Popullsia e Bullgarisë po rrudhet me shpejtësi, dhe qytetarët e saj hezitojnë të mirëpresin emigrantët.
Nëse ferri është “mbipopullimi”, atëherë Ekaterina Svetulkova duhet të jetë në parajsë. Ajo qëndron ulur, e vetme, duke ngrënë fara luledielli në një stol guri në Banitsa, fshat në veri-perëndim të Bullgarisë që e ka quajtur shtëpi për 58 nga 82 vjetët që mban mbi supe. Dikur, bukëpjekësit kishin shumë punë dhe aktorë të famshëm vizitonin vendin për të argëtuar njerëzit. Tani, psherëtin Svetulkova, “nuk ka frymë të gjallë këtu”. Me fëmijët që jetojnë gjetkë dhe me pak miq që i kanë mbetur, ajo nuk di se ku të drejtohet në rast të ndonjë aksidenti. Kjo e bën vetminë e saj të frikshme, thotë ajo.
Kombet e Bashkuara parashikojnë që popullsia e Bullgarisë të bjerë nga 7.2 milionë në 5.2 milionë deri në vitin 2050, duke e bërë atë vendin me rrudhjen më të shpejtë të popullsisë në botë. (Nëntë vendet e tjera pas saj janë po ashtu në Europën Lindore).
Kjo katastrofë demografike, përqendruar në fshat, e gjen shprehjen më mizore të saj në veri-perëndimin e lënë pasdore të Bullgarisë, rajonin më të varfër të vendit më të varfër të Bashkimit Europian. Çdo vit, qyteti i afërt Vratsa, një ish-zonë industriale e bjerrë për shkak të kohëve të vështira, rrudhet me rreth 2 mijë njerëz. Punëdhënësit thonë se nuk mund të gjejnë punonjës të kualifikuar, banorët thonë se nuk ka punë. Njerëzit këtu janë më të varfër, më të palumtur dhe me më shumë gjasa për të ikur sesa kudo gjetkë në Bullgari.
Kryebashkiaku i Vratsas, Kalin Kamenov, thotë se pa investime dhe mbështetjen e shtetit, qyteti i tij praktikisht do të jetë i zhdukur në dhjetë vjet.
Bullgaria paraqet ndoshta rastin më ekstrem të shpopullimit që po përndjek pjesën më të madhe të Europës Lindore. Trancizioni post-komunist ishte veçanërisht traumatik dhe i vonuar këtu: në vitet 1990, niveli i fertilitetit ra me shpejtësi dhe qindra mijë të rinj u larguan drejt vendeve më të pasura e më të stabilizuara të Europës Lindore, duke lënë pas vetes më të moshuarit dhe më pak të kualifikuarit.
Sot, mbi 1 milion bullgarë jetojnë jashtë vendit, rreth 700 mijë prej tyre në BE. Vendet perëndimore të BE-së si Gjermania kanë popullsi më të moshuara, por pasuria u siguron atyre një përshtatje më të mirë me pasojat fiskale të forcës së punës në rënie, dhe ato janë duke importuar emigrantë. Në Bullgarinë që po moshohet me shpejtësi, vendi i pestë më gri në Europë, gati 60 për qind e pensionistëve jetojnë nën nivelin qeveritar të varfërisë prej 321 levësh, apo 196 dollarësh në muaj. “Ne kemi një problem prej vendi të pasur, por ne nuk jemi një vend i pasur”, thotë Georgi Angelov, ekonomist pranë Institutit për Shoqëri të Hapur në Sofje.
Qeveritë kanë dalë me strategji të pafundme për të adresuar dhe ndalur rënien demografike. Asnjëra nuk ka qenë vërtet e dobishme. Duke folur nga Sofja në lulëzim, një prej pak vendeve në Bullgari me problemin e rritjes së popullsisë, Valeri Simeonov, një ish-kryeministër i ngarkuar me politikat demografike, nënvizon planet e tij për të mbushur mungesën në forcën e punës me tërheqjen e punonjësve të huaj, sidomos nga vendet fqinje me Bullgarinë që kanë edhe minoritete bullgare si Ukraina apo Moldavia. Disa mijëra prej tyre punojnë tashmë në plazhet dhe resortet e skiive gjatë sezonit turistik. Po përgatiten politika për të tërhequr më shumë njerëz për një kohë më të gjatë. Në tetë muaj, mburret Simeonov, qeveria ka bërë më shumë për të përmirësuar parashikimin demografik sesa të gjitha pararendëset e saj.
