Nga Ozer Khalid*
Ligji i ri i rekomanduar nga Scholz-i për nënshtetësinë gjermane nuk do ta zhbëjë asnjëherë abuzimin racist me të cilin është përballuar Mesut Özil, apo qindra gjermanë të tjerë me ngjyrë dhe pakicat fetare, por mund ta zbusë ankesën kryesore të Özil-it duke rishikuar në mënyrë më gjithpërfshirëse atë se çfarë do të thotë të jesh gjerman në një shoqëri post-moderne multietnike e multikulturore .
Në mesin e viteve 1900, Gjermania Perëndimore përjetoi “Wirtschaftswunder” – që do të thotë “mrekulli ekonomike” në gjermanisht – por pasi u ndërtua Muri i Berlinit në vitin 1961, kriza e fuqisë punëtore në Gjermaninë Perëndimore u përkeqësua për shkak të se fluksi i emigrantëve nga Gjermania Lindore ishte e kufizuar. Si rezultat i mungesës së punëtorëve, qeveria e Gjermanisë Perëndimore ndjeu nevojën për të nënshkruar një marrëveshje rekrutimi për punë me Turqinë më 30 tetor 1961, duke i hapur rrugën emigrimit të popullit turk në vend.
Që atëherë, ligjvënësit gjermanë kanë dështuar herë pas here të përqafojnë plotësisht multikulturalizmin e vendit, ndërsa gjermanëve me prejardhje turke nuk iu është ofruar një rrugë e mundshme drejt nënshtetësisë. Përveç kësaj, fanatizmi fetar është praktikuar edhe kundër turqve etnikë, të cilët janë kryesisht myslimanë.
Një nga shenjat më të spikatura të faktit se ksenofobia arriti kulmin në vend ishte ish-kancelari Helmut Kohl i Unionit Demokristian (CDU) kur i pati thënë në mënyrë famëkeqe ish-kryeministres britanike, “Zonjës së Hekurt” Margaret Thatcher se ai nuk kishte asnjë problem me emigrantët evropianë, por me “turqit të cilët i përkisnin një kulture shumë ndryshe”. Ai gjithashtu pati guximin të jepte stimuj monetarë që ata të ktheheshin në Turqi.
Vetëm në vitet 1990 Gjermania hapi një rrugë për marrjen e nënshtetësisë për gjermanët joetnikë që kishin jetuar në vend për më shumë se 15 vjet. Dhe vetëm në agim të shekullit të 21-të, kancelari gjerman i atëhershëm Gerhard Schröder dhe lobimi nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) dhe të Gjelbrit arritën ta ulnin këtë kriter të gjatë qëndrimi në tetë vjet për të gjithë dhe të fusin një kriter “jus soli – ose shtetësinë e të drejtës së lindjes – e cila të ishte gjithashtu e vlefshme krahas “jus sanguinis” të saj aktuale, që është korniza e nënshtetësisë së bazuar në etni. Kjo është dukshëm e ndryshme nga praktika e Shteteve të Bashkuara që u jep automatikisht karta identiteti dhe pasaporta personave të lindur në territorin amerikan. Për t’u kualifikuar për nënshtetësinë, një fëmijë duhet të ketë një prind që ka jetuar ligjërisht në Gjermani për të paktën tetë vjet. “Deri në fund të viteve 1990, ju ishit ose gjerman ose i huaj,” pati deklaruar me herët për këtë çështje Ferda Ataman, aktualisht komisionere kundër diskriminimit në Gjermani.
Megjithatë, politika e Gjermanisë mbi emigracionin evoluoi nga refuzimi në ngurrim. SPD-së iu desh të bënte kompromise me konservatorët e CDU-së dhe Partisë Demokratike të Lirë (FDP) për të kaluar ligjin e ri të nënshtetësisë. Ata pohonin se lejimi i të natyralizuarve ose gjermanëve që kanë marrë nënshtetësinë e tyre përmes kriterit “jus soli” që të mbanin shtetësinë e tyre të mëparshme ishte një “akt provokimi” që do të “mbillte farën e ndarjes”.
