Ndërkombëtarët e kanë dënuar ashpër shfaqjen e dhunës së ushtruar gjatë protestës së opozitës, ku si në asnjë rast tjetër u përdorën në masë bombat Molotov drejt institucioneve, duke provokuar deri dhe flakë në to.
E para qe përfaqsia e Uashingtonit në Tiranë, ku u shpreh se “Ambasada e SHBA dënon dhunën e pranishme gjatë protestës së sotme. Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi”. E po kaq e ashpër, ku veçohet përgjegjësia që duhet të mbaja pala politike që ka nxitur dhunën, ka qenë dhe deklarata e përfaqsisë së OSBE-së.
“Organizatorët e protestës së mbrëmjes të sotme duhet të mbajnë përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre. Mendimet tona shkojnë me familjet e të plagosurve. OSBE-ja do të vijojë të nxisë opozitarizmin efikas dhe dialogun në Shqipëri. Por ne i dënojmë plotësisht ata që përpiqen të përdorin dhunën si një rrugë të shkurtër politike; ata do të dështojnë”, thuhet në deklaratën e OSBE-së. /tesheshi.com/