Duke e ndjerë si pikën më të dobët të qeverisjes 4-vjeçare, atë që mund ta ndëshkojë me votë në zgjedhjet e 18 qershorit, kanabizimin e Shqipërisë, kryeministri Rama ka shpallur para efektivëe të Policisë së Shtetit strategjinë 3-vjeçare që sipas tij do e ç’kanabizojë Shqipërinë, që mund të konsiderohet dhe si “Lazarati nr.2”.
Duke përmendur sukseset e policisë në tre vite, sipas gjykimit të Ramës, ku përmendi kontrollin mbi territorin për t’u dhënë fund ndërtimeve pa leje apo disiplinimin e qarkullimin rrugor, shefi i ekzekutivit shqiptar tha se dhe beteja me drogën është e mundur të fitohet.
Ai tha se duhet sikterisur nga radhët e policisë çdo shef krimi apo komisariati që mbyll syrin, apo më keq akoma u shkel syrin atyre që mbjellin kanabis.
Interesante në këtë performancë të Ramës ishte qënia në krah të ministrit Tahiri, të kreut të komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, njeri i afërt i Ilir Metës. Dhe siç dihet, ky i fundit prej kohës i kërkon aleatit Rama largimin e Tahirit. /tesheshi.com/