Partia Demokratike ka intensifikuar akuzat në drejtim të Edi Ramës, pasi ky i fundit shpalli kabinetin e ri qeveritar.
Belind Këlliçi, kryetar i FRPD-së, dhe Dhurapa Çupi, deputete e PD-së në qarkun e Dibrës, akuzojnë Ramën se ka rikthyer në krye të institucioneve komunistët.
“Ministri i fundit i brendshëm i diktaturës, Gramoz Ruci, sot propozohet zyrtarisht për pozicionin e nr.2 të shtetit, kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Ish prokurori dhe hetuesi i diktaturës Fatmir Xhafaj rikthehet në drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe qershia mbi tortë është padyshim Taulanti vogël, adhuruesi më fanatik i figurës së Enver Hoxhës, i cili merr drejtimin e grupit parlamentar të PS. Disfata e kësaj qeverie u vulos që në nisje”, shkruan ai.
Ndërkohë, deputetja Çupi, shkruan se ministrat e rinj janë bijtë e diktatorit Enver dhe yje që do të vijojnë të shkëlqejnë për rrënimin e vendit.
Ajo ironizon duke thënë se këta “yje” do të vazhdojnë të shkëlqejnë për rrënimin e vendit duke e vjedhur e duke përvetësuar pasurinë e shqiptarëve. “Fli i qetë shoku Enver . Bijtë e tu i ke në krye te vendit për ta mjeruar me shumë. Qeveria e re në këmbët e vjetra e madje ka edhe aq të vjetra sa kthehemi te “krenaria” e regjimit komunist. Edi Rama konfirmon ministrat që me “punën” e tyre telendisën Shqipërinë e shqiptarët katër vitet e fundit.
Këta “yje” do të vazhdojnë të shkëlqejnë për rrënimin e vendit duke e vjedhur e duke përvetësuar pasurinë e shqiptarëve. Ne do të jemi aty përballë e në këmbë për të mos e lejuar këtë”, shkruan Çupi. /tesheshi.com/