Nga Bashkim Kastrati
Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKM) gjatë vitit 2015 është karakterizuar me parregullsi të shumta në fushën e prokurimit dhe menaxhimit të financave. Auditi ka gjetur shkelje të ndryshme në këtë institucion të rëndësishëm të Kosovës. Gjithashtu ZKM nuk kishte përmbushur disa nga rekomandimit që auditi ia kishte dhënë në vitin paraprak.
Sipas raportit të auditit furnizimet e ndryshme për projektet në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ishin buxhetuar nga Ministria e Financave dhe paguar nga investimet kapitale, përderisa rregullat e thesarit këto lloje furnizimesh i kategorizojnë si mallra dhe shërbime. Vlera e këtyre furnizimeve gjatë vitit 2015 ishte 1 milionë e 763 mijë e 717 euro, kjo kishte ndikuar të mbivlerësoheshin investimet kapitale dhe të nënvlerësoheshin mallrat dhe shërbimet si dhe subvencionet. Ndërkaq, AUV që nga viti 2007 kishte bërë përpjekje që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave (MF) të korrigjojnë kategorinë buxhetore, por nuk ishte arritur të adresohej nga Ministria e Financave.
“Keq-klasifikimi i buxhetit rezulton në prezantim jo te drejtë të të dhënave në Pasqyrave Vjetore Financiare dhe që ky gabim të ripërsëritet edhe në Pasqyrat e Konsoliduara të Buxhetit të Kosovës. Zyrtari Kryesor Administrativ në Zyrën e Kryeministrit (ZKA) dhe Kryeshefi i AUV-it duhet të insistojnë edhe më tutje në bashkëpunimin me Ministrinë e Financave për të kërkuar zgjidhje për keq-klasifikimin material aktual të shpenzimeve. Ky bashkëpunim duhet ti theksojë vlerat relative të cilat paraqesin rrezikun që nga auditori i jashtëm të jep një opinion të modifikuar”, thuhet në raport.
Gjetja tjetër tregon se në 84 raste zotimi së bashku me urdhërblerjet në vlerë totale 792 mijë e 62 euro, si dhe në 11 raste urdhërblerjet në vlerë totale prej 68 mijë e 964 euro, ishin përgatitur pas pranimit të furnizimeve të mallrave dhe shërbimeve, përkatësisht pas pranimit të faturës. Sipas auditit, kjo kishte ndodhur pasi që stafi i përfshirë në këtë proces nuk i kishte të qarta kërkesat ligjore për procesimin e pagesave, hapat që duhet të ndjekur e deri tek finalizimi i pagesave
Ndërsa në Akademinë e Shkencave, Artit dhe Kulturës (ASHAK) ishin procesuar tre pagesa në total 10 mijë e 570 euro pa u protokolluar faturat e pranuara. Kjo kishte rezultuar pasi që ASHAK ende nuk e kishte të vendosur praktiken e protokollimit të faturave siç kërkohet me rregullën financiare;
“Dështimi në aplikimin e procesit të kërkuar për pagesa dhe mos protokollimi i faturave mund të rezultojë në rritje të obligimeve të paplanifikuara dhe në dështim të arritjes së caqeve të pagesës. Kur financohen obligimet e paplanifikuara, obligimet e planifikuara mund të mos përmbushen. ZKA dhe kryeshefat Ekzekutiv duhet ti analizojnë arsyet e lëshimeve procedurale të identifikuara të cilat rezultojnë në dobësi sistematike të prokurimit dhe të shtojnë kontrollet për të evituar përsëritjen e tyre në të ardhmen”, thuhet në raport.
Zyra e Kryeministrit harxhoi 113 mijë e 43 euro për mbushje telefoni
Zyra e Kryeministrit (ZKM) së bashku më agjencitë në vitin 2015 kishin shpenzuar 113 mijë e 43 euro vetëm për shpenzime të telefonisë mobile. Sipas auditit, këto mjete ishin shpenzuar për shpërndarjen e kartelave mbushëse në bazë të Udhëzimit Administrativë për shpenzime të telefonisë kur një vlerë më e mirë për paranë mund të arrihet përmes tenderimit të hapur.
