Ndryshimi i klimës do të kushtojë ekonomisë amerikane qindra miliarda dollarë deri në fund të shekullit, duke dëmtuar çdo gjë, që nga shëndeti i njeriut, në infrastrukturë dhe prodhimin e ushqimit, sipas një raporti qeveritar të lëshuar të premten.
Raporti, i kërkuar nga Kongresi dhe i përgatitur nga disa agjenci qeveritare për ndikimin e pritshëm të ngrohjes globale në të gjitha pjesët e shoqërisë amerikane, është në kundërshtim me planet e presidentit Donald Trump i cili e inkurajon industrinë e karburanteve fosile.
“Me rritjen e vazhdueshme të emetimit të gazrave serrë në një nivel rekord, humbjet vjetore në disa sektorë ekonomikë do të arrijnë qindra miliarda dollarë deri në fund të shekullit, më shumë se GDP-ja e shumë shteteve”, thuhet në raport.
Raporti paralajmëron se ngrohja globale më shumë se të tjerët do godasë të varfërit, do shkaktojë dëm në shëndetin publik, do dëmtojë infrastrukturën, do kufizojnë disponueshmërinë e ujit të pijshëm, do ndryshojë bregdetin dhe do të shkaktojë një rritje të shpenzimeve për një sërë industrish, që nga bujqësia deri në prodhimin e energjisë.
Raporti është në kundërshtim me politikat e administratës Trump, për shfuqizimin e masave për mbrojtjen e klimës dhe mjedisit nën mandatin të presidentit Barak Obama.
Trump njoftoi vitin e kaluar se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga Marrëveshja e Klimës në Paris, nënshkruar në vitin 2015, ku 200 vende u angazhuan për luftë kundër ndryshimeve klimatike. Por Trump pretendon se marrëveshja dëmton ekonominë amerikane.
Trump dhe disa anëtarë të qeverisë së tij kanë shprehu dyshime në lidhje me kredibilitetin e kërkimit shkencor, duke argumentuar se shkaqet dhe efektet e ngrohjes globale ende nuk janë krejtësisht të qarta. /tesheshi.com/