Çdo e treta familje në Shqipëri ka së paku një borxh për të paguar, qoftë ndaj individëve, e qoftë ndaj bankave.
Sipas një hulumtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë e cila heton situatën huamarrëse të individëve në Shqipëri, rezulton se 37% e këtij borxhi është marrë për nevoja konsumi.
2 në10 familje të cilat kanë deklaruar se kanë një hua për të paguar, shprehen se detyrimi është ndaj një malli për të cilin nuk i kanë dhënë paratë, ndërsa pjesa tjetër e familjeve me detyrime, e kanë marrë atë si kredi për banesë apo investim për biznesin e tyre.
44% e familjeve huamarrëse pranojnë se kanë marrë hua në burime joformale, me para në dorë, ndërsa vërehet se është rritur përdorimi i burimeve formale të borxhit drejt bankave apo institucioneve financiare.
Të ardhurat për familjet shqiptare u rritën me 1% në fund të vitit 2018, megjithatë gjysma e tyre deklarojnë se marrin 17 mijë deri në 50 mijë lekë në muaj, ndërsa shpenzimet minimale për jetesën e tyre nisin nga 20 mijë deri në 50 mijë lekë në muaj.
60% e individëve kanë si burim të ardhurash vetëpunësimin dhe pensionin, ndërsa pjesa tjetër ndahet në të punësuar në sektorin privat dhe atë shtetëror. /tesheshi.com/