Rama e Thaçi janë përafruar politikisht pas shpalljes nga presidenti kosovar të 2019-ës si “Vit i NATO-s” për Kosovën. Kjo pasi në fillimverë të këtij viti, mbushen 20 vite që kur trupat e Aleancës Atlantike hynë në Kosovë duke e nxjerrë prej aty ushtrinë serbe, pasi më parë e kishte bombarduar atë përgjatë fushatës së spastrimit entik.
Por Rama ka avancuar edhe më tej, duke propozuar si vijon në përshëndetjen e tij:
“E përshëndes idenë e goditur të Hashim Thacit për shpalljen e Vitit të NATO-s 20 vjet pas ndërhyrjes historike të Aleancës në Kosovë. Ky vit përkon me 10 vjetorin e Shqipërisë në NATO. Le ta bëjmë ditën e kufirit ‘Shengen’ në Morinë një moment kulmor të këtij Viti të NATO-s”, shkruan Rama.
Siç është paralajmëruar, pas disa muajsh pritet bashkimi doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. /tesheshi.com/