Një kundërshtim i tillë u shoqërua me racizëm. Politikanët gjermanë të krahut të djathtë u ankuan se një lehtësim i tillë do të çonte në “formimin e getove”. CDU kundërshtoi nënshtetësinë e dyfishtë dhe detyroi SPD-në dhe të Gjelbërit të përfshinin një klauzolë që fëmijët që bëheshin shtetas gjermanë nën kuadrin ‘jus soli’ dhe kishin një shtetësi të dytë do të duhej të zgjidhnin njerën nënshtetësi pasi të arrinin ligjerisht moshën madhore. Për ironi, kjo politikë nuk zbatohej për gjermanët etnikë që janë shtetas të dyfishtë si të Gjermanisë ashtu edhe të një vendi tjetër.
Megjithatë, ndalimi i përgjithsëm i shtetësisë së dyfishtë, i cili, teorikisht, zbatohej për të gjithë gjermanët joetnikë, kishte për qëllim veçanërisht gjermanët turq dhe emigrantët e tjerë të pakicës myslimane. Përjashtum u bë gjithashtu edhe për qytetarët me nënshtetësi të dyfishtë të shteteve të tjera të Bashkimit Evropian dhe Zvicrës – e cila ndodhet pikërisht në zemër të gjeografisë së BE-së, por refuzon t’i bashkohet bllokut për shkak të parimit të saj për të qëndruar neutral në politikën globale.
Rasti i Mesut Özil
Kam hulumtuar dhe jam fokusuar në detaje të tilla ligjore për të nxjerrë në pah mospërputhjet e tyre të qenësishme dhe se si ato u bënë pjesë e rrëfimit të yllit të futbollit turko-gjerman, Mesut Özil. Futbollisti lindi në një familje të gjeneratës së tretë turko-gjermane në vitin 1988 dhe mori nënshtetësinë gjermane vetëm kur mbushi 17 vjeç. Atij iu desh të hiqte dorë nga pasaporta e tij turke menjëherë pas kësaj. Megjithëse Özil në atë kohë ishte i pasionuar për të luajtur për Gjermaninë, vendimi i detyrueshëm duket se ka lënë një plagë të thellë emocionale në psiqikën e tij.
Realitete të tilla minojnë gjithashtu retorikën e Gjermanisë në lidhje me integrimin. Dikur një shembull i integrimit produktiv, Özil mësoi shpejt se ky status do të mund të ruhej vetëm duke hequr dorë nga rrënjët e tij turke. Gjatë dorëheqjes së tij në vitin 2018, Özil fajësoi ish-Presidentin e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Reinhard Grindel, një ish-deputet i CDU-së, se kishte “votuar kundër legjislacionit për nacionalitetet e dyfishta” gjatë mandatit të tij.
Qeveria kishte hequr tashmë dispozitën e dyshtetësisë për shumicën e gjermanëve të natyralizuar dhe “jus soli” që u rritën në Gjermani në vitin 2014 për shkak të lobimit nga SPD dhe Gjermania po përshtatet me kujdes me përbërjen e saj multikulturore, megjithëse me hezitim. Ky evolucion u përshpejtua nga ardhja e refugjatëve në 2015 nën kancelaren e atëhershme Angela Merkel dhe nga dorëheqja e Özil.
Largimi i Özil nga kombëtarja gjermane ishte një tronditje e madhe për kohezionin e vendit, saqë detyroi shumë gjermanë etnikë të përballeshin me realitetin e hidhur se vendi i tyre nuk ishte aq akomodues sa e kishin perceptuar. Gjermania njoftoi zyrtarisht planet për të përshpejtuar procesin e natyralizimit. Politikani palestinez gjerman Sawsan Chebli e quajti këtë realitet një “akuzë ndaj vendit tonë” dhe pyeti veten nëse “do t’i përkasim ndonjëherë këtij vendi. Dyshimet e mia po rriten çdo ditë.”
Gjermanët e zakonshëm me ngjyrë filluan një fushatë të madhe në mediat sociale për të ndarë përvojat e tyre të jetuara të racizmit nën hashtag-un “#MeTwo” – i cili në thelb e ndryshoi debatin në lidhje me çështjet racore, etninë dhe identitetin në Gjermani. Madje edhe Grindel kërkoi falje për veprimet e tij, duke u zotuar për reforma thelbësore brenda DFB-së, duke shprehur keqardhjen se ai “duhej të qëndronte në krah të Mesut Özil”.
