Freedom House, organizata që vëzhgon parametrat demokratikë të vendeve të botës, ka arritur në përfundimin se Ballkani ka një kthim prapa në raport me demokracinë.
Për Shqipërinë dhe Kosovën theksohet se në vitin 2015 nuk ka as ecje përpara, por as kthim prapa. Veçse bëhet e ditur se Shqipëria ka problem të madh korrupsionin, që ka depërtuar thellë, ndërsa Kosova ka problem humbjen e kontaktit të qeverisë aktuale, të Isa Mustafës, me popullin.
Ndërkohë, për Maqedoninë theksohet se ka rrëshqitur në autoritarizëm.
Drejtori i projektit “Vendet në Tranzicion”, Nate Schenkkan, në një intervistë për Zërin e Amerikës vë në pah se Shqipëria ka problem zbatimin e reformave dhe depërtimin e korrupsionit.
Shqipëria
Në një sistem vlerësimi ku 1 është niveli më i lartë i demokracisë dhe 7 më i ulëti, Shqipëria vazhdon të konsiderohet të ketë një qeveri tranzicioni ose një regjim hibrid.
Si vlerësim pikësh, Shqipëria ka 4.14, njëlloj si vitin e kaluar. Kjo i atribuohet një përmirësimi në sistemin zgjedhor dhe një rënieje në kategorinë e medias së pavarur.
“Në Shqipëri janë verifikuar ato prirje që sheh në shumë vende të tjera, jo vetëm në Ballkan, por në gjithë rajonin”, thotë Nate Schenkkan.
“Bëhet fjalë për një rivalitet politik shumë të ashpër dhe intensiv mes palëve, që ndonjëherë i kapërcen kufijtë e një konkurrence normale, jashtë rregullave të konkurrencës në demokraci, dhe kjo mund ta largojë vëmendjen nga reformat institucionale dhe nga përmirësimi i sistemit të drejtësisë, si të çrrënjosim korrupsionin apo ekonominë informale,” u shpreh Schenkkan.
Zyrtari shton më tej se lufta politike ka shkaktuar shpërqendrim dhe në shumë vende të tjera të rajonit kur arrihet në një pikë të skajshme konflikti, ndërsa politika saboton mundësitë për t’i çuar përpara reformat, për të cilat ka nevojë e gjithë shoqëria.
“Korrupsioni në Shqipëri është pa diskutim treguesi më negativ në bazë të matjeve që bëjmë ne në shtatë drejtime të ndryshme. Kjo vlen për pothuajse të gjitha vendet e rajonit, dhe është fakt që lufta më e vështirë për këto vende është ajo kundër korrupsionit.
Ne duam të shohim nëse ato do të zbatohen, çfarë ndodh në terren, dhe mendoj se me Shqipërinë jemi në këtë pikë. Ka pasur shumë ligje të miratuara, si decentralizimi, reforma territoriale, por tani duam të shohim nëse ato po zbatohen ose jo, dhe nëse zbatohen, sa efektive do të jenë. Kjo do ta përcaktojë nëse vlerësimi për Shqipërinë do të përmirësohet,” deklaroi Schenkkan.
Kosova
Në raport theksohet se Kosova ka shënuar një përparim të lehtë, nga 5.14 në 5.07, falë përmirësimeve në median e pavarur dhe në qeverisjen lokale. Megjithatë, vendi vazhdon të jetë mes regjimeve autoritare gjysmë të konsoliduara.
Në raport theksohet më tej se ritmi i konsolidimit demokratik ishte i ngadaltë për vitin 2015.
Drejtori i projektit, Nate Schenkkan e bëri të qartë se ka një hendek mes asaj që do popullata, ose që mendon se duhet të marrë përmes shtetformimit dhe marrëdhënies me Evropën dhe Perëndimin, dhe asaj çka po merr në fakt.
