Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla reagoi ndaj një videoje kur ai shfaqet duke konsumuar lëndë narkotike, duke e trajtuar atë si një montazh, por që në asnjë rresht nuk thotë se personi i shfaqur aty nuk është ai.
“Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast.
Nuk ka shanse që t’ju ecë ky shantazh.
Unë nuk jam në detyrë për të kënaqur orekset e mbushur xhepat e klientëve të PD që për vite me radhë e kthyen Bulqizën në një parajsë për grabitje e ferr për qytetarët.
Jam këtu për të punuar për qytetarët e thjeshtë dhe jam krenar që një nga punët më të mira që kam bërë ka qenë largimi i asaj tufe grabitësish që sot montojnë video në SHQUP”, shkruan Alla.
Por ndërkohë, videoja nuk është publikuar nga PD por nga gazetari Artan Hoxha, i cili e ka mbrojtur vërtetësinë e saj.
Hoxha nuk njihet si gazetar i ndonjë anësie politike, e njëherësh i atribuohet zbulimi i skemës vrastare të katër protestuesve më 21 Janar. /tesheshi.com/