Në vitin 2022, kancelari Olaf Scholz i SPD-së favorizoi Reem Alabali-Radovan që të ishte oficeri i parë federal kundër racizmit në Gjermani. Dhe javën e kaluar, qeveria e Scholz konfirmoi se Ministria Federale e Brendshme dhe e Komunitetit e kryesuar nga Nancy Faeser po shpallte reformën e re për nënshtetësinë. Faeser planifikon të ulë kërkesën për rezidencën e aplikimit për nënshtetësi nga tetë në pesë vjet, një reduktim që do të shtrihej edhe në dispozitat ‘jus soli’. Ajo gjithashtu planifikon të heqë të gjitha kufizimet për nënshtetësinë e dyfishtë.
Lojë me shumë zero
Nëse zbatohen siç duhet, këto janë hapat e parë të mirëpritur pasi do të ofronin të drejta përfaqësimi dhe të drejtën për të votuari për mbi 9 milionë banorë pa nënshtetësi, të cilët kontribuojnë në mënyrë produktive në ekonominë dhe shoqërinë gjermane. Fiksimi i konservatorëve me nënshtetësinë e dyfishtë ka qenë gjithmonë i palogjikshëm. “Përkatësia dhe identiteti nuk janë një lojë me shumën zero,” i tha Scholz parlamentit gjerman gjatë një debati këtë javë.
Pritet kundërshtim nga FDP dhe CDU dhe refuzimi i plotë nga partia e diskutueshme e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila ka fituar një ndikim politik alarmues gjatë dekadës së fundit. AfD shpesh quhet “Neo-naziste” për shkak të racizmit dhe ksenofobisë së dukshme midis anëtarëve të saj, të cilët përqafojnë qëndrime më të diskutueshme dhe populiste kundër rekomandimeve më të arsyeshme të Scholz dhe Faeser. Kreu i CDU-së, Friedrich Merz, ka paralajmëruar emigrantët që shmangin integrimin dhe abuzojnë me pronat e shtetit social në Gjermani.
Scholz mund të mos ketë nevojë që të marrë dritën jeshile nga AfD dhe CDU për të miratuar rekomandimet e tij, megjithatë, FDP është pjesë e koalicionit aktual dhe ka të ngjarë të minojë reformat e lavdërueshme. Është mbresëlënëse se sa të paprekshme janë komentet e këtyre tre palëve me udhëtimin kulturor, social, sportiv dhe ekonomik të Gjermanisë që po evoluon me shpejtësi gjatë 20 viteve. Mospërputhje të tilla janë edhe më të theksuara me Mesut Özil të kthyer në lajm.
Në Kupën e Botës së FIFA-s në Katar 2022, largimi i legjendës së shquar të futbollit gjerman, Özil, dëshmon se si largimi i tij përfaqëson një mbresë të thellë për një vend që është thellësisht i ndarë politikisht dhe ende i ndarë nga pikëpamja racore, si brenda dhe jashtë fushës së futbollit. Ligji i ri për nënshtetësinë e rekomanduar nga Scholz nuk do ta zhbëjë kurrë abuzimin racist me të cilin u përball Mesut Özil, i vuajtur nga Ilkay Günoğan, i përjetuar nga Antonio Rüdiger, Son Hueng-Min dhe qindra gjermanë të tjerë me ngjyrë dhe pakicat fetare, por mund të zbusë ankesën kryesore të Özil duke rivlerësuar në mënyrë më gjithpërfshirëse se çfarë do të thotë të jesh gjerman në një shoqëri post-moderne multikulturore e multietnike. Mund të jetë gjithashtu një hap i parë për t’i pohuar një publiku skeptik global se largimi katastrofik i Özil është bërë një nga shkaqet kryesore për reformën gjithëpërfshirëse në një vend ku ndarja dhe racizmi ende ekzistojnë. Ky është momenti i llogarisë së Gjermanisë; me vetveten, të kaluarën dhe me të ardhmen e saj. /Tesheshi.com/
*Autori është shkrimtar i pavarur dhe këshilltar ndërkombëtar.