Rasti i djeshëm kur policia greke ka arrestuar të dyshuarin kryesor për vrasjen e një avokati shumë të famshëm, ka qenë emblematik dhe është tregues tipik i një boomerangu që iu është kthyer mbrapsht atyre që në vitin 1990 mendonin se ndërrimi i emrave për shqiptarët do të ishte një politikë që do të avantazhonte Athinën.
Ç’ndodhi realisht?
Një muaj më parë në Athinë është vrarë Mihalis Zafiropoulos, një nga avokatët më të njohur dhe më famë të qytetit, por edhe pjesëtar i një familje emër mirë. Dje policia greke kapi autorin që ishte një shqiptar, por nuk mundi ta identifikonte se ai kishte më shumë se tre emra të regjistruar në kartat greke.
Policia helene shpërndau fotot dhe kërkoi ndihmë nga njerëzit që ta bëjnë këtë identifikim, ndërkohë që Interpol Athina ka sjellë në Tiranë shenjat e gishtave për të marrë identifikimin.
Por nëse 32-vjeçari i arrestuar dje në Greqi nuk është ndaluar asnjëherë nga autoretet shqiptare, atëherë kërkimi do të jetë i kotë. Dhe kjo ka shumë mundësi, pasi ka gjasa që i arrestuari të ketë jetuar që në fëmijëri si emigrant në Greqi.
Në vitin 1990, strategët politikë të Athinës vendosën që emigrantët shqiptarë që mbushnin Greqinë t’i ndërronin identitetet në letra. Kjo nuk se bëhej zyrtarisht, por nëpërmjet metodave tërthore.
Punëdhënësi apo policia nuk i regjistronte emigrantët nëse ata kishin emra muslimanë apo shqiptarë. Autoritetet greke, nuk thonin “jo”, por nxirrnin yçkla, e këtë e bënin kryesisht me njerëz të paarsimuar dhe me problem penale, jo me intelektualët apo me ata që kishin letra të rregullta.
Megjithatë, edhe kjo armatë nuk gjente hapësirë për t’u integruar nëse nuk vaftisej familjarisht në kishë dhe merrte emra grekë. Ndryshimi i emrave ishte mjaft grotesk por që më vonë qëlloi edhe i paefektshëm.
Përshembull, një emër që u përdor nga media shqiptare si etalon i absurdit grek ishte ai i kryetarit të PS-së për Greqinë që u zgjodh 12 vjet më parë sipas parimit “një anëtar një votë”. Quhej Anastas Murati, një mospërputhje totale me logjikën normale karshi treguesit identitar nëpërmjet emrit.
Por pjesa më e madhe e atyre emigrantëve që kishin ndryshuar emrat në Greqi, në Shqipëri mbanin emrat e lindjes, pasi ndryshimi në gjendje civile është jë procedurë që kërkon kohë, dokumente e kokëçarje. Kjo krijoi precedentin dhe fenomenin e identitetit të dyfishtë.
Pjesa kryesore e emigrantëve të rregullt, të arsimuar që ishin punësuar në Greqi në mënyrë normale dhe si pasojë e shkollimit të tyre, nuk ndryshuan identitetin e tyre. Kjo në rastin më të madh si zgjedhje e tyre dinjitare, por edhe për aspekte praktike.
Njërëzit më të ekspozuar dhe më të zellshëm për të ndryshuar emrat ishin përgjithësisht ata që kishin precedente penale në Shqipëri, apo që në Greqi u morën me vjedhje, falsifikime apo krime të ndryshme.
Me një fjalë, bota e zezë e krimit qëlloi të ishte më e zellshme për të zbatuar planin e qarqeve nacionaliste greke.
Qëllimi i këtij plani ishte që e gjitha kjo popullsi që u regjistrua si “homogjene”, pra banorë grekë jashtë kufijve.
Realisht brenda vetes, shumica që e bënë këtë, pra ndërruan emrat, ruajtën identitetin shqiptar dhe nuk pranuan të jenë grekë. Madje edhe fëmijët e nipërit që lindën në Greqi e ruajtën identitetin shqiptar.
Kjo edhe për arsye zgjedhjeje më shumë, por edhe si shkak prej atmosferës diskriminuese që ka pasur në Greqi nga qarqe ekstremiste ndaj shqiptarëve.
