Dy vatra zjarri janë riaktivizuar në vendin e frekuentuar nga plazhistët në Shëngjin që njihet me emrin “Rana e hedhun”. Rigjallërimi i flakëve nisi rreth mesditës dhe 20 trupave që u përpoqën të vendosin nën kontroll zjarrin e rënë që një ditë më parë, iu shtuan edhe 100 ushtarë dhe një helicopter.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se trupat e saj do të qëndrojnë në vend, për të shuar flakët por edhe për të shmangur aktivizimin e ndonjë vatre tjetër, për shkak se përhapja e zjarrit favorizohet nga kushtet e motit.
Zjarri masiv që përfshiu pasditen e djeshme Malin e Shengjinit në Lezhë, rrezikoi dhe banesa, por dhe cisterna karburanti, të cilat ndodhen afër portit. Në këtë operacion u angazhuan mbi 100 efektivë të Batalionit Vau i Dejës dhe Batalionit Komando.
Në mbështetje të këtij operacioni u angazhuan edhe 5 mjete transporti dhe 2 ambulanca, të gatshme për evakuim banorësh të rrezikuar dhe dhënie ndihme.
Njëherësh, 4 mjete zjarrfikëse të Komandës Mbështetëse u angazhuan në operacionin për fikjen e zjarrit në Malin e Shëngjinit në Lezhë. /tesheshi.com/