Nga Bashkim Kastrati
Raporti i progresit, apo siç po quhet tashmë raporti për vendin nuk përmban ndonjë befasi sa i përket ecurisë dhe ngecjeve në fusha të ndryshme. Në këtë raport përsëritën ngecjet që janë cekur ndër vite që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ky raport përmend edhe fushën e ekonomisë. Aty përmenden disa nga zhvillimet pozitive në këtë fushë, por edhe ngecjet e vazhdueshme që po e shoqërojnë Kosovën në vitet e fundit, e që kanë të bëjnë me ambientin e të bërit biznes, ekonominë joformale, mungesën e investitorëve të huaj etj.
“Ndryshimet strukturore në ekonomi janë të ngadalta pasi mbeten të varura nga sektori i tregtisë me pakicë. Integrimi me BE-në pengohet nga zbatimi i ngadalshëm i MSA-së. Kosova vazhdoi përpjekjet e saj për të mbajtur marrëdhënie të mira dhe konstruktive bilaterale me vendet e tjera të zgjerimit”, thuhet ndër të tjera në raportin e progresit.
Të gjitha këto probleme tashmë dihen që një kohë të gjatë, por nuk po bëhet sa duhet për ta përmirësuar situatën.
Ekonomisti Lulzim Beqiri thotë se sipas Raportit të Progresit 2018 Kosova ka bërë përparim të mirë dhe është në një fazë të hershme të zhvillimit të një ekonomie tregu funksionale. Ai thekson se raporti thekson se ambienti i biznesit është përmirësuar dhe se qeveria ka respektuar rregullin fiskal për deficitin buxhetor, mirë po sipas këtij Raporti buxheti i ndarë për kategorinë e veteranëve ka rënduar dukshëm situatën ekonomike, janë mbi 40 mijë veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Raporti i Progresit 2018 ka trajtuar edhe problemin e ekonomisë informale, pra ekonomia informale ka ndikim mjaft të madh në territorin e Kosovës. Rreth 30% llogaritet aktualisht ekonomia informale dhe pjesa më e madhe e këtij problemi vjen nga veriu i Kosovës që administrohet nga pakica etnike serbe, e cila nuk iu bindet ligjeve të Republikës së Kosovës”, thotë Beqiri.
Ai thotë se Republikës së Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale. Për këtë arsye është e rëndësishme që të gjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale.
“Sipas disa analizave buxheti i shtetit i humb nga 2 deri 3 miliardë euro në vit nga kjo veprimtari. Ende shumë kompani nuk janë fiskalizuar, në vendet rurale nuk ka një vullnet për të paguar tatimin, gjithashtu komuniteti serb është duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë kosovare, siç dihet ata ende vazhdojnë që valutë zyrtare të kenë dinarin serb, dhe nuk respektojnë asnjë ligj të shtetit. Vetëm në vitin 2017 sipas Administratës Tatimore të Kosovës për shmangie tatimore apo evazion fiskal janë realizuar 667,014.00 euro, pa ndëshkime dhe interesa”, theksoi Beqiri.
Ai thotë se papunësia mbetet sfidë e madhe për institucionet e Republikës së Kosovës dhe mekanizmat që kanë qasje në përmasimin e kësaj dukurie, që e ka kapluar shoqërinë kosovare, posaçërisht rininë e saj, e cila përbën më shumë se 50% të fuqisë punëtore.
“Mund të konstatojmë se papunësia e madhe paraqet një problem mjaft kompleks dhe të ndërlikuar ekonomiko-shoqëror dhe social, për çka duhet edhe të kihet qasje komplekse për zgjedhjen e këtij problemi. Gjithashtu edhe papunësia mbetet shqetësim i Raportit”, u shpreh Beqiri.
Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se Kosova në aspektin ekonomik vlerësohet pozitivisht vetëm në kujdesin ndaj ruajtjes së deficitit buxhetor ku prapë konsiderohen shqetësuese pagat e veteranëve.
“Ashtu siç është pritur niveli i korrupsionit është shumë i lartë dhe nuk ka shpresë që të ulet me ketë strukturë politike dhe si rezultat e kemi një drejtësi e kapur nga politika ditore. Shkalla e informalitetit është ende e lartë e cila ndikon në buxhet dhe dëmtimin e konkurrencës së lirë”, thotë Kadriaj.
Ai thotë se përveç rrugëve që vlerësohet me nota pozitive, Kosova është keq në infrastrukturën energjetike me rrjet të vjetruar dhe reduktime të energjisë elektrike si dhe me një infrastrukturë hekurudhore pothuajse jashtë funksionit.
“Pra energjia elektrike si një faktor vendimtar në zhvillimin e procesit të prodhimit si dhe infrastruktura hekurudhor si port kryesor për Kosovën për eksport dhe import masive pasi që Kosova nuk ka dalje në det. Këto kanë ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit”, theksoi Kadriaj. /tesheshi.com/