Kreu i VV-së, Visar Ymeri, ka reaguar pas arrestimit të gjashtë aktivistëve të kësaj force politike, duke rrëzuar çdo akuzë të bërë ndaj tyre, si autorë të vendosjes së bombës në selinë e Kuvendit, apo të të tjerave më pas. Për Ymerin, e gjitha kjo ka një prapavijë të pastër politike.
“Të njëjtat metoda i ka përdorur edhe SHIK-u më herët. Njëjtë më herët janë arrestuar edhe aktivistët Trim Gashi dhe Kushtrim Avdimetaj, të cilët në mungesë të provave u liruan. Policia e Kosovës vitin e kaluar pati hyrë në zyrat e VV-së dhe pati shpërndarë dhunë dhe frikë”, ka thënë ai.
Ndërsa sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj, tha se ngjarjet e fundit me arrestime, janë shënjuesi kryesor i një shteti autoritar, ku sipas tij urdhërdhënës për këto arrestime janë Mustafa, Thaçi dhe Veseli.
Molliqaj mohoi që të arrestuarit të kenë lidhje me sulmin e kryer mbi RTK-në dhe drejtorin e saj, Mentor Shala, dhe duke shtuar më pas se policia është duke ushtruar dhunë mbi ta që ta pranojnë fajin që nuk e kanë bërë”.
Dhe në shenjë sfiduese, dyshja e Vetëvendosjes, tha se këto sulme i kanë forcuar akoma edhe më shumë, dhe se më 1 shtator së bashku me qytetarët nuk do të lejojnë që Demarkacioni të kalojë në Kuvend. /tesheshi.com/