Në gjithë këtë ka sidoqoftë, një kleçkë. Simeonov, i cili drejton Frontin Nacional të së djathtës ekstreme për Shpëtimin e Bullgarisë, thotë se kërkimi i tij për talente nuk shtrihet tek refugjatët, të cilët ai i refuzon si “aventurierë” që kërkojnë të shterojnë shtetet e mirëqënies sociale në Europë. Falë, pjesërisht, një gardhi kufitar të kontrolluar nga rojet me reputacion për brutalitet, refugjatët që erdhën nga Turqia gjatë viteve 2015-16 më së shumti e anashkaluan Bullgarinë, për të shkuar në Greqi. Kjo nuk i ka ndaluar politikanët e Bullgarisë nga shprehjet histerike kundër refugjatëve. Presidenti socialist, Rumen Radev, u zotua të parandalonte që Bullgaria të shndërrohej “në geton e emigrantëve në Europë”. Në vitin 2016, këshilli i qytetit Vratsa ndaloi qendrat e refugjatëve edhe pse nuk ekzistonte asnjë prej tyre e madje, nuk kishte as propozime për të ndërtuar të tilla.
Ka nga ata që shohin ironinë, në armiqësinë e treguar nga vendet e shpopulluara të Europës Lindore ndaj pritjes së refugjatëve (një çështje që tashmë bie në përgjegjësinë e Bullgarisë për ta zgjidhur, pasi merr presidencën gjashtëmujore të takimeve ministeriale të BE-së). Të tjerët shohin një logjikë të qartë politike. Për bullgarët, në cepin më të mprehtë të shpopullimit, shkruan Ivan Krastev, ekspert i shkencave politike, “arritja e emigrantëve sinjalizon daljen e tyre nga historia”.
Partitë e ekstremit të djathtë nuk janë veçanërisht të forta në Bullgari, por performojnë më mirë në zonat ku ka rënie. Dhe Bullgaria nuk është e interesuar të shtojë telashet e veta të integrimit, thotë Simeonov, kur ka mjaftueshëm vështirësi me “refugjatët e vet ciganë”.
“Shpresoj të vdes para se të plakem”
Çështja e refugjatëve është në një farë shkalle një paradoks: pak do të dëshironin të qëndronin në një vend armiqësor e me rroga të ulëta, me të cilin nuk kanë aspak lidhje kur fare pranë janë vende shumë më të pasura. Tërheqja e punonjësve nga vendet e afërta me shtëpinë e tyre duket një bast më i mirë.
Në vitet e fundit, emigracioni jashtë vendit është ngadalësuar dhe më shumë bullgarë po kthehen, edhe pse për shkak të nivelit të ulët të lindshmërinë – pjesërisht si pasojë e eksodit të mëparshëm të të rinjve – vendi vazhdon të humbasë nga 50 mijë njerëz sa është popullsia e Vratsas, për çdo vit.
Optimistët shohin tek Estonia e mirëmenaxhuar, që pasi humbi 17 për qind të popullsisë së saj që prej çlirimit nga sundimi sovjetik, së fundmi ka shijuar një rikthim fluksi. Polonia, e cila ka pranuar me qindra mijë ukrainas për t’i shërbyer ekonomisë në rritje, është një model alternativ, por po ashtu një rivale. Bullgaria po ecën mirë – niveli i punësimit është më i lartë se kurrë, dhe financat publike janë të shëndosha – por po ashtu po ecin edhe fqinjët e saj më të pasur.
Korrupsioni (Bullgaria renditet si vendi më i korruptuar në BE nga TIA), burokracia, shkollat e këqija dhe banditizmi ende e njollosin atë në sytë e investitorëve të huaj. Madje, edhe nëse ata që kthehen mund ta ndihmojnë ekonominë e Bullgarisë, ashtu si kanë bërë në ish-vendet me emigracion, si Irlanda, nuk ka gjasa që të kthejnë trendin e dëmit demografik. Perspektiva e Bullgarisë duket pak më e shndritshme sesa më parë, dhe populli e ka vënë re: muajin e kaluar një sondazh gjeti se shumica e popullit shprehet me optimizëm për herë të parë në dy dekada. Por në të ardhmen, do të ketë shumë më pak bullgarë për të ndjerë këtë gjendje të mirë shpirtërore.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/