“Kjo qeveri ka një shumicë të gjerë në parlament, e megjithatë politikat që po ndjek duket se nuk janë aspak popullore. Jo vetëm me një opozitë mjaft radikale, si Vetëvendosja, por jopopullore në masë të gjerë me popullsinë. Dhe kjo është problematike në një demokraci, që një shumicë e gjerë parlamentare miraton ndryshime para se popullata të dojë që ato të bëhen,” shtoi Schenkkan për Zërin e Amerikës.
Në raport përshkruhet një dinamikë ku shumica që u krijua pas zgjedhjeve kishte një përqindje mbështetjeje të ulët dhe ndoqi një program legjislativ të debatueshëm, teksa opozita përdori mjete jashtë instrumentave politike, deri në përdorimin e gazit lotsjellës në parlament.
Pakënaqësia, sipas zotit Schenkkan, ka edhe arsye të tjera.
“Këtë do ta lidhja edhe me padurimin që populli i Kosovës ndjen për integrimin në Bashkimin Europian, me pamundësinë për të patur liberalizimin e vizave, dhe me ndjesinë se Serbia po përfiton më shumë nga dialogu sesa Kosova për sa u takon objektivave kombëtare. Prandaj ky është problem jo vetëm për Kosovën, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, që e ka mbështetur fuqimisht Kosovën.”
Ai thotë se është një problem i vërtetë që popullsia nuk mendon se po merr atë që meriton nga marrëveshja me Serbinë, e se qeveria duhet ta kishte sqaruar më mirë situatën.
Sa u takon prirjeve të demokracisë, në raport theksohet fakti i mbizotërimit të udhëheqësve të pasfiduar në grupime të ndryshme politike. Po ashtu, korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur, me gjithë disa përmirësime të lehta në gjyqësor.
Raporti nuk përfshin ngjarjet e vitit 2016, dhe rrjedhimisht vetëm parashikon që Hashim Thaçi do të zgjidhej në postin e presidentit, siç edhe ndodhi, por thotë se opozita, si edhe një pjesë e mirë e elitës së shoqërisë, përfshirë median dhe shoqërinë civile, ishin kundër zgjedhjes së tij, për shkak të korrupsionit në radhët e anëtarëve të partisë së vet. Në të njëjtën kohë parashikohet që tensionet politike do të vazhdojnë t’i lënë të anashkaluara zhvillimet e tjera lidhur me politikat, dialogu me Serbinë mund të ngecë, ashtu si edhe ecuria e legjislacionit zgjedhor.
Maqedonia
Maqedonia ka rënien më të madhe mes 29 vendeve të analizuara nga Freedom House për raportin “Vendet në Tranzicion” për këtë vit, në një krizë politike që përshkruhet si më e rënda që nga viti 2001.
Nga shtatë kategoritë që analizon Freedom House, Maqedonia pati përkeqësim në gjashtë prej tyre, me një vlerësim mesatar që, nga 4.07 vitin e kaluar, ra në 4.29.
Kjo ndodhi për shkak të përgjimeve të publikuara nga Bashkimi Social-Demokrat, që nxirrnin në pah përfshirjen direkte të zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe të partisë në pushtet në korrupsion dhe në aktivitete kriminale. Diçka për të cilën Schenkkan tha se i prekte pothuajse të gjitha kategoritë. Kriza vazhdon edhe sot, bëri me dije ai, duke iu referuar deklarimeve të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet që pritet të mbahen në qershor.
“Nuk na takon ne të themi a është vendimi i duhur, por duket se ai do ta zgjasë krizën politike, dhe është e vështirë ta imagjinosh se si mund të zgjidhet kjo krizë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu është e vështirë të imagjonohet se si mund të kthehet Maqedonia në një trajektore pozitive për sa i takon demokratizimit pa reformat thelbësore të parashikuara nga marrëveshja e verës së kaluar”, tha zyrtari i organizatës Freedom House.
Prirjet e Ballkanit
Sipas së njëjtës organizatë, gjendja është pjesë e kontekstit më të gjerë të Ballkanit. Rajoni ka në një kthim në nivelin ku ishte në vitin 2004. /tesheshi.com/