Një incident me Nikollë Lesin, botuesin e “Koha Jonë” u bë edhe kasus politik në vend, duke sjellë reagimin edhe të policisë, por edhe këshilltarit të pushtetshëm për imazhin e Edi Ramës, Endri Fugës.
Nikollë Lesi, në ndërtesën ku ka redaksinë e gazetës dhe një pjesë e ka dhënë me qira po ndërton një shkallare metalike emergjence.
Dikush është ankuar, sipas policisë dhe në redaksinë e “Koha Jonë” mbërriti një detashment policor me trupa që edhe shoqëruan gazetarë të Kohës dhe Lesi vetë shkoi në komisariat, ku e cilësoi një sulm politik pasi ka kritikuar kryeministrin.
Lesit, në një farë mënyre “i erdhi një zog” në dorë, nga ata që Nikolla di mjeshtërisht ta vërë të këndojë bukur e si duhet.
Por ndaj ngjarjes reagoi edhe Union i Gazetarëve. Aleksandër Çipa, i cili deklaroi se “dërgimi dhe përqëndrimi i forcave të shtuara policore ndaj një redaksie, është një veprim dukshëm jo profesional dhe tolerant, por edhe një mënyrë jo normale komunikimi i institucioneve ligjzbatuese shtetërore me subjektet mediatike në vend.
Shteti ka rrugët e tij ligjore për të komunikuar me këdo dhe për të garantuar zbatimin e ligjit”.
Dhe në fakt këtu qëndron problemi, më shumë sesa te një sulm ndaj medias, kemi të bëjmë me një fenomen thuajse 25-vjeçar në Shqipëri, ku policia ndaj një qytetari përdor forcën e saj shproporcionale siç bën ndaj një personi me preçedent, me rrezikshmëri shoqërore apo risk, madje disa herë ndaj të ashtëquajturve “të fortë”, sillet më butë.
Por qytetarët nuk mund të flasin pasi nuk e kanë mundësinë e Nikollë Lesit që ka fuqinë që të paktën të bëjnë zhurmë. Shembuj ka plot, por për ilustrim po sjellim vetëm dy.
Policia reagon përgjithësisht ndaj njerëzve në mënyra të ndryshme.
Para disa viteve, u sinjalizuam për një rast i ndodhur në Durrës. Një makinë ku ndodheshin dy persona, bën një rrotullim në vend, duke mos shkaktuar asnjë dëm, por bëri zhurmë.
Qytetarët të alarmuar marrin policinë. Policia shoqëron dy personat. Më pas liron shoferin, i cili kishte thënë se në timon ndodhej tjetri dhe proçedon penalisht pasagjerin, i cili nuk e tregoi shokun, por i kishte thënë policëve që mund të bëni ekspertizën dhe të gjeni fajtorin. Në fund, Prokuroria e arreston dhe gjykata e lë në arrest pikërisht qytetarin që s’kishte bërë gjë. Në fund prokuroria pezullon hetimet, por ajo familje u rropat dy muaj duke marrë e duke dhënë me policë prokurorë, avokatë, gjyqtarë etj etj.
Një rast tjetër paksa personal, por më tepër për të përforcuar kontekstin e këtij shtjellimi.
Dy vëllezërit e mi, ndodheshin në një lokal, në një ditë vere pranë Bankës së Shqipërisë. Aty pinin kafe shpesh. i vjen një polic dhe i kërkon kartat identitetit, ia japin, por ata i thonë: “do të të vini me ne për identifikim”. Po pse ç’kemi bërë? Ua tregojmë atje”.
Ndërsa po shkonin në Komisariatin Numër 3 im vëlla më telefonon që po na marrin në polici.
Telefonoj shefin e komisariatit dhe më thotë: “sa të bëjmë ca sqarime dhe i lirojmë”.
Kalojnë një orë, dy, tre, katër, pesë; asgjë. Në recepsionin e komisariatit, policët më përgjigjeshin gjithë inat.
Shkruaj një status në Facebook dhe them se kur policia të merr në stacion pa të thënë përse, kjo është thjesht pengmarrje.
Nisin reagimet e para, edhe nga “lart”, si është puna? Ç’ka ndodhur etj.
Nuk kalon shumë dhe dy vellëzërit dalin nga komsariati nr. 3.
Më tregojnë se policët i kishin akuzuar si të dyshuar për pengmarrës të kambistëve që punojnë rreth bankës. Ou? Po me ç’fakt? Asnjë, madje një shef krimesh edhe e kishte goditur në gju me shqelm.
Njëri prej vëllezërve telefonon Saimir Tahirin, atëherë ministër i Brendshëm dhe akuzon policinë për dhunë. Tahiri premtoi për hetime. E mori nja dy herë drejtori i Tiranës por çështja u harrua natyrisht. Ai shefi që gjuajti me shqelm u rrit në përgjegjësi pak kohë më vonë.
Thelbi i problemit qëndron pikërisht tek kultura e policisë që ka si bazë të sajën reagimin me arrogancë, shpjegimin me dhunë qoftë edhe verbale në stacionet e policisë, apo sjelljet e padenja ndaj njerëzve normal.
Policia duhet të përdorë vetëm forcën që i jep ligji që të ballafaqohet me qytetarët pa dhunë, por vetëm me argument. Dhuna, sipas ligjit përdoret vetëm në raste të veçanta edhe përpara personave që kundërshtojnë policinë. Nuk futet në birucë çdokush sepse një tjetër ka spiunuar për të, por sqarohet situata, hetohet dhe ballafaqohen faktet.
Kur dikush shoqërohet, pyetet dhe lirohet dhe jo mbahet në birucë gjatë duke shqetësuar familjarët dhe stresuar njerëzit.
Ka qenë një kohë kur policia shqiptare i largoi këto metoda. E mbani mend vitet 2004-2005 por edhe 2006 kur Policinë e Shtetit e drejtonte një superprofesionist si Bajram Ibro?
Vetë OSBE e cilësoi policinë si “kampione të ligjit” në zgjedhjet e mbajtura në 3 korrik 2005.
Por këtë drejtor policie, për ironi të fatit e sulmoi ashpër Nikollë Lesi. Dhe me ç’argument?
“Që në zyrën e tij kishte parë një kopje të Kuranit të Shenjtë”! Dhe vërtetë e larguan Bajram Ibron por sot ai është drejtues sigurie në një organizatë të rëndësishëm ndërkombëtare…
Edhe ky është një ilustrim i këtij fenomeni që ndodh tek ne me policinë, por edhe drejtuesit e saj që bëhen më të zellshëm seç duhet… Y.Pata /tesheshi.com/