoi 7 gola Deportivo La Corunës.
Po kthehen galaktikët?
Këtë do ta themi me gojën plot, nëse eleminojnë PSG në Champions League. /tesheshi.com/