Gjetja tjetër tregon se si rezultat i ndryshimeve të shpeshta në staf dhe pamundësisë për planifikim të saktë, në ZKM ishin zhvilluar tetë procedura të prokurimit, të ndara në periudha të ndryshme, për furnizim me mallrat e teknologjisë informative me vlerë totale 18 mijë e 218 euro dhe në këtë mënyrë është shmangur konkurrenca.
“Neni 61 i Ligjit për Prokurimin Publik (LPP) kërkon që nëse një operator ofron çmim jo-normalisht të ulët në ndonjë artikull, autoriteti kontraktues i dërgon një kërkesë për shpjegim operatorit, dhe analizon më tutje për të marrë vendim. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kishte nënshkruar kontratë kornizë për tre vite në vlerë 497,168€, pa dërguar letër për shpjegim te përfituesi i kontratës “Intervistimi dhe grumbullimi i të dhënave statistikore në terren” edhe pse kishte një artikull më çmim jo-normalisht të ulët dhe mjaft të rëndësishëm”, është e gjetura e radhës e auditit.
Gjithashtu në tre kontrata në Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, menaxherët e përcaktuar të kontratave nuk kishin përgatitur planin për menaxhimin e tyre ashtu siç kërkohet nga Ligji i Prokurimit Publik.
Edhe pse ky ligj e ndalon që në specifikacionin teknik tё dosjes së tenderit, të precizohet prodhuesi i pajisjes, kjo kishte ndodhur në kontratën “Furnizim me Kompjuter në vlerë 8 mijë e 405 euro. Kjo për shkak të ndjeshmërisë së institucionit si dhe kërkesës së furnizimit me pajisje më kualitative.
“Kontrata ‘Furnizim me kite, reagjent dhe material shpenzues’, ishte e ndarë në 10 Lote. Kontrata për Lotin e nëntë ishte nënshkruar me operatorin i cili kishte ofertuar me çmim për 2 mijë e 370 euro më shtrenjtë se ofertuesi tjetër i përgjegjshëm. Kjo kishte ndodhur si rezultat i punës së cilësisë së dobët të bërë nga komisioni i vlerësimit”, thuhet në raport.
Auditi i tërheq vërejtjen ZKM-së se shpenzime domethënëse të bëra pa zbatuar proces të prokurimit, ndarja e blerjes në Lote, specifikimi i markës së pajisjeve të nevojshme, dhe dështimi për të identifikuar kuotën më të lirë do të rezultojnë në vlerë të dobët për para dhe në humbje financiare. Gjithashtu nënshkrimi i kontratave pa analizuar çmimin jo-normalisht të ulët mund të rezultojë që shërbimet të mos ofrohen në sasi dhe cilësinë e kërkuar. Mungesa e një plani për menaxhimin e kontratës mund të rezultojë në dështim në zbatimin e kontratave.
Auditi rekomandon se ky institucione duhet të sigurojë zbatimin e një rishikimi të brendshëm për të përcaktuar se pse nuk zbatohen kërkesat e prokurimit për të arritur një efekt më të mirë. Rrjedhimisht, duhet të prezantohen kontrolle të përmirësuara në mënyrë që të sigurohet se dobësitë jo sistematike të theksuara më lartë janë adresuar dhe nuk janë përsëritur.
Auditi nga testimi i avancave ka gjetur se 26 avance në vlerë totale prej 77 mijë e 235 euro, ishin mbyllur pas afatit ligjor dhe se vonesat në mbyllje varionin deri në 10 muaj pas afatit ligjor. Ndërkaq, Udhëzimi Administrativë 2004/07 për udhëtime zyrtare specifikon se avancet duhet të mbyllen 15 ditë pas kthimit nga udhëtimi zyrtar dhe shumat e pashpenzuara të kthehen në llogari.
“Sipas Ligjit Nr.05/L-001 për buxhetin e vitit 2015, nuk lejohet kompensimi i nëpunësve civil nga kategoria për mallra dhe shërbime. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) duke u thirrur në aktin nënligjor të saj Udhëzimin Administrativ nr.08/2012 edhe këtë vit (2015) kishte kompensuar 84 nëpunës të saj në total 64 mijë e 238 euro, gjë që është në kundërshtim me ligjin” ,thuhet në raportin e auditit. /tesheshi.com/