Gjatë prezantimit të një flotë te rë ambulancash, kryeministri Rama iu drejtua zërave që japin alarmin e largimit të mjekëve nga Shqipëria, si dhe këtyre të fundit, duke iu prezantuar një tjetër panoramë.
“Kemi ata që derdhin lot krokodili se po na largohen mjekë dhe infermierë. Por Urgjenca sot drejtohet pikërisht nga një mjek i kthyer nga jashtë për të reformuar këtë sistem dhe që është protagonisti kryesor i këtij transformimi“, tha Rama.
Shefi i qeverisë tha gjithashtu se situata në terren është krejt tjetër nga ajo që paraqitet nga mediat.
“Janë 4 mijë infermierë që duan të hyjnë në sistem dhe janë në Shqipëri, jo në Gjermani, janë në portal, por ndryshe ngasa ka ndodhur për 25 vjet, nuk hyn më në punë përmes partisë e parasë, por përmes pikëve të fituara në testimin kombëtar të infermierëve. Pas janarit do kemi 300 mjekë të rinj specialistë të cilët po ashtu në bazë të meritës dhe rezultateve do të mund të zgjedhin se ku dhe nëse duan të kontribuojnë. Për të gjithë ata që do kontribuojnë në ato zona që janë jashtë zonave të tyre të banimit, do marrin aq sa do merrnin nëse do ta fillonin punën në Gjermani. Aq marrin të gjithë mjekët që shkojnë jashtë Tiranës për të shërbyer si specialistë. Marrin rrogën si mjekë dhe marrin mbi rrogën 2 mijë deri në 2500 dollarë në muaj. Po të llogarisësh taksat që paguajnë këtu që janë 5 fish më të ulëta, se sa do paguanin në Gjermani ta bëjnë vetë llogarinë se si është më mirë por një gjë është e sigurt se as kemi e as do kemi mungesë mjekësh dhe infermierësh në sistemin tonë shëndetësor”, theksoi i pari i qeverisë. /tesheshi.com/