“Homogjenët” normalë u integruan në Greqi, por ruajtën lidhjen me Shqipërinë: dërgonin paratë në familjet e tyre këndej dhe një pjesë erdhën herë pas here për t‘u punësuar dhe nuk pranonin në votime që të bënin siç urdhëronte Athina. Megjithatë kishte raste kur plani dukej se po funksiononte.
Viti 2003 në Himarë, kur u zhvilluan zgjedhjet lokale, një pjesë “homogjenësh” dolën në rrugët e qytezës së Bregut me flamur grek duke sulmuar Tiranën, pikërisht pasi nuk arritën dot të fitonin kreun e bashkisë ngaqë PS dhe PD formuan “Kolicionin kombëtar” përballë PBDNJ-së që kandidoi Vasil Bollanon.
Por ky i fundit u zgjodh kryetar me votat me PD-së në vitin 2007 dhe qëndroi dy mandate në krye të bashkisë.
Në vitin 2011, PS-ja kandidoi Gjergji Goron, i cili në letrat e shtëtësisë greke quhej Jorgo Goro si kandidat për kryetar bashkie. Goro fitoi masivisht, duke marrë votat edhe të “homogjenëve” të ardhura nga Greqia. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 2015.
Kurse minoritarët realë, grekët safi të Dropullit apo Vrinës nuk u futën përgjithësisht në këto lojra e panë punët e tyre. Ata shkojnë shumë mirë me të gjithë; komunitetin, shoqërinë por edhe janë të integruar perfekt në jetën shqiptare.
Minoritarët kanë punuar e jetuar në të gjithë Shqipërinë, kryesisht në kohën e komunizmit, deri edhe në cepa si Puka apo Bulqiza dhe kanë lënë përshtypje të mira.
Pra Greqisë, kjo lojë që të shtonte minoritarët artificialisht nuk u bëri punë, por nga ana tjetër “homogjenët xhagajdurë” i futën në telashe me okë.
Dhe këta ishin njerëzit me precedente penale që vidhnin, vrisnin, trafikonin drogë dhe qënie njerzore, duke u kthyer në problem të madh për agjencitë ligjzbatuese, por edhe për komunitetin.
Burgjet u mbushën me njerëz të tillë që kishin qenë pjesa më e mbrapshtë e Shqipërisë, por që në Greqi gjetën “parajsën”. Kjo ngaqë atje nuk i njihte kush dhe mund të livadhisnin më lirshëm.
Emrat më të njohur të krimit shqiptar në Greqi u bënë personazhet më të famshëm nga mediat greke. Alket Rizai është njëri prej tyre.
Kjo botë e shfrytëzoi më mirë boshllëkun e kësaj katrahure ligjore që Athina e krijoi për ta shfrytëzuar politikisht, por që ra brenda në gropën e hapur vetë.
Rasti i djeshëm është më emblematiku, ku policia greke po përjeton një handicap të rëndë që nuk mund të gjejë identitetet e njerëzve që kanë regjistruar vetë autoritetet helene.
Ky fenomen ka ndodhur edhe në Britaninë e Madhe, ku autoritetet e atjeshme regjistruan shumë shqiptarë si refugjatë të Kosovë si në vitin 1999, apo me identitete të rreme me pretekstin se janë në “gjak”. Shumë nga këta indivitë shqiptarë janë pjesë e rëndësishme e kontigjentit criminal që po shkakton problem atje.
Gjatë një debati, një vit më parë mes shefit të diplomacisë britanije Boris Johnson dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, ky i tha ministrit britanik pas ankesës për “kriminelët shqiptarë” se “ata janë kriminelët tuaj”. Kjo jo vetëm nga koha e gjatë e qëndrimit të kësaj shtrese në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe problemit me identitetet e shumfishta.
Një shtet efiçent është ai që mban letra e arkiva sa më të sakta për qytetarët e tij.
Edhe perandoritë antike kanë pasur defterë precizë për regjistrimin e shtetasve, ku emrat, identitetet dhe pasuritë ishin të mirëshënuara dhe përbëjnë edhe sot një material të vyer për historinë.
Metodat për të denbatyruar historinë me urdhër, siç ndodhi këto 27 vjet nga Athina doli se ishte i pasuksesshëm dhe me plot gojë i shkon proverbit shqiptar: “Në vend të vetullave hoqi sytë”. /tesheshi.com/