Refugjatët do të shlyejnë pothuajse dyfish paratë që BE ka shpenzuar për ta e kjo në një hark kohor prej 5 vjetësh. E dhëna vjen nga një raport investigativ për ndikimin e refugjatëve në Europë ku thuhet se rritja e borxhit publik në Europë do të kompensohet nga një rritje shumë e madhe e prodhimit të brendshëm.
Bëhet fjalë për një nga të parat raportime të thelluara për ndikimin që të sapoardhurit në Europë do të kenë mbi komunitetet pritëse.
Refugjatët do të krijojnë më shumë vende pune, do të rrisin kërkesën për shërbime dhe produkte, dhe do të mbushin hapësirat boshe në forcën europiane të punës –ndërkohë që rrogat e tyre do të ndihmojnë të mbushet thesi i fondit të pensioneve dhe financave publike. Në këtë përfundim ka dalë Philippe Legrain, ish-këshilltar ekonomik pranë presidentit të Komisionit Europian.
Në mënyrë simultane, refugjatët nuk ka gjasa të ulin nivelin e pagave apo të rrisin papunësinë mes punonjësve vendas, thotë Legrain, duke cituar studime të kaluara nga ekonomistë laburistë.
Por e dhëna më domethënëse është se Legrain përllogarit se ndërsa thithja e kaq shumë refugjatëve do të rrisë borxhin publik deri në pothuajse 69 miliardë euro midis viteve 2015 dhe 2020, gjatë së njëjtës periudhë refugjatët do të ndihmojnë në rritjen e prodhimit të brendshëm deri në 126.6 miliardë euro – një raport pothuajse dy me një.
“Investimi me një euro për mirëpritjen e refugjatëve do të prodhojë gati dy euro përfitime ekonomike brenda pesë vjetësh”, është përfundimi i raportit: “Puna e refugjatëve: një investim humanitar që do të rrisë dividentët ekonomikë”, publikuar nga fondacioni “Tent”, një organizatë joqeveritare që synon të ndihmojë njerëzit e zhvendosur si dhe nga “Open Political Economy Network”, një organizëm i ri.
Bashkëpunëtori i shkollës së Ekonomisë së Londrës, Legrain thotë se shpreson se raporti do të davarisë mitin se refugjatët do të shkaktojnë probleme ekonomike për shoqërinë perëndimore.
“Keqinterpretimi i parë është se refugjatët përbëjnë një barrë – dhe ky është një pikëpamje që ndahet edhe nga njerëz që janë në favor të lejimit të refugjatëve në Europë, të cilët mendojnë se është e kushtueshme, por sërish gjëja e duhur për t’u bërë”, thotë Legrain në një intervistë ku shpjegon të dhënat e raportit.
“Por, kjo nuk është e saktë. Ndërsa sigurisht motivi i parë për të lejuar refugjatët në Europë është se ata i ikin vdekjes, pasi mbërrijnë ata mund të kontribuojnë për ekonominë”.
Ndërsa sistemimi i tyre në terma afatshkurtër vendos në vështirësi financat publike, thotë Legrain, në të njëjtën kohë refugjatët rrisin kërkesën në terma afatshkurtër, që vepron si një stimul i mirëpritur fiskal në vendet ku kërkesa në kushte normale, do të ishte e ulët.
Në terma afatgjatë, refugjatët do të rrisin kontributin tek të ardhurat nga taksat dhe gjithashtu do të krijojnë vende pune.
“Për ta shprehur thjesht, nuk ka një numër fiks vendesh pune që të mund të mbushen”, thuhet në raport. “Refugjatët që punësohen i krijojnë këto vende pune. Kur ata shpenzojnë të ardhurat e tyre, ata rrisin kërkesën për njerëzit që prodhojnë të mira dhe shërbimet që ata konsumojnë. Dhe ata, gjithashtu, krijojnë vende pune për linjat komplementare të prodhimit. Për shembull, refugjatët që bëhen punëtorë ndërtimi krijojnë punësim për vendasit që janë supervizorë apo që shesin pajisje ndërtimi”.
Legrain, gjithashtu, nënvizon sesi refugjatët mund të zgjidhin sfidën demografike që qëndron pezull mbi Europën. “Deri në vitin 2030, popullsia në moshën pune projektohet të rrudhet me një të gjashtën (8.7 milionë njerëz), ndërsa popullsia në moshë të thyer do të rritet me më shumë se një të katërtën apo me 4.7 milionë njerëz”, shkruan Legrain. Ai sugjerin se fluksi i të rinjve refugjatë mund të ndihmojë në kujdesin dhe pagesat për popullsinë në rritje të pensionistëve.
Për të mbështetur argumentin e tij, Legrain citon disa shembuj historikë të sistemimit të refugjatëve në shkallë të gjerë – në veçanti vendosja e rreth 800 mijë personave në Shtetet e Bashkuara pas luftës së Vietnamit, që ishte një nga programet e risistemimit më të mëdha në histori. Ndërsa ata ishin një barrë në fillim për burimet shtetërore, disa dekada më pas, vietnamezo-amerikanët kanë të ardhura më të mira për familje dhe nivel më të lartë punësimi sesa qytetarët e lindur në SHBA.
Por, Legrain paralajmëron se ndikimi pozitiv ekonomik i refugjatëve mund të mbytet nëse Europa nuk ndërmerr hapa të menjëhershëm për të shpejtuar përfshirjen e tyre në forcën e punës.
Azilkërkuesit duhet të lejohen të punojnë ndërsa u shqyrtohen aplikimet, për të lehtësuar barrën mbi shtetin, thotë ai. Ata duhet, gjithashtu, të marrin mësime gjuhe e kjo është urgjente, dhe të strehohen në zona ku ka më shumë vende pune, sesa thjesht të vendosen në vende ku strehimi është më i lirë.
Autoritetet duhet, gjithashtu, të shpejtojnë çertifikimin e kualifikimeve që ata kanë në vendet e origjinës, thotë Legrain, duke cituar sesi vonesat në çertifikimin e farmacistëve sirianë në Suedi ka krijuar mungesë të forcës së punës në atë sektor në ekonominë suedeze.
Aksesimi i shpejtë në tregun e punës “redukton varësinë e tyre nga fondet publike, siguron që ata të kontribuojnë me punën dhe taksat në ekonominë pritëse dhe ndihmon që të përshtaten më shpejt me jetën e shoqërisë së re, duke zvogëluar shanset që ata të përfundojnë të margjinalizuar në punë dhe në shoqëri”, përfundon raporti.
gatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/